Mbledhja e Këshillit Drejtues të Agjencisë së Sigurimit të Depozitave e datës 30 Korrik 2020

Publikuar më: 31-07-2020


Në datën 30 Korrik 2020 Këshilli Drejtues i Agjencisë së Sigurimit të Depozitave zhvilloi mbledhjen e radhës. Në këtë mbledhje, e cila u zhvillua përmes platformave elektonike online, Këshilli Drejtues mori në shqyrtim dhe vendosi:

  • Mbi miratimin e Pasqyrave Financiare të Agjencisë së Sigurimit të Depozitave për tremujorin e dytë të mbyllur më 30 Qershor 2020.

Këshilli Drejtues bazuar në nenin 52 pika 1, shkronja “l”, nenit 53, pika 5, shkronja “ë” dhe nenit 62, pika 1 dhe 2 të ligjit nr. 53/2014, datë 22.05.2014 “Për sigurimin e depozitave” i ndryshuar, dhe të nenit 8, pika 2, shkronja “l” të Statutit të Agjencisë së Sigurimit të Depozitave miratoi Pasqyrat Financiare të Agjencisë së Sigurimit të Depozitave për tremujorin e dytë të mbyllur më 30 Qershor 2020. Këto Pasqyra janë përgatitur në përputhje me Standardet Ndërkombëtare të Raportimit Financiar (“SNRF-të”).

  • Mbi miratimin e Pasqyrave Financiare të Fondit të Ndërhyrjes së Jashtëzakonshme për tremujorin e dytë të mbyllur më 30 Qershor 2020.

Bazuar në nenin 71 pika 2, të nenit 73, pika 1, dhe të nenit 79, pika 1, 2 dhe 3 të ligjit nr. 133/2016, datë 22.12.2016 “Për rimëkëmbjen dhe ndërhyrjen e jashtëzakonshme në banka, në Republikën e Shqipërisë”, të nenit 15, pika 5 të Vendimit nr. 56, datë 3.10.2017 të Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë “Për miratimin e Rregullores “Për fondin e ndërhyrjes së jashtëzakonshme dhe procedurat për administrimin e tij”, Këshilli Drejtues miratoi Pasqyrat Financiare të Fondit të Ndërhyrjes së Jashtëzakonshme për tremujorin e dytë të mbyllur më 30 Qershor 2020. Këto Pasqyra janë përgatitur në përputhje me Standardet Ndërkombëtare të Raportimit Financiar (“SNRF-të”).

  • Mbi dhënien e autorizimit paraprak Drejtorit të Përgjithshëm për fillimin e negociatave dhe hartimin e projektmarrëveshjes së linjës së kredisë në gatishmëri, ndërmjet Agjencisë së Sigurimit të Depozitave dhe Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH), për përmbushjen e detyrimeve ligjore të Agjencisë në rast të një ngjarje sigurimi.

Në bazë dhe për zbatim të nenit 43, pika 1, shkronja “n”, neni 52, pika 1, shkronja “nj” dhe pika 2, të nenit 53, pika 6, shkronja “b”, të nenit 58, pika 1, shkronja “c”, të nenit 60 të ligjit nr. 53/2014, datë 22.05.2014 “Për sigurimin e depozitave”, të ndryshuar, të nenit 8, pika 2, shkronja “b” dhe shkronja “r”, pika “i” dhe pika “iv” të Statutit të Agjencisë të miratuar me Vendimin e Këshillit Drejtues nr. 24, datë 31.10.2018, të nenit 5, pika 2, shkronja “b” të rregullores të Këshillit Drejtues nr. 20, datë 25.09.2017 “Për nënshkrimet e autorizuara në Agjencinë e Sigurimit të Depozitave”, të nenit 18, pika 2 të rregullores të Këshillit Drejtues nr. 29, datë 03.11.2014 “Për rregullat dhe procedurat e funksionimit të mbledhjeve të Këshillit Drejtues të Agjencisë së Sigurimit të Depozitave”, Këshilli Drejtues miratoi dhënien e autorizimit paraprak Drejtorit të Përgjithshëm, për fillimin e negociatave dhe hartimin e projektmarrëveshjes së linjës së kredisë në gatishmëri, ndërmjet Agjencisë së Sigurimit të Depozitave dhe Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH), për përmbushjen e detyrimeve ligjore të Agjencisë, në rast të një ngjarjeje sigurimi. Agjencia e Sigurimit të Depozitave, në bashkëpunim dhe koordinim të vazhdueshëm me autoritetet rregullatore dhe mbikqyrëse të sistemit financiar në Shqipëri, vlerëson se pandemia e COVID-19 e gjeti sistemin bankar shqiptar likuid dhe të mirëkapitalizuar. Gjithsesi, me qëllim garantimin e mekanizmave mbrojtës për çdo situatë, Agjencia çmon si të nevojshme sigurimin e një linje kredie në gatishmëri (stand-by), e cila do të jetë një instrument që do të shërbejë për të rritur kapacitetin e Agjencisë së Sigurimit të Depozitave në përmbushjen e detyrimit të saj ligjor, mbrojtjen dhe garantimin e depozitave të siguruara. Kjo marrëdhënie me BERZH është e dyta në llojn e saj, dhe pason linjën e parë të kredisë në gatishmëri të akorduar nga ky institucion financiar ndërkombëtar për Agjencinë, e cila u maturua në muajin Korrik të vitit 2019.

Këshilli Drejtues shqyrtoi dhe informacione e materiale të tjera në funksion të mbarëvajtjes së veprimtarisë funksionale dhe operacionale të Agjencisë së Sigurimit të Depozitave.