Mbi takimin me përfaqësues të Shoqërive të Kursim-Kreditit

Publikuar më: 23-03-2021


Agjencia në datë 18 mars 2021, zhvilloi takimin e rradhës online, me përfaqësues të Shoqërive të Kursim-Kreditit. Në fokus të këtij takimi ishte mbarëvajtja e secilës prej shoqërive gjatë vitit 2020, nga ku rezultoi që ecuria e aktivitetit të tyre kishte qenë pozitive pavarësisht vështirësive të shkaktuara nga pandemia Covid 19.  

Gjatë takimit, secila shoqëri e kursim-kreditit u ndal në zbatimin e rekomandimeve të lëna në raportet e verifikimit të kryera nga Agjencia gjatë vitit 2020, duke patur parasysh rëndësinë e adresimit të këtyre rekomandimeve në suksesin e punës së tyre, si dhe në realizimin e objektivave të Agjencisë.

Gjithashtu, në takim iu vu theksi rritjes së gatishmërisë së shoqërive të kursim-kreditit për ngarkimin e shpejtë dhe të saktë të skedarëve për simulim/kompensim në sistemin elektronik të Agjencisë, me qëllim përgatitjen e listë-pagesës me të dhënat unike të depozituesve, si një nga zhvillimet kryesore të punës së përbashkët për vitin 2021.

Një tjetër çështje e rëndësishme që u adresua gjatë takimit, ishte fokusimi i çdo shkk-je në hedhjen e saktë, si dhe përmirësimin e vazhdueshëm të cilësisë së të dhënave të depozituesve, në funksion të rritjes së gatishmërisë për realizimin me sukses të një ngjarje sigurimi.

Në përfundim të takimit, Agjencia falenderoi të gjitha shoqëritë e kursim-kreditit anëtare të skemës, për bashkëpunimin e vazhdueshëm, veçanërisht gjatë vitit të vështirë 2020.