Andi Memeti
Z. Andi Memeti mban detyrën e Zëvendësministrit të Financave që prej datës 20 Mars 2025. Përpara kësaj detyre, z. Memeti ka punuar për disa kompani ndërkombëtare, në disa pozicione të ndryshme në fushën e Financave dhe Auditimit, ku vlen të përmenden eksperienca e tij si Zëvendës President i Auditimit në Departamentin e Thesarit dhe Planifikimit Kapital pranë bankës ndërkombëtare të investimeve, Citibank, në Londër, Mbretëri e Bashkuar dhe eksperienca e tij si ekspert (Asistent Menaxher) i Auditimit të Jashtëm për kompaninë më të madhe në botë në fushën e Konsulencës Financiare, Auditimit dhe Taksave, Deloitte, në selinë qëndrore në Londër. Gjatë karrierës profesionale 12 vjeçare në fushën e shërbimeve financiare dhe bankare në Londër, z. Memeti është zhvilluar profesionalisht nëpërmjet trajnimeve dhe certifikimeve të vazhdueshme në fushën e auditimit, kontabilitetit apo taksave. Në vitin 2006, Z. Memeti u zhvendos në Mbretërinë e Bashkuar ku perfundoi studimet e shkollës së mesme në kolegjin ‘Mill Hill School’, Londër me rezultate të shkëlqyera. Studimet e nivelit bachelor, diplomë e dyfishtë në degët Politikë dhe Politika Sociale, z. Memeti i ka kryer në një nga universitetet më të mirë në Mbretërinë e Bashkuar, pjesë e Russell Group, në Universitetin e Bristolit. Gjate kësaj periudhe, z. Memeti ka ndjekur dhe studime shtesë në lëndë ekonomike si makroekonomi, mikroekonomi apo metodat kuantitative. Studimet master i ka kryer për Politikë, Siguri dhe Integrim në University College London (UCL), renditur rregullisht si një nga 10 universitetet më të mirë në botë.
