Intervistë e Drejtorit të Përgjithshëm të Agjencise së Sigurimit të Depozitave z. Toni Gogu në revistën Monitor, nr. 35 dt. 15.09.2014.

Publikuar më: 15-09-2014


Agjencia e Sigurimit të Depozitave funksionon që prej më shumë se një dekade në Shqipëri. Cili është misioni i Agjencisë?

Fillimisht, më lejoni t’ju falënderoj për këtë mundësi për të komunikuar me lexuesit tuaj. Agjencia e Sigurimit të Depozitave është një institucion publik, i krijuar në vitin 2002. Qëllimi për të cilin ky institucion u krijua ishte ndërtimi dhe administrimi i skemës së sigurimit të depozitave në Republikën e Shqipërisë, misioni i së cilës është i një rëndësie të veçantë, mbrojtja e kursimeve të individëve përmes sigurimit të depozitave të tyre.

Skemat e sigurimit të depozitave luajnë një rol thelbësor në zhvillimin e qëndrueshëm të sektorit financiar, duke kontribuar në rritjen e besimit të qytetarëve. Si ka evoluar skema e sigurimit të depozitave ndër vite?

Me qëllim rritjen e besimit të publikut në sistemin financiar, në vitin 2008, niveli maksimal i sigurimit të depozitave të individëve në bankat tregtare u rrit nga 700,000 lekë në 2,500,000 lekë. Si rrjedhojë e kësaj ndërhyrjeje, niveli i depozitave të siguruara në sistemin bankar u rrit nga 16% në 50% të totalit të depozitave të individëve, duke dhënë një sinjal të qartë për të gjithë depozituesit individë sa i takon sigurisë së kursimeve të tyre dhe stabilitetit të sistemit financiar në vend.

Një moment tjetër shumë i rëndësishëm, që duhet përmendur, lidhet me zhvillimet më të fundit në skemën e sigurimit të depozitave. Skema e sigurimit të depozitave, që prej krijimit të saj, mbulonte me sigurim vetëm depozituesit individë në institucionet bankare, pra bankat tregtare që operojnë në Shqipëri. Me ndryshimet e fundit ligjore, të miratuara nga Kuvendi i Republikës së Shqipërisë në maj të këtij viti, janë përfshirë në skemën e sigurimit dhe depozitat e individëve në Shoqëritë e Kursim Kreditit. Nga përfshirja në skemën e sigurimit do të përfitojnë për herë të parë rreth 7 mijë depozitues dhe mbi 100 Shoqëri të Kursim Kreditit në të gjithë vendin.

Në kohët që jetojmë, sektori financiar ndryshon në mënyrë të shpejtë dhe të vazhdueshme, duke i vënë gjithmonë para sfidave të reja autoritetet rregullatore. Në këtë kontekst, Agjencia e Sigurimit të Depozitave është e fokusuar në përditësimin e funksioneve të saj sipas praktikave dhe standardeve më të mira bashkëkohore. Ne bashkëpunojmë ngushtë me institucionet homologe europiane dhe botërore, si dhe me partnerët strategjikë në shkëmbimin e eksperiencave dhe përthithjen e ekspertizave profesionale në fushën e sigurimit të depozitave. Këtu mund të përmendim vlerësimin që iu bë Agjencisë së Sigurimit të Depozitave, si pjesë e sistemit financiar në Shqipëri, nga Misioni i FMN dhe Bankës Botërore, FSAP, në nëntor të vitit të kaluar. Ky vlerësim, i cili ishte gjithëpërfshirës, verifikoi përputhshmërinë e operacioneve të Agjencisë me Standardet Ndërkombëtare për Skema Efektive të Sigurimit të Depozitave. Ne jemi shumë të kënaqur me vlerësimin dhe jemi gjithashtu optimistë për përmbushjen me sukses të rekomandimeve të lëna nga partnerët.

Një nga rekomandimet kryesore lënë nga Misioni FSAP i FMN dhe Bankës Botërore ishte hartimi i një ligji të ri për skemën e sigurimit të depozitave, për të qenë sa më pranë standardeve ndërkombëtare. Tashmë që Ligji është miratuar nga Kuvendi, a mund të na rendisni disa nga risitë kryesore që sjell ai?

Së pari, ligji ka qartësuar konceptin e skemës së sigurimit të depozitave dhe funksionimin e saj si një mekanizëm integral, ku përcaktohen kompetencat dhe funksionet e institucioneve publike në skemë, Banka e Shqipërisë, Ministra e Financave dhe Agjencia e Sigurimit të Depozitave; dhe subjekteve anëtare të saj, bankat e nivelit të dytë dhe shoqëritë e kursim kreditit.

Mekanizmi i rregullimit të skemës bazohet në përcaktimin e objektivave të saj (kompensimi i depozitave të depozituesve, mbrojtjen e interesave të tyre, duke kontribuar në stabilitetin e sistemit bankar e financiar), të funksioneve të pjesëmarrësve në skemë (Bankës së Shqipërisë si Autoritet Mbikëqyrës dhe Rregullator, Ministrisë së Financave si institucioni përgjegjës për plotësimin e burimeve financiare të ASD, dhe Agjencisë si administratore e skemës së sigurimit të depozitave), si dhe të drejtave dhe mjeteve ligjore të pjesëmarrësve të skemës, me qëllim realizimin e objektivave.

Gjithashtu, duhet përmendur se ligji ka përmirësuar procese të rëndësishme që prekin drejtpërdrejt eficiencën e funksionimit të skemës së sigurimit të depozitave, të tilla si:

-procesi i veprimtarisë siguruese me bankat dhe shoqëritë e kursim kreditit në veçanti, nëpërmjet rishikimit të metodologjisë së përllogaritjes së primit të sigurimit të depozitave që këto subjekte paguajnë;

-procesi i informimit të depozituesve, nëpërmjet përcaktimit të detyrimeve të Agjencisë dhe subjekteve anëtare të skemës në funksion të ndërgjegjësimit mbi përfitimet dhe kufizimet që ka skema për mbrojtjen e kursimeve që ata kanë depozituar në banka dhe shoqëritë e kursim kreditit.

-procesi i kompensimit nëpërmjet përcaktimit të detyrimeve të subjekteve pjesëmarrëse në skemë, në funksion të identifikimit të saktë dhe të shpejtë të çdo individi në sistemin bankar dhe financiar;

-procesi i menaxhimit të fondeve nga Agjencia nëpërmjet përcaktimit të rregullave, të cilat garantojnë përputhshmërinë e administrimit të mjeteve financiare me parimet e kontabilitetit, ligjshmërisë dhe administrimit të rrezikut në veprimtarinë e Agjencisë;

Ligji i ri “Për sigurimin e depozitave” sjell dhe një ndryshim sa u takon depozituesve në shoqëritë e kursim kreditit, duke siguruar depozitat e tyre. Si do të funksionojë kjo skemë e re?

Përfshirja e shoqërive të kursim kreditit, ose shkk-ve, siç njihen rëndom, është një nga ndryshimet kryesore që i janë bërë skemës së sigurimit të depozitave. Skema për shkk-të do të funksionojë në të njëjtën formë si skema aktuale e bankave dhe paralelisht me të.

Sipas ligjit “Për sigurimin e depozitave”, subjekte të skemës janë shoqëritë kursim kredi. Skema siguron depozitat që anëtarët e shkk-ve kanë depozituar në këto institucione financiare. Kufiri i mbulimit ose sigurimit për këto subjekte është vendosur 2 milionë lekë. Ky kufi, në pamje të parë, duket më i ulët sesa ai i bankave. Por, duhet të dimë se shkk-të janë subjekte financiare të vogla, me ndikim të kufizuar rajonal, për t’iu ofruar shërbime financiare bazike komuniteteve, të cilat nuk mbulohen nga bankat. Për rrjedhojë edhe depozitat e këtyre subjekteve janë të ulëta. Me këtë nivel mbulimi mbulohen aktualisht 89% e depozituesve dhe 50.5% e depozitave.

Për këto institucione është parashikuar një nivel primi më i ulët sesa ai i bankave 0,3% në vit, me qëllim që të ndihmojmë këto institucione, duke ditur se ato nuk kanë të njëjtat burime si bankat e nivelit të dytë.

Fondi për sigurimin e depozitave në shkk do të financohet si fillim nga buxheti i shtetit (një kontribut në vlerën 76 milionë lekë) dhe më tej nga primet e paguara nga subjektet anëtare të skemës. Ky fond do të administrohet veçmas nga fondi për bankat, megjithëse në të njëjtën mënyrë dhe me të njëjtën përgjegjshmëri siç është trajtuar fondi i sigurimit për bankat. Megjithëse administrimi i dy fondeve të ndara kërkon dyfishimin e energjive nga Agjencia e Sigurimit të Depozitave, ne jemi plotësisht të ndërgjegjshëm për vendimin për ndarjen e fondeve nisur nga një trajtim i drejtë i kontributeve të bankave dhe shkk-ve.

Përfshirja e shkk-ve në skemë, do të sjellë zgjerimin e bazës së depozituesve të siguruar. Pse është i rëndësishëm ky zgjerim?

Ky është një zhvillim mjaft i rëndësishëm, sepse zgjerimi i skemës së sigurimit me depozitues të ndryshëm nga ata në sistemin bankar, dëshmon për vullnetin e institucioneve rregullatore financiare në vend, për të krijuar një ambient financiar sa më të sigurt dhe gjithëpërfshirës. Gjithashtu, ky zhvillim konsiderohet si një hap i rëndësishëm në stabilitetin e këtyre institucioneve financiare, të cilat me veprimtarinë e tyre u shërbejnë banorëve të zonave rurale që kanë një akses më të kufizuar në shërbimet e sektorit bankar.

Po në aspektin ekzekutiv, si do të realizohet përfshirja e shkk-ve në skemë, a ka nisur ASD punën në këtë drejtim?

Padyshim. Menjëherë pas hyrjes në fuqi të Ligjit, Agjencia e Sigurimit të Depozitave ka filluar punën dhe ka konkretizuar përpjekjet për bashkërendimin e punës me të gjithë institucionet e tjera të rrjetit të sigurisë, Bankën e Shqipërisë dhe Ministrinë e Financave. Është hartuar një plan i detajuar për të kryer vizita verifikuese në të gjitha shkk-të që operojnë aktualisht. Këto vizita verifikuese, të cilat do të kryhen në bashkëpunim me Bankën e Shqipërisë dhe Unionet e shkk-ve, do të na japin një panoramë të qartë të të gjithë funksionimit të këtij sektori financiar. Pas kryerjes së këtij operacioni verifikues do të kemi një hartë të mirëpërcaktuar të të gjithë shkk-ve që plotësojnë kriteret për t’u bërë pjesë e skemës së sigurimit të depozitave. Megjithëse si afat i maksimal për përfshirjen e shkk-ve në skemë ligji ka përcaktuar fundin e vitit 2015, ne do të jemi gati për këtë që në mars të vitit që vjen, edhe pse jemi të ndërgjegjshëm që ky afat është sfidues.

A mund të jepni disa shifra (më të fundit të disponueshme) lidhur me depozitat e siguruara në Shqipëri (numrin e individëve, shumat e siguruara, raportin ndaj totalit etj.).

Bazuar në të dhënat më të fundit të Agjencisë së Sigurimit të Depozitave, depozitat totale të sistemit bankar janë afërsisht 1 triliard lekë, nga këto, depozitat e individëve përbëjnë rreth 833 miliardë ose 82% të depozitave të sistemit. Aktualisht në sistemin bankar janë 1.9 milionë llogari bankare individësh që përfitojnë nga skema e sigurimit të depozitave në Shqipëri. Duke pasur parasysh numrin total të popullsisë në Shqipëri, kjo e dhënë flet qartë për aksesin dhe për një nivel të kënaqshëm të përdorimit të shërbimeve bankare nga qytetarët.

Bazuar në nivelin maksimal të sigurimit prej 2.5 milionë lekësh, totali i depozitave të siguruara nga skema e sigurimit është në shumën 557 miliardë lekë ose 67% të depozitave të individëve në sistem. Niveli aktual i mbulimit siguron plotësisht depozitat në 1.8 milionë llogari bankare individësh ose 95% të totalit. Kjo shifër është një tregues i efektivitetit të skemës në përmbushje të misionit të saj.

Më datë 16 korrik u nënshkrua midis Agjencisë së Sigurimit të Depozitave dhe Bankës Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) marrëveshja për vënien në dispozicion të Agjencisë të një Linje Kredie me vlerë 100 milionë euro. A mund të na thoni se cili është qëllimi i kësaj Linje Kredie?

Linja e Kredisë është një instrument gatishmërie, që do të shërbejë për të rritur efektshmërinë e Agjencisë së Sigurimit të Depozitave në përmbushjen e detyrimit të saj ligjor, mbrojtjen dhe garantimin e depozitave të individëve. Linja e Kredisë është një mekanizëm i njohur dhe i rekomanduar në fushën e sigurimit të depozitave. Kjo Linjë vë në dispozicion të Agjencisë së Sigurimit të Depozitave, me kërkesën e saj dhe nëse është e nevojshme, fonde që do të garantonin përmbushjen me sukses dhe efikasitet të qëllimit dhe misionit për të cilin është krijuar.

Linja e kredisë duhet konsideruar si një mekanizëm më shumë që u shtohet elementeve të sigurisë së skemës së sigurimit të depozitave në Shqipëri. Ajo rrit nivelin e mbrojtjes së depozituesve duke përmirësuar ndjeshëm nivelin e mbulimit si në nivel depozitash të siguruara, ashtu edhe në nivel institucionesh financiare që janë pjesë e skemës së sigurimit. Negociatat midis Agjencisë së Sigurimit të Depozitave, BERZH-it dhe Ministrisë së Financave kanë nisur më shumë se një vit më parë dhe më duhet të them që kanë qenë gjithëpërfshirëse, përfshirë vlerësimin në nivel operacionesh, aktivitetesh dhe performance të Agjencisë. Ne jemi të bindur që ky instrument kontribuon pozitivisht në rritjen e mëtejshme të besimit të qytetarëve në sistemin financiar të vendit, duke ofruar më shumë mundësi për institucionet financiare në vend. Sigurimi i kësaj linje kredie e forcon akoma më shumë skemën e sigurimit të depozitave në Republikën e Shqipërisë, duke kontribuar në stabilitetin financiar të vendit.

Cilat janë disa nga zhvillimet e pritshme të ASD-së në drejtim të mirëfunksionimit të aktivitetit të saj?

Mandati i Agjencisë së Sigurimit të Depozitave është vënia në dispozicion të depozituesve, në një kohë sa më të shkurtër, të kursimeve të tyre në rast se banka e tyre do të përballet me vështirësi financiare. Që të realizojmë me sukses këtë mision kaq të rëndësishëm, Agjencia është angazhuar në një proces gjithëpërfshirës, i cili synon përmirësimin e të gjitha operacioneve të saj. Më konkretisht, strategjia që kemi adoptuar mbështetet në tre kolona kryesore.

-Përmirësimi i skemës së sigurimit të depozitave dhe gjithë aspekteve të veprimtarisë së ASD-së në vijim të miratimit Ligjit të ri “Për Sigurimin e Depozitave”, i cili duhet nënvizuar, ishte guri i parë i themelit në ndërtimin e një skeme sa më efikase dhe në shërbim të qytetarëve. Në këtë drejtim, një nga elementet më kryesorë që mund të përmend, është përmirësimi i procesit të kompensimit të depozitave, si dhe efikasitetit të këtij procesi. Direktiva e Bashkimit Europian për skemat e sigurimit të depozitave parashikon që kompensimi i depozituesve të siguruar duhet të kryhet brenda një afati 20-ditor nga dita e shpalljes së njoftimit për vendosjen në likuidim të një subjekti financiar. Duke marrë në konsideratë, që pas marrjes së statusit vend kandidat për në Bashkimin Europian lind detyrimi për përafrimin e legjislacionit dhe zbatimin e tij sipas standardeve europiane, përmirësimi i procesit të kompensimit është një përparësi në të cilën kemi fokusuar të gjitha burimet tona.

-Modernizmi i skemës është një nga prioritetet më të mëdha të Agjencisë, sepse do të mundësojë një shërbim të shpejtë, të saktë dhe të besueshëm kundrejt të gjithë depozituesve të siguruar. Në këtë drejtim, gjatë vitit 2013 e në vazhdim, infrastruktura teknologjike e ASD-së është rinovuar në mënyrë rrënjësore duke e sjellë atë sa më pranë zhvillimeve më të reja në këtë fushë, modeleve të suksesshme ndërkombëtare dhe niveleve të pritshme nga bashkëvepruesit e sistemit financiar. Projekti më i rëndësishëm në këtë drejtim është ndërtimi i një sistemi qendror informatik, i cili do të mbledhë, periodikisht, të dhëna elektronike nga subjektet e siguruara dhe do të shërbejë si mjet thelbësor për një kompensim të saktë dhe në kohë. Në harmoni me zhvillimet më të fundit teknologjike, Agjencia ka investuar përmirësimin e vazhdueshëm të kapaciteteve njerëzore me qëllim shfrytëzimin në maksimum të avantazheve teknologjike në fushën e sigurimit të depozitave.

-Gatishmëria për t’iu përgjigjur në kohë krizave financiare duke mbrojtur depozituesit individë dhe duke ruajtur stabilitetin e sistemit financiar në vend është shtylla kryesore e veprimtarisë sonë të përditshme. Për këtë qëllim ne jemi fokusuar në kolaudimin e një mekanizmi, i cili, pas përcaktimit dhe vënies në punë të procedurave standarde operacionale, do të mundësojë reagim efikas të Agjencisë së Sigurimit të Depozitave për t’iu ofruar depozituesve një kompensim të shpejtë dhe cilësor, duke rritur në këtë mënyrë besimin e publikut në sistemin financiar në vend.