Z. Shkëlzen Margjeka

Shkëlzen Margjeka, auditues ligjor është anëtar i Institutit të Ekspertëve Kontabël të Autorizuar që nga viti 2008, partner anagzhimi dhe administrator i shoqërisë audituese “ACA MARGJEKA” shpk si dhe anëtar i Këshillit Drejtues të ASD.
Shkëlzen Margjeka ka qënë anëtar i Këshillit Drejtues të Institutit të Ekspertëve Kontabël të Autorizuar për përiudhën 2012-2021 si dhe Kryetar i Komitetit të Investigimit dhe Disiplinës të IEKA-s. Në vitin 1995-1999  ka qënë kryetar i Union e Pavarur Studentor Shqiptar.
Shkëlzen Margjeka ka mbaruar Fakultetin Ekonomik, Dega Finance-Kontabilitet në vitin 1998, ka mbaruar kursin pasuniversitar Financë-Bankë, Fakulteti – Ekonomik, Universiteti i Tiranës, viti 2000-2001 si dhe në vitin 2012-2014 ka mbaruar Master Shkencor në Finance-Banke, Universiteti Europian i Tiranës. Ai ka kryer kualifikime profesionale në vazhdimësi nga eksperte vendas dhe të huaj.
Shkëlzen Margjeka që nga viti 2000 e në vazhdim ka punuar si drejtor finance  në kompani sigurimi, kompani vendase dhe të huaja, ka dhënë konsulence financiare dhe fiskale,  ka ofruar shërbime në auditim-kontabilitet, ka bërë monitorime dhe kontrolle financiare  pranë KQZ, si dhe ka kryer akt-ekspertime në gjykatë dhe prokurori.

Znj. Vasilika Vjero

Zj.Vasilika Vjero ka lindur në qytetin e Tiranës në vitin 1976.
Zj.Vjero është diplomuar në Universiteti i Tiranës,  Fakulteti i Ekonomisë, në degën  Administrim Biznesi në vitin 1998. Në vitin 2003 përfundon një master nga Universiteti i Nebraskës, Lincoln USA, programi Master në Administrimin Publik në bashkëpunim me Universitetin e Tiranës, Fakulteti i Ekonomisë. Ajo gjithashtu është trajnuar lidhur me çështje të rritjes ekonomike nga Harvard Kennedy School.
Zj.Vjero ka mbajtur poste të larta drejtuese si, Drejtori i Përgjithshëm i Tatimeve, Drejtor i Përgjithshëm i Qendrës Kombëtare të Biznesit, Drejtor i Përgjithshëm i Autoritetit Rrugor Shqiptar.  Në karrierën e saj  numëron më shumë se 10 vite eksperiencë pune për Bashkinë e Tiranës në menaxhimin e Administratës Tatimore dhe Departamentit të Planifikimit Strategjik dhe buxheteve vendore, si dhe nje sërë eksperiencash si ekspert financiar me donatorë të huaj. Po ashtu ka shërbyer si ekspert i pavarur fiskal dhe buxhetor për qeverisjen lokale në Shqipëri për një total prej 24  bashkish dhe komunash në të gjithë vendin.
Zj.Vjero zotëron gjuhën angleze dhe atë italiane.

Z. Genci Mamani

Genci Mamani është Drejtor i Përgjithshëm i Agjencisë së Sigurimit të Depozitave dhe njëkohësisht anëtar i Këshillit Drejtues të saj.
Z. Mamani, ka mbaruar studimet në vitin 1991 pranë Universitetit të Tiranës, Fakulteti i Ekonomisë, Dega Financë.
Në vitin 2001 kreu studimet pasuniversitare pranë Universitetit Wisconsin – La Cross për financë – bankë. Në vitin 2012 ka kryer studimet pasuniversitare në nivelin master për Administrim Biznesi pranë International Hellenic University, në Selanik, Greqi.
Karrierën e tij Z. Mamani e ka nisur në vitin 1991 si ekonomist në Bankën e Shtetit. Më pas ka punuar pranë Bankës FEFAD (sot ProCredit Bank), Bankën Italo – Shqiptare  dhe më tej pranë Bankës së Shqipërisë deri në vitin 2015 duke mbajtur poste drejtuese në këto institucione.  Në korrik të vitit 2015 ai mori detyrën e Drejtorit të Agjencisë së Sigurimit të Depozitave.
Zoti Mamani zotëron gjuhët anglisht dhe italisht.

Z. Donald Duraj

Z. Donald Duraj është emëruar në detyrën e Kryetarit të Këshillit Drejtues të Agjencisë së Sigurimit të Depozitave në vitin 2015. Z. Donald Duraj ka një karrierë progresiste më shumë se 10-vjecare në sistemin bankar, pjesë integrale e së cilës kanë qenë pjesëmarrja mjaft aktive dhe arritjet e suksesshme brenda institucioneve të ndryshme prestigjioze financiare lokale dhe atyre në rrjetin ndërkombëtar si në Austri, Poloni, Sllovaki, Ukrainë e Bjellorusi. Që prej vitit 2015 Z. Duraj mban detyrën e Shefit të Kabinetit të Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë me përgjegjësi këshillimi, asistimi, raportimi dhe koordinimi për të gjitha çështjet e lidhura me mbarëvajtjen dhe mirëfunksionimin e Kabinetit por dhe të departamenteve të tjera të Bankës së Shqipërisë. Nga viti 2010 e deri në vitin 2015 Përgjegjës i Sektorit të Organizimit Komercial dhe Zhvillimit të Tregut në Bankën Societe Generale Albania duke luajtur një rol kryesor drejtimin strategjik, planifikimin afat-shkurtër dhe afat-gjatë, përcaktimin e objektivave kryesore, koordinimin e marrëdhënieve ndër-divizionale dhe ndër-institucionale, në nivel lokal dhe ndërkombëtar, me kompani publike dhe private, etj. Gjatë kësaj periudhe Z. Duraj ka drejtuar me sukses të paktën 15 projekte, ndër më të rëndësishmit për Bankën, dhe me një ndikim të drejtpërdrejtë në zgjerimin e aktivitetit në tregun lokal dhe në rritjen e përfitueshmërisë. Z. Duraj ka punuar nga viti 2005 deri në vitin 2010 në Raiffeisen Bank Albania dhe Raiffeisen Intenational Austria duke mbuluar pozicione kyçe të karakterit operacional dhe strategjik. Më të rëndësishmet prej tyre janë si Përgjegjës i Segmentit të Individëve, Përgjegjës i Produkteve i Kredisë Konsumatore, Drejtues i Projekteve në Programin “Retail Leadership” pranë Raiffeisen Intenational Austria, etj. Z. Duraj ka përfunduar studimet e larta në Fakultetin Ekonomik, Dega Financë – Profili Bankë, pranë Universitetit të Tiranës.

Faqja Kryesore / RRETH NESH / Statuti

S T A T U T I
AGJENCISË SË SIGURIMIT TË DEPOZITAVE

KREU I
DISPOZITA TË PËRGJITHSHME

Neni 1
Objekti i Statutit

Ky statut përcakton parimet bazë të organizimit dhe administrimit institucional, administrativ dhe operacional të Agjencisë së Sigurimit të Depozitave (më poshtë referuar “Agjencia”).

Neni 2
Baza ligjore dhe personaliteti juridik
  1. Agjencia ushtron veprimtarinë e saj në mbështetje dhe në zbatim të ligjit nr. 53/2014, datë 22.05.2014 “Për sigurimin e depozitave”, të ndryshuar (referuar më poshtë “ligji për sigurimin e depozitave”), ligjit nr. 133/2016 “Për rimëkëmbjen dhe ndërhyrjen e jashtëzakonshme në banka, në Republikën e Shqipërisë” (referuar më poshtë “ligji për ndërhyrjen e jashtëzakonshme”), si dhe akteve të tjera ligjore e nënligjore në fuqi në zbatim të tyre.
  2. Agjencia është ent publik me statusin e personit juridik dhe gëzon pavarësi operacionale dhe financiare nga çdo subjekt tjetër, në zbatim të dispozitave të ligjit për sigurimin e depozitave.
  3. Agjencia mbikëqyret nga Banka e Shqipërisë në zbatim të dispozitave të ligjit për sigurimin e depozitave.

Neni 3
Vula dhe stema
  1. Agjencia identifikohet me stemën dhe vulën e saj zyrtare.
  2. Stema dhe vula zyrtare përdoren së bashku me nënshkrimet e autorizuara të Agjencisë.
  3. Stema zyrtare e Agjencisë ka një kuadrat të kuq rrethues dhe në qendër të tij një katror të zi. Në krah të stemës shkruhet “Agjencia e Sigurimit të Depozitave” dhe sipër saj “Republika e Shqipërisë”.
  4. Vula zyrtare e Agjencisë ka në qendër stemën e Republikës së Shqipërisë dhe rreth saj shkruhen “Republika e Shqipërisë” dhe “Agjencia e Sigurimit të Depozitave”.
  5. Agjencia mund të ketë edhe vula datare.
  6. Stema, vula zyrtare dhe vulat datare përdoren në përputhje me aktet ligjore dhe nënligjore në fuqi.

KREU II
MISIONI, ORGANIZIMI DHE DREJTIMI I AGJENCISË

Neni 4
Misioni
  1. Misioni i Agjencisë është përmbushja e objektivave publikë të skemës së sigurimit të depozitave në mbështetje dhe në zbatim të ligjit “Për sigurimin e depozitave”.
  2. Në zbatim të misionit të saj, Agjencia ka dy funksione kryesore, të cilat janë administrimi i skemës së sigurimit të depozitave dhe administrimi i fondit të ndërhyrjes së jashtëzakonshme.

Neni 5
Organizimi
  1. Agjencia organizohet në mënyrë hierarkike, drejtohet nga Këshilli Drejtues, si dhe administrohet nga Drejtori i Përgjithshëm.
  2. Organizimi strukturor udhëhiqet nga parimet e funksionalitetit dhe të eficiencës.
  3. Veprimtaria e Agjencisë organizohet nëpërmjet njësive organizative në përputhje me strukturën organizative të miratuar nga Këshilli Drejtues.
  4. Struktura organizative e Agjencisë përbëhet nga njësitë organizative si vijon:
    • Zëvendës Drejtori i Përgjithshëm;
    • Sektorët dhe punonjësit në varësi të drejtpërdrejtë të Drejtorit të Përgjithshëm.
  5. Njësitë organizative janë përgjegjëse për ushtrimin e veprimtarisë ekzekutive të Agjencisë në përputhje me ligjin “Për sigurimin e depozitave” dhe kuadrin nënligjor të brendshëm në zbatim të tij.
  6. Këshilli Drejtues dhe Drejtori i Përgjithshëm në ushtrimin e funksioneve të tyre ligjore mbështeten nga veprimtaria e Zëvendës Drejtorit të Përgjithshëm dhe njësive të tjera organizative të Agjencisë.
  7. Njësitë organizative të Agjencisë klasifikohen si vijon:
    • njësi organizative me funksione parësore;
    • njësi organizative me funksione dytësore;
    • njësi organizative me funksione tretësore.
  8. Klasifikimi konkret i njësive organizative sipas këtij neni përcaktohet në aktin e veçantë mbi strukturën e pagave dhe shpërblimeve të Agjencisë, të miratuar nga Autoriteti Mbikëqyrës.

Neni 6
Këshilli Drejtues
  1. Këshilli Drejtues është organi më i lartë vendimmarrës dhe mbikëqyrës për veprimtarinë Agjencisë.
  2. Në zbatim të ligjit për sigurimin e depozitave, Këshilli Drejtues ka edhe kompetencat e mëposhtme:
    • miraton stemën dhe vulën zyrtare të Agjencisë, mënyrën e përdorimit, si dhe ndryshime të plota ose të pjesshme të tyre;
    • miraton ndryshimin e vendndodhjes së selisë së Agjencisë në Tiranë;
    • miraton pasqyrat financiare tremujore, si dhe vjetore të fondeve të Agjencisë, si dhe të fondit të ndërhyrjes së jashtëzakonshme;
    • miraton raportet tre mujore dhe vjetore mbi realizimin e buxhetit të fondeve të Agjencisë;
    • miraton kriteret e përzgjedhjes së audituesëve të jashtëm të specializuar për pasqyrat financiare të fondit të ndërhyrjes së jashtëzakonshme pas konsultimit me Autoritetin e Ndërhyrjes së Jashtëzakonshme, miraton audituesit e jashtëm, si dhe shqyrton raportet e tyre;
    • shqyrton raportin mbi veprimtarinë tremujore të investimit të fondeve të Agjencisë, si dhe raportin tremujor të investimit të fondit të ndërhyrjes së jashtëzakonshme;
    • miraton raportin vjetor të investimit të fondit të ndërhyrjes së jashtëzakonshme;
    • miraton opinionin për përdorimin e fondit të kompensimit të depozitave në banka për qëllim të ndërhyrjes së jashtëzakonshme, kur i kërkohet nga Autoriteti i Ndërhyrjes së Jashtëzakonshme;
    • vendos për kthimin e fondit të kompensimit të depozitave në banka në mjete likuide dhe transferimin e tij në llogari të Autoritetit të Ndërhyrjes së Jashtëzakonshme, kur ky i fundit urdhëron përdorimin e fondit të kompensimit për qëllim të ndërhyrjes së jashtëzakonshme;
    • propozon për miratim pranë Autoritetit të Ndërhyrjes së Jashtëzakonshme politikën e administrimit të mjeteve financiare të fondit të ndërhyrjes së jashtëzakonshme;
    • propozon për miratim në Autoritetin Mbikëqyrës akte nënligjore me efekt rregullator dhe udhëzues për subjektet anëtare të skemës;
    • propozon në Autoritetin Mbikëqyrës ndryshimin e anëtarëve të Këshillit Drejtues dhe Drejtorit të Përgjithshëm;
    • përcakton treguesit e performancës dhe vlerëson mbi to Drejtorin e Përgjithshëm, në administrimin e Agjencisë.
    • miraton kontratën tip menaxheriale të Drejtorit të Përgjithshëm;
    • miraton rregulloren e personelit, si dhe treguesit e performancës në punë të punonjësve;
    • miraton kontratën tip të punës, përshkrimin e punës, si dhe treguesit e performancës në punë të Zëvendës Drejtorit të Përgjithshëm;
    • miraton kontratën tip të punës, si dhe përshkrimin e punës të punonjësve në Agjenci;
    • miraton strategjitë dhe politikat e zhvillimit të Agjencisë, si dhe krijimin e komiteteve të specializuara, që mund të kenë në përbërje anëtarët e Këshillit Drejtues, punonjësit e Agjencisë, dhe specialistë të jashtëm.
  3. Këshilli Drejtues kryesohet nga Kryetari. Të drejtat dhe detyrimet e Kryetarit të Këshillit Drejtues janë:
    • të përfaqësojë dhe shprehë qëndrimin e Këshillit në marrëdhënie me të tretët dhe për këtë përfaqësim të informojë Këshillin;
    • të caktojë dhe ndjekë realizimin e detyrave të ngarkuara prej tij ose nga mbledhja e Këshillit;
    • të planifikojë dhe realizojë mbledhjet për analiza periodike ose tematike mbi punën e Agjencisë ose Këshillit;
    • të nënshkruajë vendime, akte, kontratën menaxheriale me Drejtorin e Përgjithshëm dhe shkresa të tjera të dala nga Këshilli Drejtues i Agjencisë.

Neni 7
Mbledhjet e Këshillit Drejtues
  1. Këshilli Drejtues, ushtron kompetencat dhe përgjegjësitë e tij në bazë të ligjit, nëpërmjet mbledhjeve të anëtarëve të tij dhe marrjes së vendimeve kolegjiale.
  2. Këshilli Drejtues zhvillon mbledhjet, si rregull, në selinë e Agjencisë.
  3. Procedurat e zhvillimit të mbledhjeve të Këshillit Drejtues përcaktohen në ligj dhe në rregulloren “Për rregullat dhe procedurat e funksionimit të Këshillit Drejtues”.
  4. Si rregull, vendimet e Këshillit Drejtues miratohen me shumicën e thjeshtë të votave të anëtarëve të tij të pranishëm në mbledhje.
  5. Këshilli Drejtues, miraton me jo më pak se katër vota pro të anëtarëve të tij, vendimet për:
    • miratimin dhe ndryshimin e Statutit të Agjencisë;
    • propozimin e ndryshimit të anëtarit të Këshillit Drejtues;
    • propozimin e ndryshimit të Drejtorit të Përgjithshëm;
  6. Anëtari i Këshillit Drejtues ka të drejtën e një vote, vetëm kur është i pranishëm personalisht në mbledhje. Si përjashtim nga ky rregull, në raste të veçantë, urgjente e tepër të rëndësishme, Këshilli Drejtues miraton vendime edhe pa u mbledhur, nëpërmjet votimit me shkrim ose mjeteve të sigurta të komunikimit të teknologjisë së informacionit (vendime qarkulluese).

Neni 8
Drejtori i Përgjithshëm
  1. Drejtori i Përgjithshëm vepron si drejtor ekzekutiv i Agjencisë, mbikëqyr dhe administron veprimtarinë e njësive organizative të saj.
  2. Në zbatim të ligjit për sigurimin e depozitave, Drejtori i Përgjithshëm ka edhe kompetencat e mëposhtme:
    • Përfaqëson Agjencinë, si dhe nënshkruan në zbatim të kompetencave të tij korrespondencën zyrtare të Agjencisë me të tretët;
    • nënshkruan marrëveshjet e bashkëpunimit të Agjencisë me institucionet e huaja ose organizatat ndërkombëtare në fushën e sigurimit të depozitave, si dhe marrëveshjet e huasë, subvencioneve dhe donacioneve për llogari të fondeve të Agjencisë në përputhje me ligjin për sigurimin e depozitave dhe rregulloren për nënshkrimet e autorizuara, të miratuar me vendim të Këshillit Drejtues.
    • nënshkruan marrëveshjet e huasë për llogari të fondit të ndërhyrjes së jashtëzakonshme në përputhje me ligjin për ndërhyrjen e jashtëzakonshme, aktet nënligjore dhe udhëzimet e Autoritetit të Ndërhyrjes së Jashtëzakonshme;
    • paraqet raportin vjetor të Agjencisë, si dhe raporton në lidhje me të, pranë Kuvendit të Shqipërisë, Këshillit të Ministrave dhe Autoritetit Mbikqyrës;
    • emëron, shkarkon ose liron nga detyra punonjësit e Agjencisë dhe Zëvendës Drejtorin e Përgjithshëm, në përputhje me Kodin e Punës të Republikës së Shqipërisë dhe sipas kritereve dhe procedurave të miratuara nga Këshilli Drejtues i Agjencisë;
    • paraqet propozime në Këshill Drejtues për drejtimin, motivimin dhe përmirësimin e punës së njësive organizative të Agjencisë, si dhe strukturës organizative të saj;
    • propozon në Këshillin Drejtues nivelin dhe strukturën e pagave e shpërblimeve të Drejtorit të Përgjithshëm, të Zëvendës Drejtorit të Përgjithshëm, të punonjësve të tjerë të Agjencisë, shpërblimin e anëtarëve të Këshillit Drejtues, si dhe ndryshimet në to;
    • miraton shpërblimet suplementare, ndihmat ekonomike dhe përfitimet e tjera për Zëvendës Drejtorin e Përgjithshëm dhe punonjësit e tjerë të Agjencisë , sipas kritereve të përcaktuara nga Këshilli Drejtues;
    • vlerëson performancën në punë të Zëvendës Drejtorit të Përgjithshëm dhe punonjësve të tjerë të Agjencisë, sipas kritereve të përcaktuara nga Këshilli Drejtues;
    • krijon grupe pune për trajtimin e problemeve të ndryshme;
    • propozon projektrregulloret dhe çdo projektakt tjetër që paraqiten për miratim në Këshillin Drejtues;
    • propozon për miratim në Këshillin Drejtues pasqyrat financiare tremujore dhe vjetore për fondet e Agjencisë, si dhe fondin e ndërhyrjes së jashtëzakonshme;
    • propozon për miratim në Këshillin Drejtues raportet tre mujore dhe vjetore mbi realizimin e buxhetit për fondet e Agjencisë;
    • miraton opinionin për planet e ndërhyrjes së jashtëzakonshme kur i kërkohet nga Autoriteti i Ndërhyrjes së Jashtëzakonshme dhe informon për këtë Këshillin Drejtues;
    • propozon pranë Autoritetit të Ndërhyrjes së Jashtëzakonshme masën dhe mënyrën e pagesës vjetore për rimbursimin e kostove të Agjencisë për administrimin e fondit të ndërhyrjes së jashtëzakonshme;
    • miraton metodologjinë e llogaritjes së kostove të Agjencisë në një proces kompensimi, si dhe në rast të përdorimit të fondit të kompensimit të depozitave për ndërhyrjen e jashtëzakonshme në banka;
    • propozon për miratim në Këshill Drejtues raportin mbi veprimtarinë vjetore të investimit të Fondit të Ndërhyrjes së Jashtëzakonshme;
    • raporton në mënyrë periodike dhe përgjigjet para Këshillit Drejtues të Agjencisë mbi veprimtarinë e njësive organizative të Agjencisë, në veçanti, për çështjet kryesore që lidhen me:
      • zbatimin e akteve të nxjerra nga Këshilli Drejtues dhe Autoriteti Mbikëqyrës në zbatim të ligjit për sigurimin e depozitave dhe ligjin për ndërhyrjen e jashtëzakonshme;
      • çdo ndryshim në aktet ligjore dhe nënligjore që prekin veprimtarinë e Agjencisë;
      • marrëdhëniet e Agjencisë me Autoritetin Mbikëqyrës, me subjektet anëtare të skemës dhe organet e tjera publike e shtetërore që lidhen me veprimtarinë e Agjencisë;
      • fakte ose ngjarje që mund të prekin veprimtarinë institucionale, administrative dhe juridike të Agjencisë;
      • gjendjen e subjekteve anëtare të skemës.
  3. Drejtori i Përgjithshëm, në ushtrimin e kompetencave të tij, nxjerr urdhëra, udhëzime dhe manuale me karakter të brendshëm, në zbatim të ligjit për sigurimin e depozitave dhe akteve nënligjore të miratuara nga Këshilli Drejtues.

Neni 9
Zëvendës Drejtori i Përgjithshëm
  1. Zëvendës Drejtori i Përgjithshëm mbështet Drejtorin e Përgjithshëm në ushtrimin e kompetencave të tij.
  2. Kompetencat e Zëvendës Drejtorit të Përgjithshëm, përcaktohen në këtë Statut, Përshkrimin e Punës dhe akte të tjera të miratuara me vendim të Këshillit Drejtues të Agjencisë.
  3. Në mungesë ose pamundësi të Drejtorit të Përgjithshëm për të vepruar, Zëvendës Drejtori i Përgjithshëm ushtron kompetencat për mbarëvajtjen e veprimtarisë së përditshme të Agjencisë, brenda kufijve të përcaktuar në rregulloren për nënshkrimet e autorizuara, të miratuar me vendim të Këshillit Drejtues të Agjencisë.

Neni 10
Përgjegjësit e sektorëve
  1. Përgjegjësit e sektorëve kryejnë aktivitetin e tyre në përputhje me ligjin “Për sigurimin e depozitave”, rregulloret e brendshme të organizimit dhe funksionimit të miratuara nga Këshilli Drejtues, si dhe përshkrimet përkatëse të punës.

Neni 11
Personeli
  1. Marrëdhëniet e punës në Agjencinë e Sigurimit të Depozitave rregullohen nga Kodi i Punës i Republikës së Shqipërisë dhe aktet e tjera të miratuara nga Këshilli Drejtues i Agjencisë.
  2. Drejtori i Përgjithshëm emëron dhe largon të gjithë punonjësit e Agjencisë në përputhje me Kodin e Punës të Republikës së Shqipërisë, si dhe kushtet dhe procedurat e punësimit të përcaktuara nga Këshilli Drejtues.
  3. Anëtarët e personelit punësohen dhe motivohen në bazë të parimeve të kualifikimit, transparencës, barazisë së palëve dhe jo diskriminimit.

Neni 12
Nënshkrimet e autorizuara
  1. Agjencia përfaqësohet dhe merr përsipër të drejta dhe detyrime nëpërmjet nënshkrimeve të autorizuara bazuar në dispozitat e këtij statuti, vendimeve të Këshillit Drejtues apo të akteve të tjera ligjore dhe nënligjore, ose marrëdhënieve kontraktore me të tretë.
  2. Nënshkrimet e autorizuara janë i vetmi element juridik i vlefshëm i përfaqësimit për administrimin dhe drejtimin e Agjencisë.
  3. Plotfuqishmëria e nënshkrimeve të autorizuara dhe tagrat e përfaqësimit, përcaktohen në Rregulloren për nënshkrimet e autorizuara.

Neni 13
Konfidencialiteti
  1. Anëtarët e Këshillit Drejtues, Drejtori i Përgjithshëm, Zëvendës Drejtori i Përgjithshëm dhe punonjësit e Agjencisë administrojnë informacionin konfidencial të përfituar nga kryerja e detyrave në Agjenci në përputhje me dispozitat e ligjit “Për sigurimin e depozitave”, aktet nënligjore të Agjencisë, si dhe legjislacionin për mbrojtjen e të dhënave personale.

KREU III
Administrimi i mjeteve financiare, raportimi dhe kontrolli

Neni 14
Administrimi i mjeteve financiare të fondeve të Agjencisë
  1. Agjencia administron mjetet financiare të fondeve të Agjencisë për sigurimin e depozitave në banka dhe shoqëritë e kursim-kreditit në përputhje me dispozitat e ligjit “Për sigurimin e depozitave” dhe aktet nënligjore në zbatim të tij.
  2. Agjencia harton, zbaton dhe përshtat politikat për administrimin e mjeteve financiare, brenda kufijve dhe në përputhje me parimet e parashikuara në ligjin “Për sigurimin e depozitave”, me qëllim përmbushjen në kohë të detyrimeve ndaj depozituesëve.
  3. Agjencia mund të lidhë marrëveshje me Ministrinë e Financave, Autoritetin Mbikëqyrës dhe institucionet financiare ndërkombëtare me qëllim sigurimin e likuiditetit dhe mjeteve financiare shtesë për përmbushjen e objektivave dhe funksioneve të saj.
  4. Agjencia harton dhe zbaton procedura për parashikimin në kohë të deficitit për fondet e kompensimit të depozitave.
  5. Agjencia mban llogari të veçanta kontabël për mjetet financiare të fondeve të Agjencisë për sigurimin e depozitave në banka dhe në shoqëritë e kursim-kreditit.

Neni 15
Administrimi i mjeteve financiare të
fondit të ndërhyrjes së jashtëzakonshme
  1. Mjetet financiare të fondit të ndërhyrjes së jashtëzakonshme administrohen nga Agjencia në përputhje me dispozitat e ligjit “Për ndërhyrjen e jashtëzakonshme” dhe me aktet nënligjore të miratuara nga Banka e Shqipërisë për këtë qëllim.
  2. Agjencia administron mjetet financiare të fondit të ndërhyrjes së jashtëzakonshme për llogari të Autoritetit të Ndërhyrjes së Jashtëzakonshme në pavarësi të plotë nga fondet e saj.
  3. Agjencia mund të nënshkruajë marrëveshje huaje për llogari të fondit të ndërhyrjes së jashtëzakonshme në përputhje me dispozitat e ligjit “Për ndërhyrjen e jashtëzakonshme”.

Neni 16
Mbajtja e pasqyrave financiare dhe raporti vjetor
  1. Viti financiar i Agjencisë hapet më 1 janar dhe mbyllet më 31 dhjetor.
  2. Agjencia, në përputhje me ligjin “Për kontabilitetin dhe pasqyrat financiare” dhe standardet kombëtare dhe ndërkombëtare të kontabilitetit dhe raportimit financiar, përgatit pasqyrat financiare vjetore të fondeve të saj, të cilat reflektojnë gjithmonë në mënyrë të saktë operacionet dhe gjendjen financiare të tyre.
  3. Agjencia përgatit raportin vjetor të veprimtarisë së saj, dhe e paraqet atë, së bashku me pasqyrat financiare të audituara në Kuvendin e Republikës së Shqipërisë, Këshillin e Ministrave dhe Autoritetin Mbikëqyrës, jo më vonë se 3 (tre) muaj nga mbyllja e vitit financiar.
  4. Agjencia përgatit raportin mbi veprimtarinë vjetore të investimit të mjeteve financiare të fondit të ndërhyrjes së jashtëzkonshme, dhe e paraqet atë, së bashku me pasqyrat financiare të audituara në Autoritetin e Ndërhyrjes së Jashtëzakonshme, jo më vonë se 3 (tre) muaj nga mbyllja e vitit financiar.
  5. Raportet Vjetore dhe pasqyrat financiare të audituara publikohen në faqen zyrtare të internetit të Agjencisë, pas miratimit të tyre.

Neni 17
Subjektet audituese
  1. Veprimtaria e Agjencisë auditohet nga auditues të brendshëm, auditues të jashtëm dhe Kontrolli i Lartë i Shtetit.
  2. Këshilli Drejtues shqyrton raportet e Kontrollit të Lartë të Shtetit, vlerëson rekomandimet e lëna, si dhe mbikëqyr zbatimin e tyre nga strukturat e Agjencisë.

Neni 18
Auditimi i brendshëm
  1. Audituesi i brendshëm dhe kriteret e përzgjedhjes së tij miratohen nga Këshilli Drejtues i Agjencisë dhe raporton pranë tij.
  2. Veprimtaria e auditimit të brendshëm të Agjencisë realizohet nëpërmjet shërbimit të kontraktimit. Audituesi i brendshëm i kontraktuar ushtron veprimtarinë e tij në përputhje me kuadrin ligjor për auditimin e brendshëm në sektorin publik.
  3. Këshilli Drejtues miraton planin strategjik dhe vjetor të audituesit të brendshëm.
  4. Këshilli Drejtues shqyrton dhe miraton raportet e audituesit të brendshëm, si dhe mbikëqyr zbatimin nga strukturat e Agjencisë të rekomandimeve të lëna.

Neni 19
Auditimi i jashtëm
  1. Audituesi i jashtëm i specializuar dhe kriteret e përzgjedhjes së tij miratohen nga Këshilli Drejtues i Agjencisë dhe raporton pranë tij.
  2. Audituesi i jashtëm i specializuar kryen auditimin e pasqyrave financiare vjetore të Agjencisë në përputhje me standardet ndërkombëtare të auditimit.
  3. Këshilli Drejtues shqyrton raportin e auditit të jashtëm të specializuar mbi pasqyrat financiare, vlerëson rekomandimet e lëna, si dhe mbikëqyr zbatimin e tyre nga strukturat e Agjencisë.

KREU IV
DISPOZITA PËRFUNDIMTARE

Neni 20
Informimi i publikut
  1. Agjencia ndërton dhe zhvillon në vazhdimësi faqen zyrtare të internetit, nëpërmjet së cilës publikon ndër të tjera informacionin e mëposhtëm:
    • veprimtarinë e Agjencisë;
    • mënyrën e funksionimit të skemës së sigurimit të depozitave;
    • kuadrin ligjor që rregullon skemën e sigurimit të depozitave, në veçanti aktet e nxjerra nga Këshilli Drejtues;
    • çdo informacion tjetër në përputhje me legjislacionin në fuqi për të drejtën e informimit.
  2. Agjencia ka të drejtë të përcjellë informacione edhe nëpërmjet mjeteve të tjera të komunikimit publik, si dhe të publikojë broshura, fletëpalosje etj.
    Neni 21 Përpunimi i të dhënave
  3. Agjencia mbledh, përpunon dhe publikon të dhëna lidhur me depozitat, me qëllim krijimin e bazës të nevojshme të të dhënave, për administrimin e skemës së sigurimit të depozitave.
  4. Dërgimi i bazës së të dhënave në institucione të tjera financiare ose studimore bëhet në bazë të marrëveshjeve të lidhura me këto institucione për shkëmbimin e informacionit, ose në mungesë të tyre, në bazë të kërkesës së institucionit të interesuar dhe me miratim të Drejtorit të Përgjithshëm të Agjencisë, në përputhje me legjislacionin për mbrojtjen e të dhënave personale, si dhe për ruajtjen e sekretit zyrtar dhe profesional.

Neni 22
Dispozita kalimtare
  1. Aktet e nxjerra nga Këshilli Drejtues i Agjencisë dhe Drejtori i Përgjithshëm, para hyrjes në fuqi të këtij statuti, do të vazhdojnë të zbatohen për aq kohë sa nuk bien në kundërshtim me ligjin për sigurimin e depozitave dhe me këtë statut. Këto akte mund të shfuqizohen vetëm nga organi që i ka nxjerrë.
  2. Të githa çështjet që nuk përcaktohen në këtë statut do të rregullohen sipas legjislacionit në fuqi.
  3. Ky statut është i disponueshëm për publikun në çdo kohë. Statuti publikohet në faqen zyrtare të internetit të Agjencisë.
Donald Duraj
Kryetar

STATUTI I AGJENCISË SË SIGURIMIT TË DEPOZITAVE
Scroll to Top