Mbledhja e Këshillit Drejtues të Agjencisë së Sigurimit të Depozitave e datës 28 Mars 2019

Publikuar më: 28-03-2019


Në mbledhjen e datës 28 Mars 2019, Këshilli Drejtues i Agjencisë së Sigurimit të Depozitave, mori në shqyrtim dhe vendosi:

  • Mbi miratimin e Raportit për veprimtarinë investuese të Fondit të Ndërhyrjes së Jashtëzakonshme për vitin 2018.

Në zbatim të nenit 79 pika 5 e ligjit nr. 133, datë 22.12.2016 “Për Rimëkëmbjen dhe Ndërhyrjen e Jashtëzakonshme në Banka, në Republikën e Shqipërisë, vendimit të Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë Nr.56, datë 03.10.2017 për miratimin e rregullores “Për Fondin e Ndërhyrjes së Jashtëzakonshme dhe proçedurat për administrimin e tij”, dokumentit “Politika e administrimit të mjeteve financiare të Fondit të Ndërhyrjes së Jashtëzakonshme”, Këshilli Drejtues shqyrtoi dhe miratoi raportin mbi veprimtarinë vjetore të investimit të mjeteve financiare të Fondit të Ndërhyrjes së Jashtëzakonshme. Ky raport pasqyron aktivitetin e investues të kryer nga Agjencia e Sigurimit të Depozitave, përgjatë vitit 2018, në rolin e administratores së Fondit të Ndërhyrjes së Jashtëzakonshme duke përshtatur investimet sipas maturiteteve të përshkallëzuara.

Përmbajtja e plotë e këtij Raporti do të publikohet në faqen e internetit të Agjencisë së Sigurimit të Depozitave.

  • Mbi miratimin e Raporteve të Auditit të Brendshëm të disa sektorëve në Agjencinë e Sigurimit të Depozitave për vitin 2018.

Këshilli Drejtues shqyrtoi dhe miratoi raportet e auditimit të brendshëm të veprimtarisë së Sektorit të Sigurimit dhe Kompensimit të Depozitave, Sektorit të Teknologjisë së Informacionit dhe Sektorit të Administratës dhe Burimeve Njerëzore përgjatë vitit 2018. Shërbimi i auditit të brendshëm në Agjencinë e Sigurimit të Depozitave kryhet nga kompania PricewaterhouseCoopers Audit sh.p.k. në përputhje me Standardet Ndërkombëtare për Praktikën Profesionale të Auditimit të Brendshëm (IPPF).

  •  Për miratimin e planit për auditimin e brendshëm të Agjencisë së Sigurimit të Depozitave për vitin financiar 2019.

Këshilli Drejtues shqyrtoi dhe miratoi planin për auditimin e brendshëm të Agjencisë së Sigurimit të Depozitave për vitin financiar 2019. Ky plan i prezantuar nga audituesi i brendshëm i Agjencisë, kompania PricewaterhouseCoopers Audit sh.p.k., përcakton njësitë e auditueshme të cilat do të bëjnë pjesë në fushën dhe objektin e auditimit të brendshëm të Agjencisë për vitin financiar që mbyllet më 31 dhjetor 2019. Njësitë e auditueshme, të cilat formojnë bazën e planit vjetor të auditimit të brendshëm, janë përcaktuar mbi bazën e objektivave afat-shkurtër të Agjencisë dhe vlerësimit të rrezikut.

Këshilli Drejtues shqyrtoi dhe miratoi informacione e materiale të tjera në funksion të mbarëvajtjes së veprimtarisë funksionale dhe operacionale të Agjencisë së Sigurimit të Depozitave.