Mbi takimin e autoriteteve të sigurimit të depozitave të Ballkanit, anëtare të EFDI.

Publikuar më: 08-06-2023


Në vijim të një tradite tashmë të konsoliduar prej vitesh, autoritetet e sigurimit të depozitave të rajonit të Ballkanit, anëtare të EFDI-t (Forumi Evropian i Siguruesve të Depozitave) organizuan takimin e radhës në datat 1 dhe 2 Qershor 2023 në qytetin Banja Luka të Bosnje dhe Hercegovinës.

Në këtë takim, pjesëmarrësit ndanë zhvillimet e fundit në juridiksionet përkatëse si dhe sfidat me të cilat përballen me qëllim avancimin e skemave të sigurimit të depozitave dhe përputhshmërinë me Direktivën 2014/49/EU për Skemat e Garantimit të Depozitave.

Në takim merrte pjesë edhe Sekretari i Përgjithshëm i EFDI-t, z. Andras Fekete Gyor. Ai njohu pjesëmarrësit në takim me zhvillimet më të fundit në Forumin Evropian të Siguruesve të Depozitave dhe në veçanti ofroi një panoramë të ndryshimeve të propozuara në kuadrin ligjor evropian për administrimin e krizave dhe sigurimin e depozitave.

Të gjithë pjesëmarrësit theksuan besimin e tyre se nisma të tilla duhet të vazhdojnë, duke qenë se ato ofrojnë një platforme të frytshme dhe efikase për shkëmbimin e informacionit dhe njohurive nisur nga ngjashmëritë e ambienteve operacionale të sigurimit të depozitave, në të cilat vendet e rajonit të Ballkanit operojnë.