Mbledhja e Këshillit Drejtues të Agjencisë së Sigurimit të Depozitave e datës 01 Korrik 2021

Publikuar më: 01-07-2021


Në datë 01 Korrik 2021 Këshilli Drejtues i Agjencisë së Sigurimit të Depozitave zhvilloi mbledhjen e tij të radhës. Kjo mbledhje, bazuar në iniciativat e parashikuara në Planin Strategjik 2021-2023, miratuar me vendim të Këshillit Drejtues nr. 05, datë 26.02.2021 dhe në kalendarin vjetor të simulimeve për vitin 2021, miratuar me urdhër nr. 15, datë 08 shkurt 2021 të Drejtorit të Përgjithshëm, u organizua në formën e një ushtrimi simulimi tematik lidhur me vendimmarrjen e Këshillit Drejtues në një ngjarje sigurimi dhe veçanërisht testimin e aftësive të Agjencisë për sigurimin e likuiditeteve të nevojshme për kryerjen e kompensimit të depozitave të siguruara.

Në vijim të përgatitjeve infrastrukturore dhe operacionale të strukturave të Agjencisë, Këshilli Drejtues u njoh me listën e vendimeve që duhet të miratohen në të tre fazat e simulimit të ngjarjes së sigurimit sipas skenarit të përgatitur për këtë qëllim. Këshilli Drejtues diskutoi në lidhje me qëllimin e vendimeve, përmbajtjen e tyre, dokumentacionin mbështetës si dhe dha rekomandimet përkatëse në drejtim të miradministrimit të mëtejshëm të veprimtarive të brendshme kompensuese të Agjencisë dhe koordinimit efikas me autoritetet rregullatore pjesë e rrjetit të sigurisë financiare në vend.