Ceremonia e hapjes së Javës së Parasë, 22-26 mars 2021

Publikuar më: 23-03-2021


Në datën 23 mars 2021 u organizua online ceremonia e çeljes së Javës së Parasë për vitin 2021, gjatë së cilës u ndanë çmimet për nxënësit fitues në konkurset me temë, të zhvilluara në kuadër të kësaj ngjarjeje.

Kjo Javë është një nismë ndërkombëtare e Organizatës për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik (OECD), e cila synon ndërgjegjësimin e brezit të ri për të qenë qytetarë të përgjegjshëm financiarisht në të ardhmen.

Prej pothuajse 10 vitesh Banka e Shqipërisë dhe Shoqata Shqiptare e Bankave, me mbështetjen e Ministrisë së Arsimit, Sportit dhe Rinisë,  Agjencisë së Sigurimit të Depozitave, si dhe partnerëve të tjerë, bëhen pjesë e kësaj lëvizjeje duke organizuar përgjatë çdo fund marsi aktivitete edukative dhe ndërgjegjësuese për grupmoshat e nxënësve të arsimit para universitar dhe atij universitar. 

Tema e Javës Globale të Parasë për vitin 2021 është “Kujdesu për veten, kujdesu për paratë e tua!”. Ajo nënvizon rëndësinë kyçe që kanë njohuritë mbi një treg financiar gjithnjë e më të digjitalizuar dhe inovator. Zhvillimi i teknologjisë së informacionit i ka  hapur rrugë inovacionit financiar i cili i mundëson publikut përdorimin e produkteve të reja financiare e bankare. Instrumentet e reja të pagesave kanë siguruar gjithashtu distancimin fizik në mbrojtje më të mirë të shëndetit publik veçanërisht në situatën e krijuar nga COVID-19.

Aktivitetin çelës të Javës së Parasë 2021 e përshëndetën Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, z. Gent Sejko, Ministrja e Arsimit, Sportit dhe Rinisë, zj. Evis Kushi, dhe Kryetari i Shoqatës Shqiptare të Bankave, z. Silvio Pedrazzi

Në këtë event mori pjesë dhe Drejtori i Përgjithshëm i Agjencisë së Sigurimit të Depozitave, Z. Genc Mamanı.