09/29/2026

Agjencia e Sigurimit të Depozitave, merr pjesë në takimin përmbyllës të misionit të përbashkët të FMN-së dhe BB-së për Vlerësimin e Sektorit Financiar në Shqipëri.

Agjencia e Sigurimit të Depozitave, e përfaqësuar nga Drejtori i Përgjithshëm z. Mina Kusta, mori pjesë më 28 shtator 2026 në takimin përmbyllës të Programit të Vlerësimit të Sektorit Financiar (Financial Sector Assessment Program – FSAP). Takimi u zhvillua në Bankën e Shqipërisë me përfaqësuesit e misionit të përbashkët të Fondit Monetar Ndërkombëtar dhe Bankës Botërore, nën drejtimin e Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë, z. Gent Sejko. Në takim ishin të pranishëm edhe drejtues të lartë të Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare dhe të Ministrisë së Financave.

FSAP është vlerësimi më gjithëpërfshirës që FMN-ja dhe Banka Botërore kryejnë për sektorin financiar të një vendi. Ai shqyrton qëndrueshmërinë e sistemit përballë rreziqeve, efektivitetin e rregullimit dhe të mbikëqyrjes, si dhe kapacitetet e autoriteteve për të parandaluar dhe për të administruar krizat financiare. Vlerësimi i vitit 2026 u zhvillua me kërkesë të autoriteteve shqiptare, më shumë se një dekadë pas FSAP-it të mëparshëm.

Në cilësinë e institucionit përgjegjës për skemën e sigurimit të depozitave dhe si pjesë e rrjetit të sigurisë financiare, Agjencia e Sigurimit të Depozitave është përfshirë në vlerësimin e kuadrit institucional për administrimin e krizave financiare. Gjatë procesit, ekspertët e ASD-së kanë ofruar të dhëna, analiza dhe informacion mbi funksionimin e skemës. Ata kanë marrë pjesë në diskutimet teknike mbi gatishmërinë për kompensimin e depozituesve, burimet financiare të skemës dhe bashkërendimin me autoritetet e tjera të rrjetit të sigurisë financiare.

Në takim, përfaqësuesit e FSAP-it theksuan progresin e bërë nga sistemi financiar, si dhe nga kuadri i tij rregullator që prej vlerësimit të mëparshëm në periudhën 2013–2014. Sipas vlerësimit të fundit, tani Shqipëria ka institucione financiare më të shëndetshme, një sistem financiar më të larmishëm, me një infrastrukturë pagesash të modernizuar, zgjerim të ndërmjetësimit financiar dhe adoptim të risive teknologjike në ofrimin e produkteve financiare. Këto zhvillime janë mbështetur nga një kuadër ligjor dhe rregullativ që është përafruar ndjeshëm me atë të Bashkimit Evropian, duke mundësuar një mbikëqyrje më efektive dhe më të plotë nga autoritetet publike përkatëse.

Agjencia e Sigurimit të Depozitave mbetet e angazhuar të reflektojë rekomandimet përkatëse të vlerësimit në procesin në vijim të rishikimit të kuadrit ligjor për sigurimin e depozitave dhe të përafrimit me acquis të BE-së. Qëllimi është forcimi i mëtejshëm i skemës së sigurimit të depozitave në përputhje me standardet ndërkombëtare dhe kontributi në stabilitetin financiar të vendit.

Scroll to Top