06/11/2025

Agjencia e Sigurimit të Depozitave merr pjesë në Takimin Vjetor të EFDI dhe Konferencën Ndërkombëtare të Siguruesve të Depozitave.

Në datat 4–6 qershor 2025, një delegacion i Agjencisë së Sigurimit të Depozitave (ASD), i kryesuar nga Drejtori i Përgjithshëm z. Genci Mamani, mori pjesë në Takimin e Përgjithshëm Vjetor dhe Konferencën Ndërkombëtare të Forumit Evropian të Siguruesve të Depozitave (EFDI), të mbajtur në Madrid, Spanjë.

Tema kryesore e konferencës së këtij viti ishte: “Forcimi i qëndrueshmërisë financiare përmes bashkëpunimit dhe zhvillimit të sistemeve moderne të sigurimit të depozitave.” Në këtë event morën pjesë përfaqësues të institucioneve të sigurimit të depozitave nga vendet anëtare të BE-së dhe vende të tjera, përfaqësues të organizmave të Komisionit Evropian, Bankës Qendrore Evropiane, Autoritetit Bankar Evropian si dhe drejtues të organizatave ndërkombëtare si Shoqata Ndërkombëtare e Siguruesve të Depozitave (IADI), etj.

Gjatë punimeve të konferencës, ndër të tjera, një nga temat qendrore të diskutimit ishte edhe propozimi për reformimin e Direktivës së BE për Skemat e Garantimit të Depozitave (DGSD), në kuadër të paketës legjislative të Komisionit Evropian për Menaxhimin e Krizave dhe Sigurimin e Depozitave (CMDI). Diskutimet u fokusuan në ndikimet e mundshme të ndryshimeve të propozuara mbi rolin, përgjegjësitë dhe mjetet financiare të institucioneve të sigurimit të depozitave, si dhe përmirësimin e efektivitetit të ndërhyrjeve në rastet e dështimit të bankave.

Në kuadër të takimeve dypalëshe të zhvilluara gjatë kësaj vizite, vlen të theksohet takimi dypalësh që delegacioni i ASD-së zhvilloi me z. Ahmet Ismaili, Guvernator i Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës dhe njëkohësisht Kryesues i Bordit Menaxhues të Fondit të Sigurimit të Depozitave të Kosovës (FSDK).

Takimi u përqendrua në forcimin e bashkëpunimit të shkëlqyer ndërmjet dy institucioneve homologe në Kosovë dhe Shqipëri, i cili është ndërtuar mbi bazën e besimit dhe shkëmbimit të vazhdueshëm teknik e institucional ndër vite. U vlerësua kontributi i ndërsjellë në zhvillimin e kapaciteteve institucionale dhe shkëmbimin e praktikave më të mira në fushën e sigurimit të depozitave.

Palët theksuan rëndësinë e koordinimit në përmbushjen e objektivave strategjike për përafrimin me Direktivën e BE-së për Skemat e Garantimit të Depozitave, si pjesë e angazhimeve kombëtare për integrimin në Bashkimin Evropian. Në këtë drejtim, u diskutuan sfidat e përbashkëta në përshtatjen e legjislacionit dhe praktikave mbikëqyrëse me standardet evropiane dhe zhvillimet në nivel ndërkombëtar.

Pjesëmarrja e ASD-së në këtë forum të rëndësishëm ndërkombëtar përbën një dëshmi të qartë të angazhimit të saj për rritjen e bashkëpunimit me partnerët evropianë dhe ndërkombëtarë, si dhe për avancimin e përpjekjeve në drejtim të përafrimit me acquis communautaire të BE-së në fushën e sigurimit të depozitave.

Scroll to Top