Mbledhja e Këshillit Drejtues të Agjencisë së Sigurimit të Depozitave e datës 28 Mars 2022

Publikuar më: 29-03-2022


Në datën 28 Mars 2022 Këshilli Drejtues i Agjencisë së Sigurimit të Depozitave zhvilloi mbledhjen e radhës. Në këtë mbledhje Këshilli Drejtues mori në shqyrtim dhe vendosi:

  • Mbi miratimin e Raportit Vjetor të Agjencisë së Sigurimit të Depozitave për vitin 2020.

Në mbështetje të nenit 7, të nenit 52 pika 1, shkronja (l) dhe të nenit 53, pika 5, shkronja (ë) të ligjit nr. 53/2014, datë 22.05.2014 “Për sigurimin e depozitave” i ndryshuar, të nenit 7, pika 6, të nenit 8, pika 2, shkronja “d” të Statutit të Agjencisë së Sigurimit të Depozitave, të miratuar me Vendim të Këshillit Drejtues nr. 24, datë 31.10.2018, Këshilli Drejtues miratoi Raportin Vjetor për veprimtarinë e Agjencisë për vitin 2021. Ai përbën dokumentin më të rëndësishëm që, në mënyrë transparente, informon Kuvendin, Ministrinë e Financave, Bankën e Shqipërisë në cilësinë e Autoritetit Mbikëqyrës si dhe publikun mbi veprimtarinë e Agjencisë së Sigurimit të Depozitave.

Raporti, ndër të tjera, pasqyron:

  • Adresimin e rekomandimeve të Rezolutës së Kuvendit të Republikës së Shqipërisë.
  • Gjendjen dhe ecurinë e depozitave në sistemin financiar gjatë vitit në raportim;
  • Mbarëvajtjen e fondeve të administruara nga Agjencia;
  • Projektet dhe iniciativat kryesore të Agjencisë në funksion të stabilitetit financiar dhe zhvillimit të kapaciteteve profesionale;
  • Raportet financiare, etj.

Raporti Vjetor për aktivitetin e Agjencisë në vitin 2021 do të publikohet në rubrikën përkatëse në faqen zyrtare të internetit të Agjencisë së Sigurimit të Depozitave.

  • Mbi miratimin e Raportit mbi Realizimin e Buxhetit të Agjencisë së Sigurimit të Depozitave për vitin e mbyllur më 31 dhjetor 2021.

Në mbështetje të nenit 52 pika 1, shkronja “l”, nenit 53, pika 5, shkronja “ë” të ligjit nr.53/2014, datë 22.05.2014 “Për sigurimin e depozitave”, i ndryshuar, të nenit 6, pika 2, shkronja “d”, dhe nenit 8, pika 2, shkronja “m” të Statutit të Agjencisë së Sigurimit të Depozitave, Këshilli Drejtues miratoi Raportin e Realizimit të Buxhetit të Agjencisë së Sigurimit të Depozitave për vitin e mbyllur më 31 dhjetor 2021.

  • Mbi miratimin e Raportit për Veprimtarinë Investuese të Fondit të Ndërhyrjes së Jashtëzakonshme për vitin 2021.

Në bazë dhe për zbatim të nenit 71 pika 2, të nenit 73, pikat 1, 2 dhe 3, dhe të nenit 79, pika 5 të ligjit nr. 133/2016, datë 22.12.2016 “Për rimëkëmbjen dhe ndërhyrjen e jashtëzakonshme në banka në Republikën e Shqipërisë”, të nenit 18, pika 1 të Rregullores “Për Fondin e ndërhyrjes së jashtëzakonshme dhe procedurat për administrimin e tij”, të miratuar me Vendim të Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë nr. 56, datë 3.10.2017, të ndryshuar, të nenit 6, pika 2, shkronja “g”, të nenit 7, pika 6 dhe të nenit 8, pika 2, shkronja “l” të Statutit të Agjencisë së Sigurimit të Depozitave, të miratuar me vendimin e Këshillit Drejtues nr 24, datë 31.10.2018, Këshilli Drejtues miratoi raportin mbi veprimtarinë vjetore të investimit të mjeteve financiare të Fondit të Ndërhyrjes së Jashtëzakonshme.

Përmbajtja e plotë e këtij Raporti do të publikohet në faqen e internetit të Agjencisë së Sigurimit të Depozitave, në seksionin përkatës të Raportit Vjetor për vitin 2021.

Këshilli Drejtues shqyrtoi dhe informacione e materiale të tjera në funksion të mbarëvajtjes së veprimtarisë funksionale dhe operacionale të Agjencisë së Sigurimit të Depozitave.