Z. Shkëlzen Margjeka

Shkëlzen Margjeka, auditues ligjor është anëtar i Institutit të Ekspertëve Kontabël të Autorizuar që nga viti 2008, partner anagzhimi dhe administrator i shoqërisë audituese “ACA MARGJEKA” shpk si dhe anëtar i Këshillit Drejtues të ASD.
Shkëlzen Margjeka ka qënë anëtar i Këshillit Drejtues të Institutit të Ekspertëve Kontabël të Autorizuar për përiudhën 2012-2021 si dhe Kryetar i Komitetit të Investigimit dhe Disiplinës të IEKA-s. Në vitin 1995-1999  ka qënë kryetar i Union e Pavarur Studentor Shqiptar.
Shkëlzen Margjeka ka mbaruar Fakultetin Ekonomik, Dega Finance-Kontabilitet në vitin 1998, ka mbaruar kursin pasuniversitar Financë-Bankë, Fakulteti – Ekonomik, Universiteti i Tiranës, viti 2000-2001 si dhe në vitin 2012-2014 ka mbaruar Master Shkencor në Finance-Banke, Universiteti Europian i Tiranës. Ai ka kryer kualifikime profesionale në vazhdimësi nga eksperte vendas dhe të huaj.
Shkëlzen Margjeka që nga viti 2000 e në vazhdim ka punuar si drejtor finance  në kompani sigurimi, kompani vendase dhe të huaja, ka dhënë konsulence financiare dhe fiskale,  ka ofruar shërbime në auditim-kontabilitet, ka bërë monitorime dhe kontrolle financiare  pranë KQZ, si dhe ka kryer akt-ekspertime në gjykatë dhe prokurori.

Znj. Vasilika Vjero

Zj.Vasilika Vjero ka lindur në qytetin e Tiranës në vitin 1976.
Zj.Vjero është diplomuar në Universiteti i Tiranës,  Fakulteti i Ekonomisë, në degën  Administrim Biznesi në vitin 1998. Në vitin 2003 përfundon një master nga Universiteti i Nebraskës, Lincoln USA, programi Master në Administrimin Publik në bashkëpunim me Universitetin e Tiranës, Fakulteti i Ekonomisë. Ajo gjithashtu është trajnuar lidhur me çështje të rritjes ekonomike nga Harvard Kennedy School.
Zj.Vjero ka mbajtur poste të larta drejtuese si, Drejtori i Përgjithshëm i Tatimeve, Drejtor i Përgjithshëm i Qendrës Kombëtare të Biznesit, Drejtor i Përgjithshëm i Autoritetit Rrugor Shqiptar.  Në karrierën e saj  numëron më shumë se 10 vite eksperiencë pune për Bashkinë e Tiranës në menaxhimin e Administratës Tatimore dhe Departamentit të Planifikimit Strategjik dhe buxheteve vendore, si dhe nje sërë eksperiencash si ekspert financiar me donatorë të huaj. Po ashtu ka shërbyer si ekspert i pavarur fiskal dhe buxhetor për qeverisjen lokale në Shqipëri për një total prej 24  bashkish dhe komunash në të gjithë vendin.
Zj.Vjero zotëron gjuhën angleze dhe atë italiane.

Z. Genci Mamani

Genci Mamani është Drejtor i Përgjithshëm i Agjencisë së Sigurimit të Depozitave dhe njëkohësisht anëtar i Këshillit Drejtues të saj.
Z. Mamani, ka mbaruar studimet në vitin 1991 pranë Universitetit të Tiranës, Fakulteti i Ekonomisë, Dega Financë.
Në vitin 2001 kreu studimet pasuniversitare pranë Universitetit Wisconsin – La Cross për financë – bankë. Në vitin 2012 ka kryer studimet pasuniversitare në nivelin master për Administrim Biznesi pranë International Hellenic University, në Selanik, Greqi.
Karrierën e tij Z. Mamani e ka nisur në vitin 1991 si ekonomist në Bankën e Shtetit. Më pas ka punuar pranë Bankës FEFAD (sot ProCredit Bank), Bankën Italo – Shqiptare  dhe më tej pranë Bankës së Shqipërisë deri në vitin 2015 duke mbajtur poste drejtuese në këto institucione.  Në korrik të vitit 2015 ai mori detyrën e Drejtorit të Agjencisë së Sigurimit të Depozitave.
Zoti Mamani zotëron gjuhët anglisht dhe italisht.

Z. Donald Duraj

Z. Donald Duraj është emëruar në detyrën e Kryetarit të Këshillit Drejtues të Agjencisë së Sigurimit të Depozitave në vitin 2015. Z. Donald Duraj ka një karrierë progresiste më shumë se 10-vjecare në sistemin bankar, pjesë integrale e së cilës kanë qenë pjesëmarrja mjaft aktive dhe arritjet e suksesshme brenda institucioneve të ndryshme prestigjioze financiare lokale dhe atyre në rrjetin ndërkombëtar si në Austri, Poloni, Sllovaki, Ukrainë e Bjellorusi. Që prej vitit 2015 Z. Duraj mban detyrën e Shefit të Kabinetit të Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë me përgjegjësi këshillimi, asistimi, raportimi dhe koordinimi për të gjitha çështjet e lidhura me mbarëvajtjen dhe mirëfunksionimin e Kabinetit por dhe të departamenteve të tjera të Bankës së Shqipërisë. Nga viti 2010 e deri në vitin 2015 Përgjegjës i Sektorit të Organizimit Komercial dhe Zhvillimit të Tregut në Bankën Societe Generale Albania duke luajtur një rol kryesor drejtimin strategjik, planifikimin afat-shkurtër dhe afat-gjatë, përcaktimin e objektivave kryesore, koordinimin e marrëdhënieve ndër-divizionale dhe ndër-institucionale, në nivel lokal dhe ndërkombëtar, me kompani publike dhe private, etj. Gjatë kësaj periudhe Z. Duraj ka drejtuar me sukses të paktën 15 projekte, ndër më të rëndësishmit për Bankën, dhe me një ndikim të drejtpërdrejtë në zgjerimin e aktivitetit në tregun lokal dhe në rritjen e përfitueshmërisë. Z. Duraj ka punuar nga viti 2005 deri në vitin 2010 në Raiffeisen Bank Albania dhe Raiffeisen Intenational Austria duke mbuluar pozicione kyçe të karakterit operacional dhe strategjik. Më të rëndësishmet prej tyre janë si Përgjegjës i Segmentit të Individëve, Përgjegjës i Produkteve i Kredisë Konsumatore, Drejtues i Projekteve në Programin “Retail Leadership” pranë Raiffeisen Intenational Austria, etj. Z. Duraj ka përfunduar studimet e larta në Fakultetin Ekonomik, Dega Financë – Profili Bankë, pranë Universitetit të Tiranës.

Kompensimi

Kur Banka e Shqipërisë merr vendim për vendosjen në likuidim të detyruar, për shkak se një institucion financiar (bankë ose shoqëri kursim – krediti) nuk është në gjendje të paguajë aktualisht dhe as në një kohë të afërt depozitat e qytetarëve si pasojë e përkeqësimit të gjendjes financiare, aktivizohet skema e sigurimit të depozitave dhe ASD-ja ngarkohet me detyrimin për të kompensuar depozituesit.

Procedura e pagesës së kompensimit depozitave.

Nëse njoftoheni nga mediat apo burime të tjera informacioni se banka apo shoqëria e kursim – kreditit ku keni vendosur kursimet tuaja është mbyllur, nuk duhet të shqetësoheni! Mjafton të ndiqni mediat apo të vizitoni faqen tonë të internetit për të marrë informacion në kohë në lidhje me procedurën e pagesës së kompensimit të depozitës tuaj.
Në përputhje me Ligjin për Sigurimit e Depozitave, sapo Banka e Shqipërisë njofton zyrtarisht vendimin se një institucion financiar (bankë ose shoqëri kursim – krediti) është vendosur në likuidim të detyruar dhe në këtë mënyrë nuk mund të paguajë detyrimet ndaj depozituesve të saj, ASD-ja është e detyruar të parashikojë fillimin e pagesës së depozitave brenda 90 ditëve të punës. Gjatë kësaj kohe, ASD do të përgatisë burimet e nevojshme të financimit, do të marrë shumën e saktë të kompensimit për çdo depozitues nga institucioni financiar (bankë ose shoqëri kursim-krediti) i falimentuar dhe do të publikojë njoftime me informacion të hollësishëm për:

datën e fillimit të pagesave të kompensimit
bankën ku mund të tërhiqen shumat e kompensimit
dokumentet që duhet të dorëzoni për të ushtruar të drejtën tuaj, kartë identiteti ose pasaportë të vlefshme apo çdo dokument tjetër që vërteton pretendimin mbi kompensimin e depozitës
ankesat e mundshme dhe mënyrën, kohën dhe vendin e paraqitjes së tyre.

Sipas udhëzimeve të dhëna në njoftimet e ASD-së, duhet të paraqiteni në degët e bankës të specifikuar në njoftim, me dokumentet tuaja të identifikimit. Aty do të merrni një dokument të gjeneruar automatikisht me informacion mbi shumën e saktë të kompensimit, bazuar në të dhënat e marra nga institucioni financiar (bankë ose shoqëri kursim-krediti) i falimentuar. Ju duhet të kontrolloni saktësinë e të dhënave dhe nëse të gjitha të dhënat janë të sakta, do të nënshkruani Vërtetimin për pagesën e kompensimit. Kompensimi paguhet menjëherë, sapo të nënshkruani Vërtetimin e pagesës së kompensimit.
Kompensimi mund të paguhet me transfertë bankare apo me para në dorë. Për shkak të sigurisë dhe efektivitetit mënyra e preferuar e pagesës së kompensimit është me transfertë bankare.
Afati i kryerjes së pagesave të kompensimit shtyhet për depozitat që kërkojnë kohë për të përcaktuar saktë titullarin dhe vlerën e tyre në raste si procedurat e ankimimeve, të ndarjes së trashëgimisë, të parandalimit të pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit, të çështjeve të sekuestros ose zbatimit të vendimeve të organeve administrative e gjyqësore, etj.  
Nëse nuk jeni dakord me të dhënat e deklaruara në Formularin e Kompensimit, mund të filloni procedurën e ankimimit. Mjafton të plotësoni formularin e ankesave dhe ta dorëzoni atë në Agjenci, me të dhënat tuaja, shpjegimin dhe dokumentacionin e kërkuar bashkëngjitur. Struktura përkatëse në ASD do të kryejë verifikimet për të  konstatuar saktësinë e shumës së kompensimit sa më shpejt që të jetë e mundur dhe do të marrë një vendim në bazë të të cilit do të paguhet kompensimi.

Depozituesit kanë një afat kohor 10 vjeçar për të tërhequr shumën e kompensimit.

Nëse depozita është më e lartë se niveli maksimal i sigurimit të depozitave, pra më e lartë se 2.500.000 Lek për depozitat në banka dhe 2.000.000 Lek për depozitat në shoqëritë e kursim-kreditit, shuma e mbetur duhet të kërkohet nga institucioni financiar i vendosur në procedurë falimentimi apo likuidimi.

Kur kompensohet një depozitë?

Në bazë të ligjit “Për Sigurimin e Depozitave”, një depozitë e rregullt dhe e pagueshme kompensohet, në rast se një subjekt i skemës së sigurimit nuk është në gjëndje financiare ta paguajë atë. Kompensimi i depozitës së siguruar është vlera monetare që i njihet ose i paguhet depozituesit në rast të ngjarjes së sigurimit, në përputhje me këtë ligj.

Procesi i kompensimit

Agjencia e Sigurimit të Depozitave është institucioni i vetëm që kompenson depozitat e depozituesve të bankave/shkk-ve, që kryejnë aktivitetin e tyre në territorin e Republikës së Shqipërisë.
Procedurat e kompensimit fillojnë menjëherë në momentin kur Agjencia njoftohet me shkrim nga Autoriteti Mbikëqyrës për vendosjen e subjektit anëtar të skemës së sigurimit të depozitave në likuidim të detyruar. Agjencia publikon njoftimin për fillimin e procesit të kompensimit dhe vendin e kohën për kompensimin e depozitave brenda 3 ditëve pas njoftimit me shkrim nga Banka e Shqipërisë për vendosjen e subjektit në likuidim të detyruar.
Depozituesi ose përfaqësuesi i tij ka të drejtë ta marrë informacionin drejtpërdrejt në mjediset e subjektit të vendosur në likuidim të detyruar, në unionin e SHKK-ve ose në bankën agjente. Banka agjente ose unioni shkk që do të kryejë procesin e kompensimit caktohet me vendim të Këshillit Drejtues të Agjencisë, në përputhje me kriteret e përzgjedhjes, të propozuara nga Agjencia dhe të miratuara nga Banka e Shqipërisë.
Në mbështetje të ligjit “Për Sigurimin e Depozitave ” , Procesi I Kompensimi përfundon jo më vonë se tre muaj nga data e fillimit të tij. Me përfundimin e afatit ligjor të procesit të kompensimit, çdo depozitues , që për arsye të caktuara , nuk është kompensuar në përputhje me kërkesat e këtij ligji , mund të paraqitet brenda 10 vjetëve nga ngjarja e siguruar pranë Agjencisë për pretendimin e shumës së kompensimit.

Format e pagesës

Agjencia mund të kompensojë depozitën e siguruar nëpërmjet njërës prej këtyre mënyrave:

pagesës së shumës në lekë personit në ambientet e subjektit të vendosur në likuidim në bashkëpunim me likuidatorin;
pagesës së shumës në lekë personit në ambientet e një banke anëtare të skemës (banka agjente);
transfertës së shumës që përfitohet nga depozituesi në një bankë anëtare të skemës së sigurimit të depozitave;
pagesës me çek; mënyra të tjera pagese të miratuara me akt nënligjor të Autoritetit Mbikëqyrës.

Cdo depozitues do të kompensohet për shumën 2.500.000 lekë për cdo bankë dhe 2.000.000 lekë për cdo shkk. Të gjitha depozitat që janë në monedhë të huaj, do të konvertohen në lekë me kursin zyrtar të këmbimit të monedhës të Bankës së Shqipërisë, në ditën e kalimit të bankës në likuidim. Për Depozituesit që kanë detyrime me vonese ndaj bankës/ shkk-së, (këste të prapambetura kredie, pension fëmijësh etj),  shumës së detyrimit ligjor do ti zbriten detyrimet e prapambetura.

Dokumentacioni që duhet të ketë depozituesi i bankës

Dokument identifikues
Dokumentin e depozitës
Cdo dokument tjetër që vërteton pretendimin mbi kompensimin e depozitës

Pyetjet më të shpeshta

Scroll to Top