Mbledhja e Këshillit Drejtues të Agjencisë së Sigurimit të Depozitave e datës 27 Nëntor 2019

Publikuar më: 27-11-2019


Në mbledhjen e datës 27 Nëntor 2019, Këshilli Drejtues i Agjencisë së Sigurimit të Depozitave, mori në shqyrtim dhe vendosi:

  • Mbi miratimin e Raportit për realizimin e Buxhetit të Agjencisë së Sigurimit të Depozitave për tre-mujorin e tretë të mbyllur më 30 Shtator 2019.

Në mbështetje dhe për zbatim të nenit 52 pika 1, shkronja “l”, të nenit 53, pika 5, shkronja “ë” të ligjit nr. 53/2014, datë 22.05.2014 “Për sigurimin e depozitave”, i ndryshuar, të nenit 6, pika 2, shkronja “d”, të nenit 8, pika 2, shkronja “m” të Statutit të Agjencisë të miratuar me Vendim të Këshillit Drejtues nr. 24, datë 31.10.2018, të nenit 18, pika 2 të vendimit të Këshillit Drejtues nr. 29, datë 03.11.2014 “Për rregullat dhe procedurat e funksionimit të mbledhjeve të Këshillit Drejtues të Agjencisë së Sigurimit të Depozitave”, Këshilli Drejtues i Agjencisë së Sigurimit të Depozitave shqyrtoi dhe miratoi Raportin e Realizimit të Buxhetit të Agjencisë së Sigurimit të Depozitave tre-mujorin e tretë të mbyllur më 30 Shtator 2019.

  • Informacion lidhur me institucionin që do të ofrojë shërbimin e ndërmjetësimit të titujve në valutë.   

Në vijim të miratimit dhe nënshkrimit të marrëveshjes së kujdestarisë me Raiffesen Bank International AG, Këshilli Drejtues u informua mbi procedurën për gjetjen e institucioneve me aktivitet ndërkombëtar që do të ofrojnë për Agjencinë shërbimin e ndërmjetësimit për titujt në monedhë të huaj. Këshilli u informua se në vijim të procedurave të përzgjedhjes dhe negocimit, u përzgjodh ERSTE Group Bank AG me të cilin u nënshkrua kontrata e ndërmjetësimit (brokerage agreement) e titujve në monedhë të huaj. ERSTE Group Bank AG është një grup bankar lider në Austri dhe operon me prezencë direkte në 6 shtete në Europën Qëndrore dhe Lindore. Ky Grup është një nga ofruesit më të mëdhenj të shërbimeve financiare në pjesën lindore të EU përsa i përket numrit të klientëve dhe totalit të aktiveve. Numri i klientëve është pothuajse 16.2 milion në Austri, Republikën Ceke, Sllovaki, Rumani, Hungari, Kroaci dhe Serbi. Grupi është i listuar në Bursën e Vjenës, Bursën e Pragës dhe të Bukureshtit. Vlerësimi “upper medium grade” (vlerësimi afatgjatë A2/A dhe outlook pozitiv/stable), dhënë për ERSTE Group Bank AG nga tre agjenci ndërkombëtare të specializuara vlerësimi, përbën një garanci për një shërbim të kualifikuar të ndërmjetësimit për titujt në monedhë të huaj të Agjencisë duke rezultuar në stabilitetin dhe rritjen e Fondeve të Sigurimit të Depozitave.

  • Informacion mbi projektin e vetëvlerësimit të skemës së sigurimit të depozitave me Parimet Themelore për skema efektive të sigurimit të depozitave të IADI-t.

Këshilli Drejtues shqyrtoi raportin e vlerësimit të skemës së sigurimit të depozitave kryer nga ekspertët e FSVC (Financial Services Volunteer Corps) në periudhën 9-17 shtator 2019. Ky projekt është i një rëndësie thelbësore për Agjencinë duke marrë parasysh se rezultatet e tij do të përcaktojnë stadin aktual në të cilin operon institucioni si dhe drejtimet kryesore strategjike që duhet të ndërmerren me qëllim që të sigurohet përputhshmëri maksimale me standardet e praktikat më të mira në fushën e sigurimit të depozitave. Në këtë raport, lidhur me 16 parimet bazë të IADI, Agjencia është vlerësuar në një nivel të lartë përputhshmërie me 15 prej tyre. Sipas raportit të vlerësimit, vërehet se Agjencia ka një përparim të ndjeshëm në nivelin e përputhshmërisë me parimet bazë për skema efektive të sigurimit të depozitave krahasuar me vlerësimin e vitit 2013 ndërmarrë nga Banka Botërore në kuadër të Programit të Vlerësimit të Sistemit Financiar (FSAP).

Këshilli Drejtues shqyrtoi dhe informacione e materiale të tjera në funksion të mbarëvajtjes së veprimtarisë funksionale dhe operacionale të Agjencisë së Sigurimit të Depozitave.