Z. Shkëlzen Margjeka

Shkëlzen Margjeka, auditues ligjor është anëtar i Institutit të Ekspertëve Kontabël të Autorizuar që nga viti 2008, partner anagzhimi dhe administrator i shoqërisë audituese “ACA MARGJEKA” shpk si dhe anëtar i Këshillit Drejtues të ASD.
Shkëlzen Margjeka ka qënë anëtar i Këshillit Drejtues të Institutit të Ekspertëve Kontabël të Autorizuar për përiudhën 2012-2021 si dhe Kryetar i Komitetit të Investigimit dhe Disiplinës të IEKA-s. Në vitin 1995-1999  ka qënë kryetar i Union e Pavarur Studentor Shqiptar.
Shkëlzen Margjeka ka mbaruar Fakultetin Ekonomik, Dega Finance-Kontabilitet në vitin 1998, ka mbaruar kursin pasuniversitar Financë-Bankë, Fakulteti – Ekonomik, Universiteti i Tiranës, viti 2000-2001 si dhe në vitin 2012-2014 ka mbaruar Master Shkencor në Finance-Banke, Universiteti Europian i Tiranës. Ai ka kryer kualifikime profesionale në vazhdimësi nga eksperte vendas dhe të huaj.
Shkëlzen Margjeka që nga viti 2000 e në vazhdim ka punuar si drejtor finance  në kompani sigurimi, kompani vendase dhe të huaja, ka dhënë konsulence financiare dhe fiskale,  ka ofruar shërbime në auditim-kontabilitet, ka bërë monitorime dhe kontrolle financiare  pranë KQZ, si dhe ka kryer akt-ekspertime në gjykatë dhe prokurori.

Znj. Vasilika Vjero

Zj.Vasilika Vjero ka lindur në qytetin e Tiranës në vitin 1976.
Zj.Vjero është diplomuar në Universiteti i Tiranës,  Fakulteti i Ekonomisë, në degën  Administrim Biznesi në vitin 1998. Në vitin 2003 përfundon një master nga Universiteti i Nebraskës, Lincoln USA, programi Master në Administrimin Publik në bashkëpunim me Universitetin e Tiranës, Fakulteti i Ekonomisë. Ajo gjithashtu është trajnuar lidhur me çështje të rritjes ekonomike nga Harvard Kennedy School.
Zj.Vjero ka mbajtur poste të larta drejtuese si, Drejtori i Përgjithshëm i Tatimeve, Drejtor i Përgjithshëm i Qendrës Kombëtare të Biznesit, Drejtor i Përgjithshëm i Autoritetit Rrugor Shqiptar.  Në karrierën e saj  numëron më shumë se 10 vite eksperiencë pune për Bashkinë e Tiranës në menaxhimin e Administratës Tatimore dhe Departamentit të Planifikimit Strategjik dhe buxheteve vendore, si dhe nje sërë eksperiencash si ekspert financiar me donatorë të huaj. Po ashtu ka shërbyer si ekspert i pavarur fiskal dhe buxhetor për qeverisjen lokale në Shqipëri për një total prej 24  bashkish dhe komunash në të gjithë vendin.
Zj.Vjero zotëron gjuhën angleze dhe atë italiane.

Z. Genci Mamani

Genci Mamani është Drejtor i Përgjithshëm i Agjencisë së Sigurimit të Depozitave dhe njëkohësisht anëtar i Këshillit Drejtues të saj.
Z. Mamani, ka mbaruar studimet në vitin 1991 pranë Universitetit të Tiranës, Fakulteti i Ekonomisë, Dega Financë.
Në vitin 2001 kreu studimet pasuniversitare pranë Universitetit Wisconsin – La Cross për financë – bankë. Në vitin 2012 ka kryer studimet pasuniversitare në nivelin master për Administrim Biznesi pranë International Hellenic University, në Selanik, Greqi.
Karrierën e tij Z. Mamani e ka nisur në vitin 1991 si ekonomist në Bankën e Shtetit. Më pas ka punuar pranë Bankës FEFAD (sot ProCredit Bank), Bankën Italo – Shqiptare  dhe më tej pranë Bankës së Shqipërisë deri në vitin 2015 duke mbajtur poste drejtuese në këto institucione.  Në korrik të vitit 2015 ai mori detyrën e Drejtorit të Agjencisë së Sigurimit të Depozitave.
Zoti Mamani zotëron gjuhët anglisht dhe italisht.

Z. Donald Duraj

Z. Donald Duraj është emëruar në detyrën e Kryetarit të Këshillit Drejtues të Agjencisë së Sigurimit të Depozitave në vitin 2015. Z. Donald Duraj ka një karrierë progresiste më shumë se 10-vjecare në sistemin bankar, pjesë integrale e së cilës kanë qenë pjesëmarrja mjaft aktive dhe arritjet e suksesshme brenda institucioneve të ndryshme prestigjioze financiare lokale dhe atyre në rrjetin ndërkombëtar si në Austri, Poloni, Sllovaki, Ukrainë e Bjellorusi. Që prej vitit 2015 Z. Duraj mban detyrën e Shefit të Kabinetit të Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë me përgjegjësi këshillimi, asistimi, raportimi dhe koordinimi për të gjitha çështjet e lidhura me mbarëvajtjen dhe mirëfunksionimin e Kabinetit por dhe të departamenteve të tjera të Bankës së Shqipërisë. Nga viti 2010 e deri në vitin 2015 Përgjegjës i Sektorit të Organizimit Komercial dhe Zhvillimit të Tregut në Bankën Societe Generale Albania duke luajtur një rol kryesor drejtimin strategjik, planifikimin afat-shkurtër dhe afat-gjatë, përcaktimin e objektivave kryesore, koordinimin e marrëdhënieve ndër-divizionale dhe ndër-institucionale, në nivel lokal dhe ndërkombëtar, me kompani publike dhe private, etj. Gjatë kësaj periudhe Z. Duraj ka drejtuar me sukses të paktën 15 projekte, ndër më të rëndësishmit për Bankën, dhe me një ndikim të drejtpërdrejtë në zgjerimin e aktivitetit në tregun lokal dhe në rritjen e përfitueshmërisë. Z. Duraj ka punuar nga viti 2005 deri në vitin 2010 në Raiffeisen Bank Albania dhe Raiffeisen Intenational Austria duke mbuluar pozicione kyçe të karakterit operacional dhe strategjik. Më të rëndësishmet prej tyre janë si Përgjegjës i Segmentit të Individëve, Përgjegjës i Produkteve i Kredisë Konsumatore, Drejtues i Projekteve në Programin “Retail Leadership” pranë Raiffeisen Intenational Austria, etj. Z. Duraj ka përfunduar studimet e larta në Fakultetin Ekonomik, Dega Financë – Profili Bankë, pranë Universitetit të Tiranës.

04/10/2019

Njoftim për Shtyp mbi mbledhjen e Grupit Këshillimor të Stabilitetit Financiar, 9 prill 2019

Në datën 9 prill 2019, u zhvillua mbledhja e Grupit Këshillimor të Stabilitetit Financiar (GKSF). Në këtë mbledhje, e cila u drejtua nga Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, morën pjesë Guvernatori i Bankës së Shqipërisë (BSh), Kryetari i Bordit të Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare (AMF), Drejtori i Përgjithshëm i Agjencisë së Sigurimit të Depozitave (ASD), si edhe përfaqësues të tjerë të këtyre institucioneve.
Programi i mbledhjes përfshinte vlerësimet më të fundit të autoriteteve financiare të pranishme, mbi zhvillimet në institucionet dhe tregjet që mbikëqyrin.
Në prezantimin e Bankës së Shqipërisë, me fokus tek vleresimi i gjendjes financiare të sektorit bankar, u theksua se gjatë 2018-ës zhvillimet ishin përgjithësisht pozitive. Tregjet financiare funksionuan normalisht, ku vëllimet e transaksioneve mbetën të qëndrueshme dhe normat e interesit mbetën në nivele të ulëta. Veprimtaria e sektorit bankar u zgjerua, pavarësisht efektit statistikor pakësues që dha mbiçmimi i kursit të këmbimit të lekut. Ekspozimi i sektorit bankar ndaj rreziqeve të veprimtarisë, ishte i kontrolluar. Kreditë me probleme u pakësuan me gati 15 miliardë lekë, duke bërë që raporti i kredive me probleme të bjerë në nivelin 11.1%. Në rënien e këtij treguesi është forcuar ndikimi që vjen nga shlyerjet, duke kontribuar pozitivisht në rritjen e qëndrueshmërisë së prirjes rënëse të kredive me probleme. Treguesit e rreziqeve të tregut nuk shfaqën ndryshime gjatë vitit, por mbetet i nevojshëm vlerësimi i kujdesshëm i ndikimit të tërthortë të kursit të këmbimit dhe të normave të interesit. Aftësia e sektorit bankar për të përballuar rreziqet, vlerësohet e fortë në kushtet kur gjendja e likuiditetit është mjaft e mirë dhe kur veprimtaria bankare paraqitet fitimprurëse dhe e mirëkapitalizuar. Në prezantim u evidentuan edhe ndryshimet strukturore që kanë ndodhur në sektorin bankar deri në tremujorin e parë të 2019-ës, të cilat janë shoqëruar me rritjen e kapitalit vendas në bankat e sektorit. Krahas konsolidimit të sektorit bankar, ky zhvillim pritet të ndikojë pozitivisht në rritjen e kreditimit. Të pranishmit u njohën gjithashtu me nismat e përmirësimeve të ndryshme ligjore dhe rregullative, në fushat e mbikëqyrjes mikro e makroprudenciale, dhe të sistemeve të pagesave. Ndryshimet e propozuara në ligjin për sistemet e pagesave, pritet të zgjerojnë mundësitë që avancimet teknologjike të përmirësojnë aksesin e publikut në shërbimet financiare me kosto më të ulët dhe me shpejtësi më të madhe. Kjo do të ofrojë përfitime konkrete për grupe të caktuara të interesit dhe transaksione të rëndësishme për ekonominë e vendit, ku përfshihen edhe dërgesat e emigrantëve. Në shkallë më të gjerë, këto ndryshime pritet të kontribuojnë ndjeshëm në drejtim të formalizimit të ekonomisë dhe të rritjes së ndërmjetësimit financiar.
Më tej, anëtarët e GKSF-së diskutuan mbi nevojën për identifikimin e veprimevë që synojnë rritjen graduale të përdorimit të monedhës vendase në sektorin real të ekonomisë. Diskutimi evidentoi rëndësinë që ky hap paraqet për suksesin e objektivit mbi rritjen e përgjithshme të përdorimit të lekut në sistemin financiar dhe ekonominë shqiptare. Në zbatim të Strategjisë përkatëse ndërinstitucionale, përfaqësuesit e Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë u angazhuan ta trajtojnë me përparësi këtë çështje.
Përfaqësuesit e AMF-së i njohën të pranishmit me zhvillimet në tregjet financiare që mbikëqyr ky institucion. Në prezantim u evidentuan zhvillimet në fondet private vullnetare të pensionit, fondet e investimeve dhe tregu me pakicë i letrave me vlerë. Tek ky i fundit, mbizotërojnë transaksionet mes individëve dhe preferenca për titujt afatshkurtër të borxhit të qeverisë. Në vijim, u theksuan përpjekjet që po bën Bursa për të nisur tregtimin e titujve privatë të borxhit dhe të kapitalit, veçanërisht pas krijimit të infrastrukturës bazë për klerimin dhe shlyerjen e tyre. Për tregun e sigurimeve, përfaqësuesit e AMF-së evidentuan rritjen e primeve të paguara bruto gjatë 2018, po edhe rritjen më të shpejtë të dëmeve të paguara. Struktura e tregut mbizotërohet nga sigurimi i detyrueshëm motorik, i cili gjeneron edhe pjesën më të madhe të primeve të shkruara buto. Në kuadër të përafrimit me standardet evropiane dhe për t’iu përgjigjur më mirë zhvillimeve në tregjet e brendshme, të pranishmit u informuan mbi elementët kryesorë
dhe stadin e disa projektligjeve të përgatitura nga AMF për veprimtaritë e sigurimit të detyrueshëm në sektorin e transportit, sipërmarrjeve të investimeve kolektive dhe tregjeve të kapitalit.
Pas diskutimit të çështjeve të mësipërme, drejtuesit e institucioneve vlerësuan pozitivisht zhvillimet në sistemin financiar, në tregjet financiare dhe në kuadrin rregullativ përkatës, duke konfirmuar qëndrueshmërinë e sistemit financiar. Ata theksuan rëndësinë e monitorimit të zhvillimeve financiare dhe të përshpejtimit të procesit për miratimin e projektligjeve të përgatitura, për të trajtuar problemet përkatëse dhe për të siguruar përafrimin me standardet më të mira në fushat respektive.
Me mbylljen e diskutimeve në mbledhje sipas programit, drejtuesit e institucioneve pjesëmarrëse miratuan këtë njoftim për shtyp dhe autorizuan publikimin e tij.

Scroll to Top