Agjencia e Sigurimit të Depozitave nënshkruan Marrëveshje Bashkëpunimi me Universitetin Mesdhetar të Shqipërisë.

Publikuar më: 08-11-2023


Në kuadër të politikave për bashkëpunim me institucione të arsimit të lartë me qëllim ndërgjegjësimin e publikut për skemën e sigurimit të depozitave dhe tiparet e saj, Agjencia e Sigurimit të Depozitave (ASD) dhe Universiteti Mesdhetar i Shqipërisë (UMSH) nënshkruan një Marrëveshje Bashkëpunimi, në datë 7.11.2023. Marrëveshja u nënshkrua nga Drejtori i Përgjithshëm i ASD, Z. Genci Mamani dhe Rektori i UMSH, Prof. Dr. Adrian Civici.

Marrëveshja përcakton protokollet e bashkëpunimit ndërmjet dy institucioneve në drejtim të kontributit të ndërsjellët si në nivel teorik ashtu dhe praktik. Konkretisht, ASD do të ketë mundësinë që, në përputhje me strategjitë saj për rritjen e nivelit të ndërgjegjësimit të publikut përmes targetimit të grupeve të interesit, të zhvillojë leksione të hapura me studentë të ciklit të parë (bachelor) dhe të ciklit të dytë (master) në fakultetet përkatëse të UMSH.  Gjithashtu, në përputhje me domosdoshmëritë dhe mundësitë e disponueshme, ASD do të krijojë hapësira që studentë të UMSH-së të kryejnë praktika profesionale në institucion, duke iu dhënë mundësinë studentëve përmirësojnë aftësitë e tyre profesionale. ASD dhe UMSH angazhohen për kryerjen e projekteve të përbashkëta kombëtare dhe ndërkombëtare me interes të dyanshëm.

Me qëllim zbatimin e një qasje strategjike të informimit të publikut përmes identifikimit dhe komunikimit me grupet e interesit, ASD do të vazhdojë të ndërveprojë me institucionet e arsimit të lartë duke marrë në konsideratë që studentët përfaqësojnë një grup interesi mjaft të rëndësishëm si depozitues por edhe si punonjës potencialë në sistemin e bankar e financiar.