03/18/2026

Çelet Java Globale e Parasë 2026!

Java Globale e Parasë 2026 ka nisur, duke vendosur në qendër rëndësinë e edukimit financiar për fëmijët dhe të rinjtë. Kjo nismë ndërkombëtare synon të rrisë ndërgjegjësimin mbi menaxhimin e parasë dhe të ndihmojë brezin e ri të ndërtojë një marrëdhënie më të shëndetshme dhe të përgjegjshme me financat.

Ceremonia e hapjes u zhvillua në ambientet e Bankës së Shqipërisë dhe aktivitetin e përshëndeti Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, z. Gent Sejko, i cili theksoi rëndësinë në rritje të edukimit financiar, veçanërisht në një kohë kur zhvillimet teknologjike po ndryshojnë mënyrën se si individët ndërveprojnë me shërbimet financiare.

Gjatë kësaj Jave, përmes një sërë aktivitetesh edukative, si leksione të hapura, konkurse dhe iniciativa ndërvepruese, pjesëmarrësit do të kenë mundësinë të njihen më nga afër me konceptet bazë financiare dhe të zhvillojnë aftësi praktike për vendimmarrje të zgjuar financiare.

Agjencia e Sigurimit të Depozitave, në bashkëpunim me Bankën e Shqipërisë, Ministrinë e Arsimit, Shoqatën Shqiptare të Bankave, ka kontribuar ndër vite në organizimin e aktiviteteve ndërgjegjësuese dhe edukative për nxënës dhe studentë.

Përmes pjesëmarrjes në këtë nismë, Agjencia synon të inkurajojë të rinjtë të informohen më shumë dhe të zhvillojnë aftësi praktike për të marrë vendime të përgjegjshme financiare, duke kontribuar në mirëqenien e tyre afatgjatë dhe në një sistem financiar më të qëndrueshëm.

Scroll to Top