Mbledhja e Këshillit Drejtues të Agjencisë së Sigurimit të Depozitave e datës 04 Qershor 2021

Publikuar më: 04-06-2021


Në mbledhjen e datës 04 Qershor 2021, e cila bazuar në nenin 7, pika 6 të Statutit të Agjencisë, u zhvillua nëpërmjet procedurave me vendim qarkullues, Këshilli Drejtues i Agjencisë së Sigurimit të Depozitave, mori në shqyrtim dhe vendosi:

  • Për miratimin e marrëveshjes së huasë, ndërmjet Agjencisë së Sigurimit të Depozitave dhe Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH), për linjën e kredisë së disponueshme për Agjencinë e Sigurimit të Depozitave.

Në bazë dhe për zbatim të nenit 43, pika 1, shkronja “n”, neni 52, pika 1, shkronja “nj”, të nenit 53, pika 6, shkronja “b”, të nenit 58, pika 1, shkronja “c”, të nenit 60 të ligjit nr. 53/2014, datë 22.05.2014 “Për sigurimin e depozitave”, të ndryshuar, të Vendimit të Këshillit të Ministrave nr. 305, datë 26.05.2021 “Për miratimin në parim, të marrëveshjes së garancisë, ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH), për marrëveshjen e huasë, ndërmjet Agjencisë së Sigurimit të Depozitave dhe Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, për linjën e kredisë për Agjencinë e Sigurimit të Depozitave”, të Vendimit Qarkullues të Këshillit Drejtues nr. 24, datë 30.07.2020 “Mbi dhënien e autorizimit paraprak Drejtorit të Përgjithshëm për fillimin e negociatave dhe hartimin e projektmarrëveshjes së linjës së kredisë në gatishmëri ndërmjet Agjencisë së Sigurimit të Depozitave dhe Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH), për përmbushjen e detyrimeve ligjore të Agjencisë në rast të një ngjarjeje sigurimi”, të nenit 7, pika 6, të nenit 8, pika 2, shkronja “b” të Statutit të Agjencisë të miratuar me Vendimin e Këshillit Drejtues nr. 24, datë 31.10.2018, të nenit 5, pika 2, shkronja “c” të rregullores të Këshillit Drejtues nr. 20, datë 25.09.2017 “Për nënshkrimet e autorizuara në Agjencinë e Sigurimit të Depozitave”, Këshilli Drejtues i Agjencisë së Sigurimit të Depozitave miratoi marrëveshjen e huasë, ndërmjet Agjencisë së Sigurimit të Depozitave dhe Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH), për linjën e kredisë së disponueshme për Agjencinë e Sigurimit të Depozitave si dhe autorizoi Drejtorin e Përgjithshëm për nënshkrimin e marrëveshjes me BERZH

Linjat e kredisë në dispozicion janë një mekanizëm i njohur dhe i rekomanduar në fushën e sigurimit të depozitave. Kjo linjë do të ofrojë likuiditetin e nevojshëm për të adresuar pasojat potenciale të pandemisë Covid-19 në ekonomi. Fondet do të jenë të disponueshme, nëse do të nevojiten, për të kompensuar depozituesit e siguruar dhe ruajtur besimin e depozituesve në bankat dhe shoqëritë e kursim kreditit anëtare të skëmës së sigurimit të depozitave në Shqipëri. Linja e kredisë prej 100 milionë euro e ofruar nga Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) dhe e garantuar nga Qeveria Shqiptare, do të ndikojë në rritjen e stabilitetit të sektorit bankar në vend dhe sigurinë e depozituesve të siguruar.

Marrëveshja gjithashtu parashikon realizimin e një programi bashkëpunimi teknik të financuar nga Luxembourg ODA Technical Co-operation Fund, i cili synon rritjen e kapaciteteve operacionale dhe mirëqeverisëse të Agjencisë. Projekti përfshin prezantimin e një sistemi të automatizuar pagesash, modernizimin e sistemit të brendshëm të raportimit dhe vendosjen e themeleve për prezantimin e një modeli të përllogaritjes së primit të bazuar në diferencimin e rrezikut.