Z. Shkëlzen Margjeka

Shkëlzen Margjeka, auditues ligjor është anëtar i Institutit të Ekspertëve Kontabël të Autorizuar që nga viti 2008, partner anagzhimi dhe administrator i shoqërisë audituese “ACA MARGJEKA” shpk si dhe anëtar i Këshillit Drejtues të ASD.
Shkëlzen Margjeka ka qënë anëtar i Këshillit Drejtues të Institutit të Ekspertëve Kontabël të Autorizuar për përiudhën 2012-2021 si dhe Kryetar i Komitetit të Investigimit dhe Disiplinës të IEKA-s. Në vitin 1995-1999  ka qënë kryetar i Union e Pavarur Studentor Shqiptar.
Shkëlzen Margjeka ka mbaruar Fakultetin Ekonomik, Dega Finance-Kontabilitet në vitin 1998, ka mbaruar kursin pasuniversitar Financë-Bankë, Fakulteti – Ekonomik, Universiteti i Tiranës, viti 2000-2001 si dhe në vitin 2012-2014 ka mbaruar Master Shkencor në Finance-Banke, Universiteti Europian i Tiranës. Ai ka kryer kualifikime profesionale në vazhdimësi nga eksperte vendas dhe të huaj.
Shkëlzen Margjeka që nga viti 2000 e në vazhdim ka punuar si drejtor finance  në kompani sigurimi, kompani vendase dhe të huaja, ka dhënë konsulence financiare dhe fiskale,  ka ofruar shërbime në auditim-kontabilitet, ka bërë monitorime dhe kontrolle financiare  pranë KQZ, si dhe ka kryer akt-ekspertime në gjykatë dhe prokurori.

Znj. Vasilika Vjero

Zj.Vasilika Vjero ka lindur në qytetin e Tiranës në vitin 1976.
Zj.Vjero është diplomuar në Universiteti i Tiranës,  Fakulteti i Ekonomisë, në degën  Administrim Biznesi në vitin 1998. Në vitin 2003 përfundon një master nga Universiteti i Nebraskës, Lincoln USA, programi Master në Administrimin Publik në bashkëpunim me Universitetin e Tiranës, Fakulteti i Ekonomisë. Ajo gjithashtu është trajnuar lidhur me çështje të rritjes ekonomike nga Harvard Kennedy School.
Zj.Vjero ka mbajtur poste të larta drejtuese si, Drejtori i Përgjithshëm i Tatimeve, Drejtor i Përgjithshëm i Qendrës Kombëtare të Biznesit, Drejtor i Përgjithshëm i Autoritetit Rrugor Shqiptar.  Në karrierën e saj  numëron më shumë se 10 vite eksperiencë pune për Bashkinë e Tiranës në menaxhimin e Administratës Tatimore dhe Departamentit të Planifikimit Strategjik dhe buxheteve vendore, si dhe nje sërë eksperiencash si ekspert financiar me donatorë të huaj. Po ashtu ka shërbyer si ekspert i pavarur fiskal dhe buxhetor për qeverisjen lokale në Shqipëri për një total prej 24  bashkish dhe komunash në të gjithë vendin.
Zj.Vjero zotëron gjuhën angleze dhe atë italiane.

Z. Genci Mamani

Genci Mamani është Drejtor i Përgjithshëm i Agjencisë së Sigurimit të Depozitave dhe njëkohësisht anëtar i Këshillit Drejtues të saj.
Z. Mamani, ka mbaruar studimet në vitin 1991 pranë Universitetit të Tiranës, Fakulteti i Ekonomisë, Dega Financë.
Në vitin 2001 kreu studimet pasuniversitare pranë Universitetit Wisconsin – La Cross për financë – bankë. Në vitin 2012 ka kryer studimet pasuniversitare në nivelin master për Administrim Biznesi pranë International Hellenic University, në Selanik, Greqi.
Karrierën e tij Z. Mamani e ka nisur në vitin 1991 si ekonomist në Bankën e Shtetit. Më pas ka punuar pranë Bankës FEFAD (sot ProCredit Bank), Bankën Italo – Shqiptare  dhe më tej pranë Bankës së Shqipërisë deri në vitin 2015 duke mbajtur poste drejtuese në këto institucione.  Në korrik të vitit 2015 ai mori detyrën e Drejtorit të Agjencisë së Sigurimit të Depozitave.
Zoti Mamani zotëron gjuhët anglisht dhe italisht.

Z. Donald Duraj

Z. Donald Duraj është emëruar në detyrën e Kryetarit të Këshillit Drejtues të Agjencisë së Sigurimit të Depozitave në vitin 2015. Z. Donald Duraj ka një karrierë progresiste më shumë se 10-vjecare në sistemin bankar, pjesë integrale e së cilës kanë qenë pjesëmarrja mjaft aktive dhe arritjet e suksesshme brenda institucioneve të ndryshme prestigjioze financiare lokale dhe atyre në rrjetin ndërkombëtar si në Austri, Poloni, Sllovaki, Ukrainë e Bjellorusi. Që prej vitit 2015 Z. Duraj mban detyrën e Shefit të Kabinetit të Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë me përgjegjësi këshillimi, asistimi, raportimi dhe koordinimi për të gjitha çështjet e lidhura me mbarëvajtjen dhe mirëfunksionimin e Kabinetit por dhe të departamenteve të tjera të Bankës së Shqipërisë. Nga viti 2010 e deri në vitin 2015 Përgjegjës i Sektorit të Organizimit Komercial dhe Zhvillimit të Tregut në Bankën Societe Generale Albania duke luajtur një rol kryesor drejtimin strategjik, planifikimin afat-shkurtër dhe afat-gjatë, përcaktimin e objektivave kryesore, koordinimin e marrëdhënieve ndër-divizionale dhe ndër-institucionale, në nivel lokal dhe ndërkombëtar, me kompani publike dhe private, etj. Gjatë kësaj periudhe Z. Duraj ka drejtuar me sukses të paktën 15 projekte, ndër më të rëndësishmit për Bankën, dhe me një ndikim të drejtpërdrejtë në zgjerimin e aktivitetit në tregun lokal dhe në rritjen e përfitueshmërisë. Z. Duraj ka punuar nga viti 2005 deri në vitin 2010 në Raiffeisen Bank Albania dhe Raiffeisen Intenational Austria duke mbuluar pozicione kyçe të karakterit operacional dhe strategjik. Më të rëndësishmet prej tyre janë si Përgjegjës i Segmentit të Individëve, Përgjegjës i Produkteve i Kredisë Konsumatore, Drejtues i Projekteve në Programin “Retail Leadership” pranë Raiffeisen Intenational Austria, etj. Z. Duraj ka përfunduar studimet e larta në Fakultetin Ekonomik, Dega Financë – Profili Bankë, pranë Universitetit të Tiranës.

12/03/2019

Njoftim mbi projektin e vetëvlerësimit të skemës së sigurimit të depozitave me Parimet Themelore për skema efektive të sigurimit të depozitave të IADI-t

Agjencia e Sigurimit të Depozitave, bazuar në rekomandimin e lënë nga Kuvendi i Republikës së Shqipërisë dhe në përputhje me iniciativat e parashikuara në Planin Strategjik për vitet 2018-2020, ndërmori projektin për vlerësimin e skemës së sigurimit të depozitave dhe treguesve të saj në periudhën 9-17 shtator 2019. Për të realizuar këtë proces vetëvlerësimi, të zhvilluar më parë në vitin 2011 dhe 2013, Agjencia kërkoi mbështetjen e FSVC (Financial Services Volunteer Corps), me financim të USAID, për të siguruar ekspertizën teknike me qëllim garantimin e mbështetjes profesionale, të objektivitetit dhe paanshmërisë në këtë proces. Dy ekspertët e FSVC-së që u angazhuan në këtë projekt ishin Znj. Claire Mcguire, në cilësinë e vlerësueses si eksperte e Bankës Botërore, si dhe Z. Vijay Deshpande, në cilësinë e vlerësuesit si ekspert i IADI.

Ky projekt është i një rëndësie thelbësore për Agjencinë duke marrë parasysh se rezultatet e tij do të përcaktojnë stadin aktual në të cilin operon institucioni si dhe drejtimet kryesore strategjike që duhet të ndërmerren me qëllim që të sigurohet përputhshmëri maksimale me standardet e praktikat më të mira në fushën e sigurimit të depozitave. Arritja e kësaj përputhshmërie garanton se Agjencia dhe stafi i saj do të realizojnë me sukses objektivat publikë të skemës duke përmbushur mandatin ligjor. Gjatë procesit të vetëvlerësimit ekspertët zhvilluan takime intensive me stafin e Agjencisë për diskutimin e ecurisë së skemës në raport me parimet bazë, si dhe zhvilluan takime me përfaqësues të departamenteve kryesore të Bankës së Shqipërisë, përfaqësues të Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë, si dhe të Shoqatës Shqiptare të Bankave.

Parimet Bazë për një sistem efektiv të sigurimit të depozitave (Core Principles for Effective Deposit Insurance Systems) u krijuan në vitin 2009, nga Komiteti i Bazelit për Mbikëqyrjen Bankare dhe Shoqata Ndërkombëtare e Siguruesve të Depozitave (International Association of Deposit Insurers – IADI) duke përcaktuar një standard të rëndësishëm në ngritjen dhe reformimin e sistemeve të sigurimit të depozitave. Duke qenë se janë pjesë e Standardeve Kyçe të FSB (Financial Stability Board) për Sisteme të Shëndosha Financiare dhe përdoren gjerësisht nga FMN dhe Banka Botërore në Programet e Vlerësimit të Sektorit Financiar, Parimet Bazë të IADI-t përdoren nga autoritetet financiare për të vlerësuar gjendjen e sistemit financiar. Një vlerësim gjithëpërfshirës dhe i besueshëm i sistemit të sigurimit të depozitave kundrejt Parimeve Bazë identifikon pikat e forta dhe të dobëta të një skeme sigurimi depozitash dhe i orienton autoritetet vendimmarrëse drejt masave ligjore përmirësuese.

Edhe pse Parimet Bazë kanë ndryshuar dhe janë përditësuar si pasojë e zhvillimeve në ambientin global financiar shkallët e vlerësimit të tyre kanë mbetur të njëjta, si vijon: 1. Compliant – Përputhshmëri e plotë; 2. Largely Compliant – Përgjithësisht e përputhshme; 3. Materially non-compliant – Materialisht e papërputhshme; 4. Non – compliant – E papërputhshme; 5. Not applicable – E pazbatueshme. Në vlerësimin e fundit të kryer në vitin 2013, si pjesë e Programit të Vlerësimit të Sektorit Financiar në Shqipëri (FSAP), me ekspertizën teknike të Bankës Botërore, Agjencia është vlerësuar me përputhshmëri të plotë me 3 parime bazë, përgjithësisht e përputhshme për 6 parime bazë, dhe materialisht e papërputhshme për 4 parime.

Në përfundim të procesit të këtij viti, ekspertët dërguan raportin e vlerësimit me konkluzionet dhe rekomandimet përkatëse. Në këtë raport, lidhur me 16 parimet bazë të IADI, Agjencia është vlerësuar me nivelin maksimal të përputhshmërisë për 7 parime, me nivelin përgjithësisht të përputhshme me 8 parime, dhe me materialisht jo të përputhshme për një parim, i cili ka të bëjë me menaxhimin e integruar të krizave financiare. Sipas raportit të vlerësimit, vërehet se Agjencia ka një përparim të ndjeshëm në nivelin e përputhshmërisë me parimet bazë për skema efektive të sigurimit të depozitave. Ky progres dëshmohet edhe me çmimin “Përmirësimet e Sistemit të Sigurimit të Depozitave” që Agjencisë ju dha në vitin 2016 nga Shoqata Ndërkombëtare të Siguruesve të Depozitave (IADI).

Megjithatë, pavarësisht vlerësimeve pozitive, ASD mbetet e angazhuar që edhe në vijim të ruajë standardet e arritura si dhe të përmirësohet në fushat e evidentuara në raportin e vlerësimit dhe sipas rekomandimeve të ekspertëve, në drejtim të adoptimit dhe zbatimit të praktikave dhe standardeve më të mira të sigurimit të depozitave dhe realizimit të objektivave publikë të skemës.

Scroll to Top