Në mbledhjen e datës 21 Dhjetor 2021, Këshilli Drejtues i Agjencisë së Sigurimit të Depozitave, mori në shqyrtim dhe vendosi:
- Mbi miratimin e buxhetit të Agjencisë së Sigurimit të Depozitave për vitin 2022.
Në mbështetje të nenit 44, pika 1, shkronja “a”, të nenit 52, pika 1, shkronja “gj”, të nenit 53, pika 5, shkronja “f” të ligjit nr. 53/2014, datë 22.05.2014 “Për sigurimin e depozitave”, i ndryshuar, të nenit 18, pika 1, shkonja “b” të Rregullores “Për hartimin, miratimin dhe zbatimin e Buxhetit të Agjencisë së Sigurimit të Depozitave”, të miratuar me vendim të Këshillit Drejtues nr. 34, datë 27.11.2020, si dhe të nenit 18 të Rregullores “Për rregullat dhe procedurat e funksionimit të mbledhjeve të Këshillit Drejtues të Agjencisë së Sigurimit të Depozitave”, të miratuar me vendim të Këshillit Drejtues nr. 29, datë 03.11.2014 me propozim të Drejtorit të Përgjithshëm, Këshilli Drejtues i Agjencisë së Sigurimit të Depozitave miratoi buxhetin e Agjencisë së Sigurimit të Depozitave për vitin 2022.
- Njoftim për mbylljen e Projektit për rishikimin e bazës ligjore dhe nënligjore të skemës së sigurimit të depozitave, të asistuar nga Banka Botërore.
Ky projekt është vazhdimi i asistencës teknike të ofruar Agjencisë, nga ekspertët e zyrës së FinSAC (Financial Sector Advisory Center) të Bankës Botërore, përgjatë periudhës 2019-2020, për vlerësimin e përshtatshmërisë së niveleve të mbulimit, si dhe zhvillimin e një metodologjie për të përcaktuar nivelin e përshtatshëm të synuar të madhësisë së fondeve të sigurimit të depozitave që administrohen nga Agjencia.
Objektivi i asistencës teknike të këtij projekti ishte të mbështeste Agjencinë në përpjekjet e saj për të përmirësuar më tej kuadrin e saj ligjor dhe nënligjor në përputhje me Parimet Themelore të Shoqatës Ndërkombëtare të Siguruesve të Depozitave (IADI), Direktivën e BE-së, si dhe në zhvillimin e mëtejshëm të veprimtarisë së Agjencisë.
Rezultatet e projektit iu prezantuan Këshillit Drejtues nga ekspertët e Bankës Botërore. Pasi u njoh me rezultatet Këshilli Drejtues vlerësoi projektin si mjaft të rëndësishëm dhe falenderoi ekipin e ekspertëve të zyrës FinSAC të Bankës Botërore për kontributin e tyre të vazhdueshëm në fuqizimin e skemës së sigurimit të depozitave në Shqipëri.