Endrit Yzeiraj

Endrit Yzeiraj është lindur në Tiranë, më 18 Shkurt 1985. Prej muajit Tetor 2025 mban postin e Zëvendësministrit të Financave. Ka përfunduar studimet për Ekonomi dhe Shkenca Politike në Grand Valley State University në Shtetet e Bashkuara në vitin 2007. Në vitin 2010 përfundoi studimet për Master Shkencor në Ekonomi në Universitetin e Warwick në Mbretërinë e Bashkuar. Nga viti 2011 në vitin 2016 ka punuar pranë Departamentit të Kërkimeve Ekonomike në Bankën e Shqipërisë. Fokusi i studimeve dhe analizave kanë qenë inflacioni dhe ciklet makroekonomike, tregtia, çmimet e banesave, dhe rritja afatgjatë në vendet në zhvillim. Nga viti 2016 në vitin 2023 ka punuar si Menaxher për Monitorimin dhe Vlerësimin e Projekteve pranë Fondacionit Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim. Puna e tij fokusohej në ngritjen e indikatorëve dhe bazës së të dhënave si dhe në analizat statistikore dhe mikro-ekonometrike për të vlerësuar efektivitetin e projekteve. Nga viti 2023 deri në Shtator 2024 ka mbuluar portofolin e zhvillimit ekonomik në rolin e Zëvendësministrit në Ministrinë e Financave dhe Ekonomisë, e më pas në Ministrinë e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit. Nga Shtatori 2024 deri në Tetor 2025 ka mbajtur rolin e Zëvendësministrit për Evropën dhe Punët e Jashtme, përgjegjës për portofolin e diplomacisë ekonomike. Z. Yzeiraj ka qenë i angazhuar si konsulent i jashtëm në projekte të Bankës Botërore me fokus mbi stimujt fiskal dhe sistemet e pagesave. Gjithashtu, është lektor i jashtëm në Universitetin e New York Tirana për kurse të mikroekonomisë dhe ekonomisë ndërkombëtare.

Scroll to Top