Ceremonia e hapjes së Javës së Parasë 2024

Publikuar më: 18-03-2024


Në datën 18 mars 2024, në ambientet e Bankës së Shqipërisë, u çel Java Globale e Parasë për vitin 2024, gjatë së cilës do të organizohen aktivitete të ndryshme ndërgjegjësuese dhe edukative. Kjo Javë është një festë mbarëbotërore e parasë, e cila synon ndërgjegjësimin e  fëmijëve dhe të rinjve për të qenë qytetarë të ardhshëm të përgjegjshëm dhe të aftë për të marrë vendime financiare të mirëmenduara.

Gjatë javës 18-24 mars 2024, Banka e Shqipërisë, në bashkëpunim me Shoqatën Shqiptare të Bankave dhe mbështetjen e Ministrisë së Arsimit dhe Sportit dhe partnerë të tjerë, organizojnë aktivitete të larmishme për fëmijët dhe të rinjtë. Në thelb të këtyre aktiviteteve qëndron edukimi financiar, më konkretisht: si të administrojnë paratë, si të kursejnë, si të mendojnë financiarisht, por edhe si të jenë të kujdesshëm e të shmangin mashtrimet financiare online. Këto do të realizohen nëpërmjet pjesëmarrjes së tyre në leksione, konkurse, vizita në Muzeun e Bankës së Shqipërisë dhe orë të hapura mësimore. 

Aktivitetin çelës të Javës së Parasë 2024 e përshëndetën z. Gent Sejko, Guvernator i Bankës së Shqipërisë, zj. Ogerta Manastirliu, Ministre e Arsimit dhe Sportit dhe z. Bledar Shella, Kryetar i Shoqatës Shqiptare të Bankave.

Në fjalën e tij përshëndetëse, Guvernatori Sejko u shpreh se Banka e Shqipërisë, me bashkëpunimin e Shoqatës Shqiptare të Bankave dhe falë mbështetjes tepër të vyer të Ministrisë së Arsimit dhe Sportit, si dhe partnerëve të tjerë, ka organizuar ndër vite aktivitete edukative dhe ndërgjegjësuese për grup-moshat e nxënësve të arsimit parauniversitar dhe atij universitar.

Tema e këtij viti “Mbro paratë e tua, siguro të ardhmen tënde!”, thekson nevojën për të përqafuar një qasje të përgjegjshme dhe të informuar në administrimin e financave personale, duke u bërë të vetëdijshëm për rreziqet potenciale në ndërveprimin financiar.

Aktiviteti vijoi më tej me ceremoninë e ndarjes së çmimeve për fituesit e 5 konkurseve të para të organizuara nga Banka e Shqipërisë dhe Shoqata  Shqiptare e Bankave me rastin e Javës së Parasë.