Mbledhja e Këshillit Drejtues të Agjencisë së Sigurimit të Depozitave e datës 26 Shkurt 2021

Publikuar më: 01-03-2021


Në mbledhjen e datës 26 Shkurt 2021, Këshilli Drejtues i Agjencisë së Sigurimit të Depozitave, mori në shqyrtim dhe vendosi:

  • Mbi miratimin e Raportit Vjetor të Agjencisë së Sigurimit të Depozitave për vitin 2020.

Në mbështetje të nenit 7, të nenit 52 pika 1, shkronja (l) dhe të nenit 53, pika 5, shkronja (ë) të ligjit nr. 53/2014, datë 22.05.2014 “Për sigurimin e depozitave” i ndryshuar, të nenit 7, pika 6, të nenit 8, pika 2, shkronja “d” të Statutit të Agjencisë së Sigurimit të Depozitave, të miratuar me Vendim të Këshillit Drejtues nr. 24, datë 31.10.2018, Këshilli Drejtues miratoi Raportin Vjetor për veprimtarinë e Agjencisë për vitin 2020. Ai përbën dokumentin më të rëndësishëm që, në mënyrë transparente, informon Kuvendin, Ministrinë e Financave, Bankën e Shqipërisë në cilësinë e Autoritetit Mbikëqyrës si dhe publikun mbi veprimtarinë e Agjencisë së Sigurimit të Depozitave.

Raporti, ndër të tjera, pasqyron:

  • Adresimin e rekomandimeve te Rezolutës së Kuvendit të Republikës së Shqipërisë.
  • Gjendjen dhe ecurinë e depozitave në sistemin financiar gjatë vitit në raportim;
  • Mbarëvajtjen e fondeve të administruara nga Agjencia;
  • Projektet dhe iniciativat kryesore të Agjencisë në funksion të stabilitetit financiar dhe zhvillimit të kapaciteteve profesionale;
  • Raportet financiare, etj.

Raporti Vjetor për aktivitetin e Agjencisë në vitin 2020 do të publikohet në seksionin përkatës në faqen zyrtare të internetit të Agjencisë së Sigurimit të Depozitave.

  • Mbi shqyrtimin dhe miratimin e Planit Strategjik të Agjencisë së Sigurimit të Depozitave për vitet 2021-2023.

Në mbështetje dhe në zbatim të nenit 52, pika 1, shkronja “dh” të ligjit nr. 53/2014, datë 22.05.2014 “Për sigurimin e depozitave”, i ndryshuar, të nenit 6, pika 2, shkronja “r”, të nenit 7 pika 6 të Statutit të Agjencisë, të miratuar me Vendim të Këshillit Drejtues nr. 24, datë 31.10.2018, Këshilli Drejtues i Agjencisë së Sigurimit të Depozitave shqyrtoi dhe miratoi Planin Strategjik të Agjencisë së Sigurimit të Depozitave për vitet 2021-2023. Ky Plan, i cili është një vijimësi e Planit Strategjik 2018-2020, përcakton prioritetet dhe iniciativat strategjike për periudhën afatshkurtër dhe afatmesme. Për trevjeçarin 2021-2023, prioritetet strategjikë të Agjencisë do të jenë: I. Rritja dhe forcimi i kapaciteteve operacionale, financiare, rregullative, njerëzore dhe infrastrukturore të Agjencisë për përmbushjen e objektivave institucionale, dhe II. Garantimi i vijueshmërisë së partneritetit strategjik.

Plani Strategjik 2021-2023 mund të konsultohet seksionin përkatës në faqen zyrtare të internetit të Agjencisë së Sigurimit të Depozitave.

  • Mbi miratimin e Pasqyrave Financiare të Agjencisë së Sigurimit të Depozitave për vitin e mbyllur më 31 dhjetor 2020.

Këshilli Drejtues bazuar në nenin 7, pika 2 dhe 3, nenin 52 pika 1, shkronja “l”, nenin 53, pika 5, shkronja “ë”, dhe nenin 62, pika 1 dhe pika 2 të ligjit nr. 53/2014, datë 22.05.2014 “Për sigurimin e depozitave”, i ndryshuar, nenin 6, pika 2, shkronja “c”, nenin 7, pika 6, në nenin 8, pika 2, shkronja “l” të Statutit të Agjencisë së Sigurimit të Depozitave, të miratuar me Vendim të Këshillit Drejtues nr. 24, datë 31.10.2018, në nenin 10, pika 6 dhe në nenin 18, pika 2 të vendimit të Këshillit Drejtues nr. 29, datë 03.11.2014 “Për rregullat dhe procedurat e funksionimit të mbledhjeve të Këshillit Drejtues të Agjencisë së Sigurimit të Depozitave”, miratoi Pasqyrat Financiare të Agjencisë së Sigurimit të Depozitave për vitin e mbyllur më 31 dhjetor 2020. Këto Pasqyra janë përgatitur në përputhje me Standardet Ndërkombëtare të Raportimit Financiar (“SNRF-të”).

  • Mbi miratimin e Pasqyrave Financiare të Fondit të Ndërhyrjes së Jashtëzakonshme për vitin e mbyllur më 31 dhjetor 2020.

Në zbatim të nenit 43, pika 1, shkronja “m/1” të ligjit nr. 53/2014 “Për sigurimin e depozitave” të ndryshuar, nenit 71, pika 2, të nenit 73, pika 1, dhe të nenit 79 të ligjit nr. 133/2016, datë 22.12.2016 “Për rimëkëmbjen dhe ndërhyrjen e jashtëzakonshme në banka, në Republikën e Shqipërisë”, të nenin 15, pika 1 dhe pika 5 dhe të nenit 18 pika 1 të Rregullores “Për Fondin e Ndërhyrjes së Jashtëzakonshme dhe procedurat për administrimin e tij”, të miratuar me Vendimi të Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë nr. 56, datë 3.10.2017, të ndryshuar, të nenit 6, pika 2, shkronja “c”, të nenit 7, pika 6, të nenit 8, pika 2, shkronja “l” të Statutit të Agjencisë, të miratuar me Vendimin e Këshillit Drejtues nr. 24, datë 31.10.2018, Këshilli Drejtues miratoi Pasqyrat Financiare të Fondit të Ndërhyrjes së Jashtëzakonshme për vitin e mbyllur më 31 dhjetor 2020. Këto Pasqyra janë përgatitur në përputhje me Standardet Ndërkombëtare të Raportimit Financiar (“SNRF-të”).

  • Mbi miratimin e Raportit për veprimtarinë investuese të Fondit të Ndërhyrjes së Jashtëzakonshme për vitin 2020.

Në bazë dhe për zbatim të nenit 71 pika 2, të nenit 73, pikat 1, 2 dhe 3, dhe të nenit 79, pika 5 të ligjit nr. 133/2016, datë 22.12.2016 “Për rimëkëmbjen dhe ndërhyrjen e jashtëzakonshme në banka në Republikën e Shqipërisë”, të nenit 18, pika 1 të Rregullores “Për Fondin e ndërhyrjes së jashtëzakonshme dhe procedurat për administrimin e tij”, të miratuar me Vendim të Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë nr. 56, datë 3.10.2017, të ndryshuar, të nenit 6, pika 2, shkronja “g”, të nenit 7, pika 6 dhe të nenit 8, pika 2, shkronja “l” të Statutit të Agjencisë së Sigurimit të Depozitave, të miratuar me vendimin e Këshillit Drejtues nr 24, datë 31.10.2018, Këshilli Drejtues miratoi raportin mbi veprimtarinë vjetore të investimit të mjeteve financiare të Fondit të Ndërhyrjes së Jashtëzakonshme.

Përmbajtja e plotë e këtij Raporti do të publikohet në faqen e internetit të Agjencisë së Sigurimit të Depozitave.

Këshilli Drejtues shqyrtoi dhe informacione e materiale të tjera në funksion të mbarëvajtjes së veprimtarisë funksionale dhe operacionale të Agjencisë së Sigurimit të Depozitave.