Z. Shkëlzen Margjeka

Shkëlzen Margjeka, auditues ligjor është anëtar i Institutit të Ekspertëve Kontabël të Autorizuar që nga viti 2008, partner anagzhimi dhe administrator i shoqërisë audituese “ACA MARGJEKA” shpk si dhe anëtar i Këshillit Drejtues të ASD.
Shkëlzen Margjeka ka qënë anëtar i Këshillit Drejtues të Institutit të Ekspertëve Kontabël të Autorizuar për përiudhën 2012-2021 si dhe Kryetar i Komitetit të Investigimit dhe Disiplinës të IEKA-s. Në vitin 1995-1999  ka qënë kryetar i Union e Pavarur Studentor Shqiptar.
Shkëlzen Margjeka ka mbaruar Fakultetin Ekonomik, Dega Finance-Kontabilitet në vitin 1998, ka mbaruar kursin pasuniversitar Financë-Bankë, Fakulteti – Ekonomik, Universiteti i Tiranës, viti 2000-2001 si dhe në vitin 2012-2014 ka mbaruar Master Shkencor në Finance-Banke, Universiteti Europian i Tiranës. Ai ka kryer kualifikime profesionale në vazhdimësi nga eksperte vendas dhe të huaj.
Shkëlzen Margjeka që nga viti 2000 e në vazhdim ka punuar si drejtor finance  në kompani sigurimi, kompani vendase dhe të huaja, ka dhënë konsulence financiare dhe fiskale,  ka ofruar shërbime në auditim-kontabilitet, ka bërë monitorime dhe kontrolle financiare  pranë KQZ, si dhe ka kryer akt-ekspertime në gjykatë dhe prokurori.

Znj. Vasilika Vjero

Zj.Vasilika Vjero ka lindur në qytetin e Tiranës në vitin 1976.
Zj.Vjero është diplomuar në Universiteti i Tiranës,  Fakulteti i Ekonomisë, në degën  Administrim Biznesi në vitin 1998. Në vitin 2003 përfundon një master nga Universiteti i Nebraskës, Lincoln USA, programi Master në Administrimin Publik në bashkëpunim me Universitetin e Tiranës, Fakulteti i Ekonomisë. Ajo gjithashtu është trajnuar lidhur me çështje të rritjes ekonomike nga Harvard Kennedy School.
Zj.Vjero ka mbajtur poste të larta drejtuese si, Drejtori i Përgjithshëm i Tatimeve, Drejtor i Përgjithshëm i Qendrës Kombëtare të Biznesit, Drejtor i Përgjithshëm i Autoritetit Rrugor Shqiptar.  Në karrierën e saj  numëron më shumë se 10 vite eksperiencë pune për Bashkinë e Tiranës në menaxhimin e Administratës Tatimore dhe Departamentit të Planifikimit Strategjik dhe buxheteve vendore, si dhe nje sërë eksperiencash si ekspert financiar me donatorë të huaj. Po ashtu ka shërbyer si ekspert i pavarur fiskal dhe buxhetor për qeverisjen lokale në Shqipëri për një total prej 24  bashkish dhe komunash në të gjithë vendin.
Zj.Vjero zotëron gjuhën angleze dhe atë italiane.

Z. Genci Mamani

Genci Mamani është Drejtor i Përgjithshëm i Agjencisë së Sigurimit të Depozitave dhe njëkohësisht anëtar i Këshillit Drejtues të saj.
Z. Mamani, ka mbaruar studimet në vitin 1991 pranë Universitetit të Tiranës, Fakulteti i Ekonomisë, Dega Financë.
Në vitin 2001 kreu studimet pasuniversitare pranë Universitetit Wisconsin – La Cross për financë – bankë. Në vitin 2012 ka kryer studimet pasuniversitare në nivelin master për Administrim Biznesi pranë International Hellenic University, në Selanik, Greqi.
Karrierën e tij Z. Mamani e ka nisur në vitin 1991 si ekonomist në Bankën e Shtetit. Më pas ka punuar pranë Bankës FEFAD (sot ProCredit Bank), Bankën Italo – Shqiptare  dhe më tej pranë Bankës së Shqipërisë deri në vitin 2015 duke mbajtur poste drejtuese në këto institucione.  Në korrik të vitit 2015 ai mori detyrën e Drejtorit të Agjencisë së Sigurimit të Depozitave.
Zoti Mamani zotëron gjuhët anglisht dhe italisht.

Z. Donald Duraj

Z. Donald Duraj është emëruar në detyrën e Kryetarit të Këshillit Drejtues të Agjencisë së Sigurimit të Depozitave në vitin 2015. Z. Donald Duraj ka një karrierë progresiste më shumë se 10-vjecare në sistemin bankar, pjesë integrale e së cilës kanë qenë pjesëmarrja mjaft aktive dhe arritjet e suksesshme brenda institucioneve të ndryshme prestigjioze financiare lokale dhe atyre në rrjetin ndërkombëtar si në Austri, Poloni, Sllovaki, Ukrainë e Bjellorusi. Që prej vitit 2015 Z. Duraj mban detyrën e Shefit të Kabinetit të Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë me përgjegjësi këshillimi, asistimi, raportimi dhe koordinimi për të gjitha çështjet e lidhura me mbarëvajtjen dhe mirëfunksionimin e Kabinetit por dhe të departamenteve të tjera të Bankës së Shqipërisë. Nga viti 2010 e deri në vitin 2015 Përgjegjës i Sektorit të Organizimit Komercial dhe Zhvillimit të Tregut në Bankën Societe Generale Albania duke luajtur një rol kryesor drejtimin strategjik, planifikimin afat-shkurtër dhe afat-gjatë, përcaktimin e objektivave kryesore, koordinimin e marrëdhënieve ndër-divizionale dhe ndër-institucionale, në nivel lokal dhe ndërkombëtar, me kompani publike dhe private, etj. Gjatë kësaj periudhe Z. Duraj ka drejtuar me sukses të paktën 15 projekte, ndër më të rëndësishmit për Bankën, dhe me një ndikim të drejtpërdrejtë në zgjerimin e aktivitetit në tregun lokal dhe në rritjen e përfitueshmërisë. Z. Duraj ka punuar nga viti 2005 deri në vitin 2010 në Raiffeisen Bank Albania dhe Raiffeisen Intenational Austria duke mbuluar pozicione kyçe të karakterit operacional dhe strategjik. Më të rëndësishmet prej tyre janë si Përgjegjës i Segmentit të Individëve, Përgjegjës i Produkteve i Kredisë Konsumatore, Drejtues i Projekteve në Programin “Retail Leadership” pranë Raiffeisen Intenational Austria, etj. Z. Duraj ka përfunduar studimet e larta në Fakultetin Ekonomik, Dega Financë – Profili Bankë, pranë Universitetit të Tiranës.

02/22/2018

Njoftim për shtyp mbi mbledhjen e Grupit Këshillimor të Stabilitetit Financiar, 21 shkurt 2018

Në datën 21 shkurt 2018, u zhvillua mbledhja e Grupit Këshillimor të Stabilitetit Financiar (GKSF). Në këtë mbledhje morën pjesë Ministri i Financave dhe Ekonomisë (MFE), Guvernatori i Bankës së Shqipërisë (BSh), Kryetari i Bordit të Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare (AMF), Drejtori i Përgjithshëm Ekzekutiv i AMF-së, Drejtori i Përgjithshëm i Agjencisë së Sigurimit të Depozitave (ASD) dhe përfaqësues të tjerë të këtyre institucioneve.

Programi i mbledhjes përfshinte vlerësimet e autoriteteve financiare të pranishme, mbi zhvillimet në institucionet dhe tregjet që mbikëqyrin.

Në prezantimin mbi ecurinë financiare dhe vlerësimin e rreziqeve për sektorin bankar deri në fund të vitit 2017, përfaqësuesit e Bankës së Shqipërisë theksuan se vijoi rritja e aktivitetit bankar edhe gjatë tremujorit të fundit të vitit të kaluar, ndonëse me ritme më të ulëta, ndikuar nga rritja më e ulët e depozitave. Kreditimi i ekonomisë mbeti i moderuar, ku kontributin pozitiv vijoi ta japë kreditimi në lekë. Kredia me probleme shënoi rënie të dukshme, me gati 30.2 miliardë lekë gjatë vitit të kaluar. Si rezultat, në fund të vitit 2017, raporti i kredive me probleme zbriti në 13.2%, kundrejt 18.3% një vit më parë. Krahas fshirjes nga bilancet e bankave të kredive të humbura (write-off), në rënien e kredive me probleme kontributin kryesor e dhanë faktorët e tjerë, ku përfshihen ristrukturimet, shlyerjet etj. Gjatë vitit të kaluar, sektori bankar përmirësoi ndjeshëm rezultatin financiar, ku ndikimin kryesor e dha rënia e ndjeshme e nivelit të rezervave (provigjioneve) për rrezikun e kreditit. Gjendja e likuiditetit të sektorit bankar mbetet mjaft e mirë. Gjatë vitit të kaluar, raporti i mjaftueshmërisë së kapitalit u rrit me 0.2 pikë përqindje, duke shënuar 16.6% në fund të vitit. Këto zhvillime tregojnë se gjendja e sektorit bankar mbetet e qëndrueshme, me tregues të mirë të likuiditetit, të rezultatit financiar dhe të kapitalizimit.

Përfaqësuesit e BSh-së informuan gjithashtu mbi ndryshimet e pritshme rregullative, që do të sanksionojnë përdorimin vetëm të dokumentacionit zyrtar financiar  të subjektit që kërkon hua, në analizën që bëjnë bankat gjatë procesit të miratimit të huasë. Të pranishmit vlerësuan se përdorimi i dokumentacionit zyrtar financiar në procesin e analizës së huasë i shërben formalizimit të ekonomisë, mbështet konkurrencën e drejtë dhe ul rrezikun në veprimtarinë e kreditimit të sektorit bankar. Ata vlerësuan se rënia e nivelit të kredive me probleme, duhet të krijojë kushte më të favorshme për një angazhim më të madh të sektorit bankar drejt veprimtarisë së kreditimit, mbështetur në kujdesin e nevojshëm përsa i takon treguesve të përqendrimit të kredisë dhe kërkesave të tjera mbikëqyrëse.

Përfaqësuesit e BSh-së informuan gjithashtu mbi paketën e masave për nxitjen e përdorimit të monedhës kombëtare në veprimtarinë e bankave, miratuar nga Këshilli Mbikëqyrës i BSh-së në mbledhjen e datës 7 shkurt 2018. Të pranishmit, konfirmuan nevojën e këtyre masave dhe angazhimin e tyre për të vepruar në mënyrë të harmonizuar, në përputhje me përcaktimet në Memorandumin e Bashkëpunimit të datës 18 prill 2017.

Më tej, përfaqësuesit e BSh-së njohën të pranishmit mbi punën e përbashkët të MFE-së dhe të BSh-së në drejtim të ndërmarrjes së disa veprimeve përgatitore, të natyrës rregullative dhe operacionale, për të nxitur zhvillimin e transaksioneve të titujve të borxhit të qeverisë, pas emetimit të tyre, në atë që njihet zakonisht me emrin ‘treg sekondar’. Zhvillimi i këtij tregu mbetet një sfidë e rëndësishme për të gjithë operatorët që veprojnë në këtë treg, dhe është një proces që do të kërkojë kohë. Ky proces do të zhvillohet në konsultim të rregullt me Bankën Botërore, Fondin Monetar Ndërkombëtar dhe Bankën Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim. Të pranishmit vlerësuan nevojën e këtij procesi dhe sugjeruan shkëmbimin e rregullt të informacionit rreth ecurisë së tij. 

Sipas programit, mbledhja vijoi me prezantimin e përfaqësuesve të AMF-së, lidhur me vlerësimin e gjendjes së institucioneve dhe tregjeve që mbikëqyren nga ky institucion.

Për tregun e sigurimeve, duke iu referuar tremujorit të tretë të vitit të kaluar, përfaqësuesit e AMF-së evidentuan vijimin e rritjes së primeve bruto për sigurimet e jetës dhe të jojetës, si edhe të raportit dëme/prime neto për shoqëritë e sigurimit të jojetës. Gjithashtu, rezultati financiar neto i shoqërive të sigurimit shfaq përmirësim të dukshëm. Nga ana tjetër, AMF-ja është angazhuar për të trajtuar disa problematika që lidhen me përmbushjen e kërkesave rregullative tek disa shoqëri sigurimi. Në tregjet e kapitaleve,  aktivet neto të fondeve të investimit dhe numri i kuotave, kanë shënuar rritje gjatë vitit 2017. Investimet kryesore të fondeve të investimit, në varësi të monedhës, janë në tituj borxhi publikë dhe privatë, si edhe tituj të kapitalit të subjekteve të huaja private. Edhe fondet e pensioneve vullnetare kanë shënuar rritje të mirë të aktivitetit gjatë vitit të kaluar. Megjithatë, baza e ulët e nisjes, dikton peshën e tyre shumë të vogël në tërësinë e mjeteve të sistemit financiar.

Përfaqësuesit e AMF-së evidentuan si zhvillime të rëndësishme të tregut të kapitaleve gjatë vitit të kaluar, rritjen e interesit të subjekteve private në emetimin e titujve afatshkurtër të borxhit me ofertë private, licencimin e Bursës Shqiptare të Titujve – ALSE, shtimin e numrit të institucioneve financiare që shërbejnë si ‘depozitar’ për fondet e investimit dhe shtimin e atyre që shërbejnë si ‘kujdestar’ për titujt e emetuar nga subjektet private. Të pranishmit vlerësuan që këto zhvillime kontribuojnë në thellimin e tregut të kapitaleve, dhe theksuan nevojën që baza ligjore dhe rregullative të kontribuojë që këto zhvillime të jenë të qëndrueshme. Në këtë drejtim, të pranishmit mbështetën sugjerimin e përfaqësuesve të AMF-së për të nisur një proces rishikimi të praktikave të bashkëpunimit mes autoriteteve për trajtimin e situatave të simuluara të stresit në sistemin financiar.

Në mbledhjet e GKSF-së marrin pjesë rregullisht edhe përfaqësues të ASD-së. Në këtë mbledhje, përfaqësuesit e ASD-së bënë një prezantim të ecurisë së depozitave të siguruara pranë bankave dhe pranë shoqërive të kursim-kreditit (shkk).

Gjatë vitit të kaluar, depozitat e sigurueshme kanë njohur rritje si tek bankat ashtu edhe tek shkk-të. Në total, depozitat e sigurueshme vijojnë të mbizotërohen nga kursime të individëve dhe shfaqin një epërsi të lehtë të depozitave në valutë. Sipas afatit të maturimit, depozitat e sigurueshme të individëve mbizotërohen nga depozitat me afat, ndërsa depozitat e tregtarëve dhe shoqërive tregtare janë të përqendruara tek llogaritë rrjedhëse. Në përputhje me ecurinë e depozitave të sigurueshme, edhe fondi i sigurimit të depozitave ka shënuar rritje gjatë vitit të kaluar. Burimi i financimit të fondit të sigurimit gjatë vitit të kaluar, siç parashikon ligji në situata normale, ishin pagesat e primit të sigurimit nga bankat dhe shkk-të, dhe administrimi i mjeteve financiare nga ASD-ja.

Pas diskutimit të çështjeve të mësipërme, drejtuesit e institucioneve vlerësuan pozitivisht zhvillimet në sistemin financiar, në tregjet financiare dhe në kuadrin rregullativ përkatës, duke konfirmuar qëndrueshmërinë e sistemit financiar. Ata theksuan rëndësinë e monitorimit të zhvillimeve financiare dhe të përgatitjes së përmirësimeve të mëtejshme ligjore e rregullative, për të trajtuar problemet përkatëse dhe për të përshpejtuar përafrimin me standardet më të mira në fushat respektive. 

Në pjesën tjetër të mbledhjes, të pranishmit diskutuan mbi çështje të tjera me interes të përbashkët, që mund të diskutohen më hollësisht në mbledhjet e ardhshme të GKSF-së.

Me mbylljen e diskutimeve në mbledhje sipas programit, drejtuesit e institucioneve pjesëmarrëse miratuan këtë njoftim për shtyp dhe autorizuan publikimin e tij.

Scroll to Top