Mbledhja e Këshillit Drejtues të Agjencisë së Sigurimit të Depozitave e datës 20 Dhjetor 2019

Publikuar më: 20-12-2019


Në mbledhjen e datës 20 Dhjetor 2019, Këshilli Drejtues i Agjencisë së Sigurimit të Depozitave, mori në shqyrtim dhe vendosi:

  • Mbi projektbuxhetin e Agjencisë së Sigurimit të Depozitave për vitin 2020.

Në mbështetje të nenit 44, pika 1, shkronja “a”, nenit 52, pika 1, shkronja “gj”, nenit 53, pika 5, shkronja “f” të ligjit nr. 53/2014, datë 22.05.2014 “Për sigurimin e depozitave”, i ndryshuar, Këshilli Drejtues i Agjencisë së Sigurimit të Depozitave miratoi buxhetin Agjencisë së Sigurimit të Depozitave për vitin 2020. Buxheti i miratuar për vitin 2020 pasqyron situatën financiare të Agjencisë për vitin 2020 dhe përdorimin e burimeve të saj financiare në kuadër të objektivave të saj, për mbrojtjen e depozituesve dhe forcimin e stabilitetit financiar e bankar në vend. Gjithashtu, ky Buxhet siguron mbarëvajtjen e plotë të veprimtarisë së Agjencisë gjatë vitit të ardhshëm, si dhe, garanton përmbushjen e objektivave strategjikë të parashikuara në Planin Strategjik 2018-2020

  • Informacion mbi ushtrimin e simulimit teknik zhvilluar në datat 4-5 Nëntor 2019.

Këshilli Drejtues u informua se bazuar në planin e miratuar të simulimeve, në datat 4-5 Nëntor 2019, Agjencia organizoi simulimin e kryerjes së procesit të pagesave të depozituesve të një banke në likuidim vullnetar, në një nga bankat agjente të përzgjedhura. Aktivitetet kryesore që u simuluan në këtë ushtrim të radhës ishin kryerja e pagesave sipas listë – pagesës së kompensimit të përgatitur nga “likuidatori” dhe veçanërisht, gatishmëria operacionale dhe proceduriale e Bankës Agjente për kryerjen e pagesave të kompensimit. E veçantë e këtij ushtrimi, në të cilin u përfshinë të gjithë sektorët e Agjencisë, ishte simulimi i disa rasteve të ankimeve të depozituesve. Ushtrimi i simulimit synoi identifikimin e çështjeve me të cilat njësitë përgjegjëse të Agjencisë do të ndeshen në rast të kompensimit të depozituesve në një ngjarje sigurimi, për përfitimin e përvojës së nevojshme për zhvillimin e ushtrimeve të ngjashme të simulimit, si një mjet për rritjen e gatishmërisë institucionale për të përballuar sfida nga më të ndryshmet në përmbushje të misionit të Agjencisë.

Këshilli Drejtues mori në shqyrtim dhe informacione e materiale të tjera në funksion të mbarëvajtjes së veprimtarisë funksionale dhe operacionale të Agjencisë së Sigurimit të Depozitave.