Mbledhja e Këshillit Drejtues të Agjencisë së Sigurimit të Depozitave e datës 30 Prill 2020

Publikuar më: 08-05-2020


Në datën 30 Prill 2020 Këshilli Drejtues i Agjencisë së Sigurimit të Depozitave zhvilloi mbledhjen e radhës. Në këtë mbledhje, e cila u zhvillua përmes platformave elektonike online, Këshilli Drejtues mori në shqyrtim dhe vendosi:

  • Mbi miratimin e Pasqyrave Financiare të Agjencisë së Sigurimit të Depozitave për tremujorin e parë të mbyllur më 31 Mars 2020.

Këshilli Drejtues bazuar në nenin 52 pika 1, shkronja “l”, nenit 53, pika 5, shkronja “ë” dhe nenit 62, pika 1 dhe 2 të ligjit nr. 53/2014, datë 22.05.2014 “Për sigurimin e depozitave” i ndryshuar, dhe të nenit 8, pika 2, shkronja “l” të Statutit të Agjencisë së Sigurimit të Depozitave miratoi Pasqyrat Financiare të Agjencisë së Sigurimit të Depozitave për tremujorin e parë të mbyllur më 31 Mars 2020. Këto Pasqyra janë përgatitur në përputhje me Standardet Ndërkombëtare të Raportimit Financiar (“SNRF-të”).

  • Mbi miratimin e Pasqyrave Financiare të Fondit të Ndërhyrjes së Jashtëzakonshme për tremujorin e parë të mbyllur më 31 Mars 2020.

Bazuar në nenin 71 pika 2, të nenit 73, pika 1, dhe të nenit 79, pika 1, 2 dhe 3 të ligjit nr. 133/2016, datë 22.12.2016 “Për rimëkëmbjen dhe ndërhyrjen e jashtëzakonshme në banka, në Republikën e Shqipërisë”, të nenit 15, pika 5 të Vendimit nr. 56, datë 3.10.2017 të Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë “Për miratimin e Rregullores “Për fondin e ndërhyrjes së jashtëzakonshme dhe procedurat për administrimin e tij”, Këshilli Drejtues miratoi Pasqyrat Financiare të Fondit të Ndërhyrjes së Jashtëzakonshme për tremujorin e mbyllur 31 mars 2020. Këto Pasqyra janë përgatitur në përputhje me Standardet Ndërkombëtare të Raportimit Financiar (“SNRF-të”)

  • Mbi caktimin e shoqërisë “PricewaterhouseCoopers Audit sh.p.k.” si auditues i brendshëm i Agjencisë së Sigurimit të Depozitave për vitin financiar 2020.

Në zbatim të nenit 52, pika 1, shkronja “j”, të nenit 63, pika 2 të ligjit nr. 53/2014, datë 22.05.2014 “Për sigurimin e depozitave” i ndryshuar, të nenit 7 pika 6, të nenit 18, pika 1 dhe pika 2 të Statutit të Agjencisë të miratuar me Vendim të Këshillit Drejtues nr. 24, datë 31.10.2018, Këshilli Drejtues i Agjencisë miratoi shoqërinë “PricewaterhouseCoopers Audit sh.p.k.” si auditues i brendshëm i Agjencisë së Sigurimit të Depozitave për vitin financiar 2020.

  • Për miratimin e “Rregullores për Kartën e Auditimit të brendshëm në Agjencinë e Sigurimit të Depozitave”.

Këshilli Drejtues miratoi Rregulloren për Kartën e Auditimit të brendshëm në Agjencinë e Sigurimit të Depozitave. Kjo vendimmarrje u krye bazuar në nenin 52, pika 1, shkronja “a” dhe shkronja “dh”, të nenit 63, pika 2 të ligjit nr. 53/2014 datë 22.05.2014 “Për sigurimin e depozitave” i ndryshuar; të nenit 14, shkronja “b”, të nenit 12, shkronja “c” të ligjit nr. 114/2015, datë 22.10.2015 “Për auditimin e brendshëm në sektorin publik”, të nenit 7 pika 4 dhe pika 6, të nenit 18 të Statutit të Agjencisë. Auditimi i brendshëm përfaqëson një nga funksionet më të rëndësishme në veprimtarinë e Agjencisë. Ai është një element thelbësor, i cili siguron organet drejtuese dhe vendimmarrëse të Agjencisë, se të gjitha veprimet, procedurat dhe operacionet e njësive organizative dhe subjekteve të tjera të përfshira në veprimtarinë e saj, mbulohen me auditim dhe janë në përputhje të plotë me aktet ligjore dhe nënligjore në fuqi, për këtë qëllim.

Këshilli Drejtues shqyrtoi dhe informacione e materiale të tjera në funksion të mbarëvajtjes së veprimtarisë funksionale dhe operacionale të Agjencisë së Sigurimit të Depozitave.