Z. Shkëlzen Margjeka

Shkëlzen Margjeka, auditues ligjor është anëtar i Institutit të Ekspertëve Kontabël të Autorizuar që nga viti 2008, partner anagzhimi dhe administrator i shoqërisë audituese “ACA MARGJEKA” shpk si dhe anëtar i Këshillit Drejtues të ASD.
Shkëlzen Margjeka ka qënë anëtar i Këshillit Drejtues të Institutit të Ekspertëve Kontabël të Autorizuar për përiudhën 2012-2021 si dhe Kryetar i Komitetit të Investigimit dhe Disiplinës të IEKA-s. Në vitin 1995-1999  ka qënë kryetar i Union e Pavarur Studentor Shqiptar.
Shkëlzen Margjeka ka mbaruar Fakultetin Ekonomik, Dega Finance-Kontabilitet në vitin 1998, ka mbaruar kursin pasuniversitar Financë-Bankë, Fakulteti – Ekonomik, Universiteti i Tiranës, viti 2000-2001 si dhe në vitin 2012-2014 ka mbaruar Master Shkencor në Finance-Banke, Universiteti Europian i Tiranës. Ai ka kryer kualifikime profesionale në vazhdimësi nga eksperte vendas dhe të huaj.
Shkëlzen Margjeka që nga viti 2000 e në vazhdim ka punuar si drejtor finance  në kompani sigurimi, kompani vendase dhe të huaja, ka dhënë konsulence financiare dhe fiskale,  ka ofruar shërbime në auditim-kontabilitet, ka bërë monitorime dhe kontrolle financiare  pranë KQZ, si dhe ka kryer akt-ekspertime në gjykatë dhe prokurori.

Znj. Vasilika Vjero

Zj.Vasilika Vjero ka lindur në qytetin e Tiranës në vitin 1976.
Zj.Vjero është diplomuar në Universiteti i Tiranës,  Fakulteti i Ekonomisë, në degën  Administrim Biznesi në vitin 1998. Në vitin 2003 përfundon një master nga Universiteti i Nebraskës, Lincoln USA, programi Master në Administrimin Publik në bashkëpunim me Universitetin e Tiranës, Fakulteti i Ekonomisë. Ajo gjithashtu është trajnuar lidhur me çështje të rritjes ekonomike nga Harvard Kennedy School.
Zj.Vjero ka mbajtur poste të larta drejtuese si, Drejtori i Përgjithshëm i Tatimeve, Drejtor i Përgjithshëm i Qendrës Kombëtare të Biznesit, Drejtor i Përgjithshëm i Autoritetit Rrugor Shqiptar.  Në karrierën e saj  numëron më shumë se 10 vite eksperiencë pune për Bashkinë e Tiranës në menaxhimin e Administratës Tatimore dhe Departamentit të Planifikimit Strategjik dhe buxheteve vendore, si dhe nje sërë eksperiencash si ekspert financiar me donatorë të huaj. Po ashtu ka shërbyer si ekspert i pavarur fiskal dhe buxhetor për qeverisjen lokale në Shqipëri për një total prej 24  bashkish dhe komunash në të gjithë vendin.
Zj.Vjero zotëron gjuhën angleze dhe atë italiane.

Z. Genci Mamani

Genci Mamani është Drejtor i Përgjithshëm i Agjencisë së Sigurimit të Depozitave dhe njëkohësisht anëtar i Këshillit Drejtues të saj.
Z. Mamani, ka mbaruar studimet në vitin 1991 pranë Universitetit të Tiranës, Fakulteti i Ekonomisë, Dega Financë.
Në vitin 2001 kreu studimet pasuniversitare pranë Universitetit Wisconsin – La Cross për financë – bankë. Në vitin 2012 ka kryer studimet pasuniversitare në nivelin master për Administrim Biznesi pranë International Hellenic University, në Selanik, Greqi.
Karrierën e tij Z. Mamani e ka nisur në vitin 1991 si ekonomist në Bankën e Shtetit. Më pas ka punuar pranë Bankës FEFAD (sot ProCredit Bank), Bankën Italo – Shqiptare  dhe më tej pranë Bankës së Shqipërisë deri në vitin 2015 duke mbajtur poste drejtuese në këto institucione.  Në korrik të vitit 2015 ai mori detyrën e Drejtorit të Agjencisë së Sigurimit të Depozitave.
Zoti Mamani zotëron gjuhët anglisht dhe italisht.

Z. Donald Duraj

Z. Donald Duraj është emëruar në detyrën e Kryetarit të Këshillit Drejtues të Agjencisë së Sigurimit të Depozitave në vitin 2015. Z. Donald Duraj ka një karrierë progresiste më shumë se 10-vjecare në sistemin bankar, pjesë integrale e së cilës kanë qenë pjesëmarrja mjaft aktive dhe arritjet e suksesshme brenda institucioneve të ndryshme prestigjioze financiare lokale dhe atyre në rrjetin ndërkombëtar si në Austri, Poloni, Sllovaki, Ukrainë e Bjellorusi. Që prej vitit 2015 Z. Duraj mban detyrën e Shefit të Kabinetit të Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë me përgjegjësi këshillimi, asistimi, raportimi dhe koordinimi për të gjitha çështjet e lidhura me mbarëvajtjen dhe mirëfunksionimin e Kabinetit por dhe të departamenteve të tjera të Bankës së Shqipërisë. Nga viti 2010 e deri në vitin 2015 Përgjegjës i Sektorit të Organizimit Komercial dhe Zhvillimit të Tregut në Bankën Societe Generale Albania duke luajtur një rol kryesor drejtimin strategjik, planifikimin afat-shkurtër dhe afat-gjatë, përcaktimin e objektivave kryesore, koordinimin e marrëdhënieve ndër-divizionale dhe ndër-institucionale, në nivel lokal dhe ndërkombëtar, me kompani publike dhe private, etj. Gjatë kësaj periudhe Z. Duraj ka drejtuar me sukses të paktën 15 projekte, ndër më të rëndësishmit për Bankën, dhe me një ndikim të drejtpërdrejtë në zgjerimin e aktivitetit në tregun lokal dhe në rritjen e përfitueshmërisë. Z. Duraj ka punuar nga viti 2005 deri në vitin 2010 në Raiffeisen Bank Albania dhe Raiffeisen Intenational Austria duke mbuluar pozicione kyçe të karakterit operacional dhe strategjik. Më të rëndësishmet prej tyre janë si Përgjegjës i Segmentit të Individëve, Përgjegjës i Produkteve i Kredisë Konsumatore, Drejtues i Projekteve në Programin “Retail Leadership” pranë Raiffeisen Intenational Austria, etj. Z. Duraj ka përfunduar studimet e larta në Fakultetin Ekonomik, Dega Financë – Profili Bankë, pranë Universitetit të Tiranës.

04/09/2019

Agjencia e Sigurimit të Depozitave organizon mbledhjen e 40të të siguruesve të Evropës dhe Seminarin teknik me temë “Planet e Kontigjencës, Menaxhimi i Krizave dhe Rastet e Ndërhyrjes së Jashtëzakonshme”.

Agjencia e Sigurimit të Depozitave në bashkëpunim me Shoqatën Ndërkombëtare të Siguruesve të Depozitave (International Association of Deposit Insurers-IADI) organizoi mbledhjen e Komitetit Rajonal të Evropës (Europe Regional Committee-ERC) të IADI-t si dhe seminarin teknik me temë “Planet e Kontigjencës dhe Menaxhimi i Krizave/Rastet e Ndërhyrjes së Jashtëzakonshme”, në datat 4 dhe 5 Prill 2019.

Komiteti Rajonal i Evropës (KRE) është komiteti më i madh rajonal të IADI-t duke qenë se në të marrin pjesë pothuajse të gjitha institucionet e sigurimit të depozitave të Evropës. Në fjalën e hapjes të takimit, Drejtori i Përgjithshëm i Agjencisë së Sigurimit të Depozitave, Z. Genci Mamani, duke i uruar mirëseardhjen pjesëmarrësve nënvizoi rëndësinë që kanë mbledhjet e KRE duke qenë se ato ofrojnë mundësi për shkëmbimin e eksperiencave dhe përfitimin nga praktikat më të mira në fushën e sigurimit të depozitave.

Në mbledhjen e KRE, e cila organizohej për herë të parë në një vend jo anëtar të Bashkimit Evropian, u diskutuan zhvillimet më të fundit rajonale dhe në juridiksione të veçanta sa i takon sigurimit të depozitave. Gjithashtu, temë e diskutimeve ishte dhe roli i KRE dhe aktivitetet përkatëse në funksion të Objektivave Strategjikë të IADI-t.

Takimi vjetor i KRE u përshëndet dhe nga Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Z. Gent Sejko. Në fjalën e tij Guvernatori Sejko, vuri theksin te bashkëpunimi ndërmjet anëtarëve të rrjetit të sigurisë financiare, si një element kyç në administrimin me efikasitet të sistemit financiar e bankar si dhe në përballimin me sukses të situatave që mund të kërkojnë ndërhyrjen e autoriteteve të mbikëqyrjes financiare. Në këtë këndvështrim, duke iu referuar bashkëpunimit me Agjencinë e Sigurimit të Depozitave, Guvernatori Sejko tha se “Marrëdhënia ndërmjet Bankës së Shqipërisë dhe Agjencisë së Sigurimit të Depozitave është zhvilluar në mënyrë të vazhdueshme dhe përgjatë viteve ka marrë formën e një partneriteti dhe bashkëpunimi të qëndrueshëm, duke i mundësuar institucioneve tona të përmbushin misionet e tyre, që në fakt plotësojnë njëri-tjetrin”.

Aktiviteti i organizuar nga Agjencia e Sigurimit të Depozitave, në të cilin merrnin pjesë 70 përfaqësues nga 28 juridiksione të ndryshme, vazhdoi me seminarin teknik në lidhje me “Planet e Kontigjencës, Menaxhimin e Krizave dhe Rastet e Ndërhyrjes së Jashtëzakonshme”. Qëllimi kryesor i seminarit teknik ishte diskutimi i thelluar i Parimeve Themelore për Skema Efektive të Sigurimit të Depozitave 6 dhe 14 të  IADI-t duke eksploruar proceset dhe politikat e nevojshme që i duhen një skeme të sigurimit te depozitave për hartimin e një Plani Kontigjence duke përdorur mjetet dhe burimet e duhura për të përballuar në mënyrë efektive një krize të mundshme financiare si edhe rastet e ndërhyrjes se jashtëzakonshme. Gjatë dy ditëve të seminarit teknik pjesëmarrësit patën mundësinë, përmes sesioneve teorike dhe praktike, të njiheshin dhe diskutonin me prezantimet dhe rastet studimore të ekspertëve nga Kanadaja, Kroacia, Greqia, Italia, Kosova, Holanda, Polonia, Rumania, Rusia, Turqia, Mbretëria e Bashkuar, Shtetet e Bashkuar si dhe Qendra Këshillimore e Sektorit Financiar të Bankës Botërore.

Seminari u përshëndet gjithashtu, nga Zv. Guvernatorja e Bankës së Shqipërisë Znj. Natasha Ahmetaj, e cila tha se krijimi dhe ruajta e besimit të publikut është nja nga funksionet kryesore të Bankës së Shqipërisë. Në këtë drejtim, bashkëpunimi i Bankës së Shqipërisë me Agjencinë e Sigurimit të Depozitave merr një rëndësi thelbësore. Në fjalën e saj, Znj. Ahmetaj tha se, Banka e Shqipërisë ka draftuar planet e ndërhyrjes së jashtëzakonshme për bankat sistemike dhe këto plane janë konsultuar plotësisht me ASD-në. në lidhje me këtë, Zv. Guvernatorja Ahmetaj theksoi se, pa opinionin e institucionit të sigurimit të depozitave asnjë  plan i ndërhyrjes së jashtëzakonshme nuk mund të konsiderohet i besueshëm. Vlen për t’u përmendur pjesëmarrja dhe prezantimi Z. Dominique Laboureix, anëtar i Bordit të Ndërhyrjes së Jashtëzakonshme (BNJ) të Bashkimit Evropian si dhe Drejtor për Planifikimin dhe Vendimmarrjen në këtë organizëm. Ai i njohu pjesëmarrësit me zhvillimet më të fundit në kuadrin rregullator evropian të ndërhyrjes së jashtëzakonshme si dhe përqasjen e BNJ kundrejt sfidave me të cilat përballet.

Duke marrë në konsideratë rëndësinë e bashkëpunimit ndërinstitucional në zgjidhjen e situatave problematike financiare, në punimet e seminarit teknik merrnin pjesë zyrtarë të nivelit të lartë të Bankës së Shqipërisë si dhe përfaqësues të bankave të nivelit të dytë.

Scroll to Top