Mbledhja e Këshillit Drejtues të Agjencisë së Sigurimit të Depozitave e datës 31 Mars 2023

Publikuar më: 04-04-2023


Në mbledhjen e datës 31 Mars 2023, Këshilli Drejtues i Agjencisë së Sigurimit të Depozitave, mori në shqyrtim dhe vendosi:

  • Mbi miratimin e Raportit mbi Realizimin e Buxhetit të Agjencisë së Sigurimit të Depozitave për vitin e mbyllur më 31 dhjetor 2022.

Në mbështetje të nenit 52 pika 1, shkronja “l”, nenit 53, pika 5, shkronja “ë” të ligjit nr.53/2014, datë 22.05.2014 “Për sigurimin e depozitave”, i ndryshuar, të nenit 6, pika 2, shkronja “d”, dhe nenit 8, pika 2, shkronja “m” të Statutit të Agjencisë së Sigurimit të Depozitave, Këshilli Drejtues miratoi Raportin e Realizimit të Buxhetit të Agjencisë së Sigurimit të Depozitave për vitin e mbyllur më 31 dhjetor 2022.

  • Mbi miratimin e Raportit për Veprimtarinë Investuese të Fondit të Ndërhyrjes së Jashtëzakonshme për vitin 2022.

Në bazë dhe për zbatim të nenit 71 pika 2, të nenit 73, pikat 1, 2 dhe 3, dhe të nenit 79, pika 5 të ligjit nr. 133/2016, datë 22.12.2016 “Për rimëkëmbjen dhe ndërhyrjen e jashtëzakonshme në banka në Republikën e Shqipërisë”, të nenit 18, pika 1 të Rregullores “Për Fondin e ndërhyrjes së jashtëzakonshme dhe procedurat për administrimin e tij”, të miratuar me Vendim të Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë nr. 56, datë 3.10.2017, të ndryshuar, të nenit 6, pika 2, shkronja “g”, të nenit 7, pika 6 dhe të nenit 8, pika 2, shkronja “l” të Statutit të Agjencisë së Sigurimit të Depozitave, të miratuar me vendimin e Këshillit Drejtues nr 24, datë 31.10.2018, Këshilli Drejtues miratoi raportin mbi veprimtarinë vjetore të investimit të mjeteve financiare të Fondit të Ndërhyrjes së Jashtëzakonshme për vitin 2022. Përmbajtja e plotë e këtij Raporti do të publikohet në faqen e internetit të Agjencisë së Sigurimit të Depozitave, në seksionin përkatës të Raportit Vjetor për vitin 2021.

  • Mbi miratimin e “Raportit të bashkimit të operatorëve ekonomikë “Deloitte Audit Albania” sh.p.k. dhe “Deloitte Albania” sh.p.k. për auditimin e brendshëm të Sektorit të Teknologjisë së Informacionit, për periudhën 1 Janar 2022 – 31 dhjetor 2022”.

Këshilli Drejtues shqyrtoi dhe miratoi raportin e auditimit të brendshëm të veprimtarisë të Sektorit të Teknologjisë së Informacionit për periudhën përkatëse. Shërbimi i auditit të brendshëm në Agjencinë e Sigurimit të Depozitave kryhet nga bashkimi i operatorëve ekonomikë “Deloitte Audit Albania” sh.p.k. dhe “Deloitte Albania” sh.p.k. në përputhje me Standardet Ndërkombëtare për Praktikën Profesionale të Auditimit të Brendshëm (IPPF).

  • Për dhënien e autorizimit paraprak Drejtorit të Përgjithshëm, për fillimin e negociatave dhe hartimin e projekt-marrëveshjes së linjës së kredisë në gatishmëri, ndërmjet Agjencisë së Sigurimit të Depozitave dhe Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH), për përmbushjen e detyrimeve ligjore të Agjencisë, në rast të një ngjarjeje sigurimi.

Në bazë dhe për zbatim të nenit 43, pika 1, shkronja “n”, neni 52, pika 1, shkronja “nj” dhe pika 2, të nenit 53, pika 6, shkronja “b”, të nenit 58, pika 1, shkronja “c”, të nenit 60 të ligjit nr. 53/2014, datë 22.05.2014 “Për sigurimin e depozitave”, të ndryshuar, të nenit 8, pika 2, shkronja “b” dhe shkronja “r”, pika “i” dhe pika “iv” të Statutit të Agjencisë të miratuar me Vendimin e Këshillit Drejtues nr. 24, datë 31.10.2018, të nenit 5, pika 2, shkronja “b” të rregullores të Këshillit Drejtues nr. 20, datë 25.09.2017 “Për nënshkrimet e autorizuara në Agjencinë e Sigurimit të Depozitave”, të nenit 18, pika 2 të rregullores të Këshillit Drejtues nr. 29, datë 03.11.2014 “Për rregullat dhe procedurat e funksionimit të mbledhjeve të Këshillit Drejtues të Agjencisë së Sigurimit të Depozitave”, Këshilli Drejtues miratoi dhënien e autorizimit paraprak Drejtorit të Përgjithshëm, për fillimin e negociatave dhe hartimin e projektmarrëveshjes së linjës së kredisë në gatishmëri, ndërmjet Agjencisë së Sigurimit të Depozitave dhe Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH), për përmbushjen e detyrimeve ligjore të Agjencisë, në rast të një ngjarjeje sigurimi.

Agjencia e Sigurimit të Depozitave, në bashkëpunim dhe koordinim të vazhdueshëm me autoritetet rregullatore dhe mbikëqyrëse të sistemit financiar në Shqipëri, vlerëson se tensionet gjeopolitike, rritja e inflacionit, sulmet kibernetike, etj, e gjetën sistemin bankar shqiptar likuid dhe të mirëkapitalizuar. Gjithsesi, me qëllim garantimin e mekanizmave mbrojtës për çdo situatë, Agjencia çmon si të nevojshme sigurimin e një linje kredie në gatishmëri (stand-by), e cila do të jetë një instrument që do të shërbejë për të rritur kapacitetin e Agjencisë së Sigurimit të Depozitave në përmbushjen e detyrimit të saj ligjor, mbrojtjen dhe garantimin e depozitave të siguruara. Aktualisht Agjencia ka një marrëveshje huaje me Bankën Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, e cila përfundon në 11 qershor 2023. Linja e mëparshme me BERZH përfundoi më 16 Korrik 2019, sipas përfundimit të afatit të saj kontraktual.

Këshilli Drejtues shqyrtoi dhe informacione e materiale të tjera në funksion të mbarëvajtjes së veprimtarisë funksionale dhe operacionale të Agjencisë së Sigurimit të Depozitave.