Mbledhja e Këshillit Drejtues të Agjencisë së Sigurimit të Depozitave e datës 03 Gusht 2021

Publikuar më: 04-08-2021


Në mbledhjen e datës 03 Gusht 2021, Këshilli Drejtues i Agjencisë së Sigurimit të Depozitave, mori në shqyrtim dhe vendosi:

  • Mbi miratimin e Pasqyrave Financiare të Agjencisë së Sigurimit të Depozitave për tremujorin e dytë të mbyllur më 30 Qershor 2021.

Këshilli Drejtues bazuar në nenin 52 pika 1, shkronja “l”, nenit 53, pika 5, shkronja “ë” dhe nenit 62, pika 1 dhe 2 të ligjit nr. 53/2014, datë 22.05.2014 “Për sigurimin e depozitave” i ndryshuar, dhe të nenit 8, pika 2, shkronja “l” të Statutit të Agjencisë së Sigurimit të Depozitave miratoi Pasqyrat Financiare të Agjencisë së Sigurimit të Depozitave për tremujorin e dytë të mbyllur më 30 Qershor 2021. Këto Pasqyra janë përgatitur në përputhje me Standardet Ndërkombëtare të Raportimit Financiar (“SNRF-të”).

  • Mbi miratimin e Pasqyrave Financiare të Fondit të Ndërhyrjes së Jashtëzakonshme për tremujorin e dytë të mbyllur më 30 Qershor 2021.

Bazuar në nenin 71 pika 2, të nenit 73, pika 1, dhe të nenit 79, pika 1, 2 dhe 3 të ligjit nr. 133/2016, datë 22.12.2016 “Për rimëkëmbjen dhe ndërhyrjen e jashtëzakonshme në banka, në Republikën e Shqipërisë”, të nenit 15, pika 5 të Vendimit nr. 56, datë 3.10.2017 të Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë “Për miratimin e Rregullores “Për fondin e ndërhyrjes së jashtëzakonshme dhe procedurat për administrimin e tij”, Këshilli Drejtues miratoi Pasqyrat Financiare të Fondit të Ndërhyrjes së Jashtëzakonshme për tremujorin e dytë të mbyllur më 30 Qershor 2021. Këto Pasqyra janë përgatitur në përputhje me Standardet Ndërkombëtare të Raportimit Financiar (“SNRF-të”).

  • Për miratimin e planit strategjik për auditimin e brendshëm të Agjencisë së Sigurimit të Depozitave për vitet 2021 – 2024, si dhe të planit vjetor për auditimin e brendshëm për vitin 2021.

Në mbështetje të nenit 52, pika 1, shkronja “j”, të nenit 63, pika 2 të Ligjit nr. 53/2014, datë 22.05.2014 “Për sigurimin e depozitave”, të ndryshuar, të nenit 18, pika 3 të Statutit të Agjencisë së Sigurimit të Depozitave, të miratuar me Vendim të Këshillit Drejtues nr.24, datë 31.10.2018, të nenit 11, pika 1 dhe pika 4, shkronja “a” të Rregullores “Për Kartën e Auditimit të brendshëm në Agjencinë e Sigurimit të Depozitave”, të miratuar me Vendim Qarkullues të Këshillit Drejtues nr. 16, datë 30.04.2020, Këshilli Drejtues miratoi planin strategjik për auditimin e brendshëm të Agjencisë së Sigurimit të Depozitave për vitet 2021 – 2024, si dhe planin vjetor për auditimin e brendshëm për vitin 2021. Shërbimi i auditit të brendshëm në Agjencinë e Sigurimit të Depozitave kryhet nga bashkimi i operatorëve ekonomikë “Deloitte Audit Albania” sh.p.k dhe “Deloitte Albania” sh.p.k. në përputhje me kërkesat e përcaktuara nga “Standardet për Praktikën Profesionale të Auditimit të Brendshëm”, të shpallura nga IAB.

Këshilli Drejtues shqyrtoi dhe informacione e materiale të tjera në funksion të mbarëvajtjes së veprimtarisë funksionale dhe operacionale të Agjencisë së Sigurimit të Depozitave.