Mbledhja e Këshillit Drejtues të Agjencisë së Sigurimit të Depozitave e datës 15 Dhjetor 2020

Publikuar më: 15-12-2020


Në mbledhjen e datës 15 Dhjetor 2020, Këshilli Drejtues i Agjencisë së Sigurimit të Depozitave, mori në shqyrtim dhe vendosi:

  • Mbi projektbuxhetin e Agjencisë së Sigurimit të Depozitave për vitin 2021.

Në mbështetje të nenit 44, pika 1, shkronja “a”, nenit 52, pika 1, shkronja “gj”, nenit 53, pika 5, shkronja “f” të ligjit nr. 53/2014, datë 22.05.2014 “Për sigurimin e depozitave”, i ndryshuar, Këshilli Drejtues i Agjencisë së Sigurimit të Depozitave miratoi buxhetin Agjencisë së Sigurimit të Depozitave për vitin 2021. Buxheti i miratuar për vitin 2021 pasqyron situatën financiare të Agjencisë për vitin 2021 dhe përdorimin e burimeve të saj financiare në kuadër të objektivave të saj, për mbrojtjen e depozituesve dhe forcimin e stabilitetit financiar e bankar në vend. Gjithashtu, ky Buxhet siguron mbarëvajtjen e plotë të veprimtarisë së Agjencisë gjatë vitit të ardhshëm.

  • Mbi përzgjedhjen e bankave agjente në listën paraprake për periudhën 2021-2023.

Bazuar në nenin 39 pika 5 dhe nenin 42 pika 7 të ligjit nr.53/2014, datë 22.05.2014 “Për sigurimin e depozitave”, i ndryshuar, në nenin 22, pika 1, shkronja “a”, në nenin 23, pika 1, në nenin 24, pika 4 dhe pika 5, si dhe në nenin 25 të Rregullores “Për kompensimin e depozitave të siguruara”, të miratuar me Urdhër të Guvernatorit nr. 3762, datë 18.7.2016, në nenin 7, pika 6 të Statutit të Agjencisë, miratuar me vendimin e Këshillit Drejtues nr. 24, datë 31.10.2018, në nenin 10, pika 6 të Rregullores të Këshillit Drejtues nr. 29, datë 03.11.2014 “Për rregullat dhe procedurat e funksionimit të mbledhjeve të Këshillit Drejtues të Agjencisë së Sigurimit të Depozitave”, Këshilli Drejtues miratoi përzgjedhjen e bankave anëtare të skemës së sigurimit të depozitave si banka agjente për periudhën 2021 – 2023. Banka agjente ka rëndësi thelbësore në procesin e kompensimit, sepse do të jetë ajo që do të kryejë pagesat e kompensimit të depozitave në emër dhe për llogari të Agjencisë në rast të vendosjes së një subjekti anëtar të skemës në likuidim të detyruar me vendim të Bankës së Shqipërisë (Autoriteti Mbikëqyrës).

  • Informacion mbi Platformën e përmirësimit të cilësisë së të dhënave të depozituesve dhe depozitave në sistemin bankar.

Këshilli Drejtues u infomua mbi “Platformën e përmirësimit të cilësisë së të dhënave të depozituesve dhe depozitave në sistemin bankar”. Kjo platformë synon bashkërendimin e përpjekjeve midis autoriteteve të përfshira, Banka e Shqipërisë dhe Agjencia e Sigurimit të Depozitave, dhe anëtarëve të skemës së sigurimit të depozitave, bankat e sistemit përfaqësuar nga Shoqata  Shqiptare e Bankave, për përmirësimin e cilësisë së të dhënave, çka konsiderohet i një rëndësie thelbësore për realizimin me sukses të objektivave publikë të skemës së sigurimit të depozitave dhe përmbushjen e mandatit ligjor të Agjencisë.

Këshilli Drejtues mori në shqyrtim dhe informacione e materiale të tjera në funksion të mbarëvajtjes së veprimtarisë funksionale dhe operacionale të Agjencisë së Sigurimit të Depozitave.