Mbledhja e Këshillit Drejtues të Agjencisë së Sigurimit të Depozitave e datës 25 Qershor 2020

Publikuar më: 26-06-2020


Në datën 25 Qershor 2020 Këshilli Drejtues i Agjencisë së Sigurimit të Depozitave zhvilloi mbledhjen e radhës. Në këtë mbledhje Këshilli Drejtues mori në shqyrtim dhe vendosi:

  • Mbi propozimin në Autoritet Mbikëqyrës të emërimit të Z. Genci Mamani në detyrën e Drejtorit të Përgjithshëm të Agjencisë së Sigurimit të Depozitave.

Në bazë dhe për zbatim të nenit 53 pika 1 të ligjit nr. 53/2014, datë 22.05.2014 “Për sigurimin e depozitave”, i ndryshuar, Këshilli Drejtues i Agjencisë së Sigurimit të Depozitave, bazuar në treguesit e performancës në administrimin e Agjencisë, propozoi për miratim në Autoritet Mbikëqyrës emërimin e Z. Genci Mamani në detyrën e Drejtorit të Përgjithshëm të Agjencisë së Sigurimit të Depozitave.

  • Mbi autorizimin e Komisionit të Përhershëm të Vlerësimit për përzgjedhjen e bankave agjente për nisjen e procedurave për përzgjedhjen e bankave agjente në listën paraprake.

Në mbështetje të nenit 42, pika 7 të ligjit nr. 53/2014 “Për sigurimin e depozitave” të ndryshuar, të 22, pika 1, nenit 23, pika 1, nenit 24, pika 2  dhe nenit 25, pika 6 të rregullores “Për kompensimin e depozitave të siguruara” të miratuar me Urdhrin e Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë nr. prot 3762, datë 18.07.2016, Këshilli Drejtues i Agjencisë së Sigurimit të Depozitave autorizoi Komisionin e Përhershëm të Vlerësimit për fillimin e procedurave për përzgjedhjen e bankave agjente në listën paraprake. Banka agjente ka rëndësi thelbësore në procesin e kompensimit, sepse do të jetë ajo që do të kryejë pagesat e kompensimit të depozitave në emër dhe për llogari të Agjencisë në rast të vendosjes së një subjekti anëtar të skemës në likuidim të detyruar me vendim të Bankës së Shqipërisë (Autoriteti Mbikëqyrës).

  • Për miratimin e planit strategjik dhe planit vjetor për auditimin e brendshëm të Agjencisë së Sigurimit të Depozitave për vitin financiar 2020.

Në mbështetje të nenit 52, pika 1, shkronja (j), të nenit 63, pika 2 të Ligjit nr. 53/2014, datë 22.05.2014 “Për sigurimin e depozitave”, të ndryshuar, të nenit 18, pika 3 të Statutit të Agjencisë së Sigurimit të Depozitave, të miratuar me Vendim të Këshillit Drejtues nr.24, datë 31.10.2018, të nenit 11, pika 1 dhe pika 4, shkronja “a” të Rregullores “Për Kartën e Auditimit të brendshëm në Agjencinë e Sigurimit të Depozitave”, të miratuar me Vendim Qarkullues të Këshillit Drejtues nr. 16, datë 30.04.2020, Këshilli Drejtues miratoi planin strategjik dhe vjetor për auditimin e brendshëm të Agjencisë së Sigurimit të Depozitave për vitin financiar 2020. Shërbimi i auditit të brendshëm në Agjencinë e Sigurimit të Depozitave kryhet nga kompania PricewaterhouseCoopers Audit sh.p.k. në përputhje me Standardet Ndërkombëtare për Praktikën Profesionale të Auditimit të Brendshëm (IPPF).

Këshilli Drejtues shqyrtoi dhe informacione e materiale të tjera në funksion të mbarëvajtjes së veprimtarisë funksionale dhe operacionale të Agjencisë së Sigurimit të Depozitave.