11/15/2024

Agjencia e Sigurimit të Depozitave dhe Shoqata Shqiptare e Bankave Organizojnë Takim mbi Sigurinë Kibernetike

Tiranë, 14.11.2024 – Agjencia e Sigurimit të Depozitave, në bashkëpunim me Shoqatën Shqiptare të Bankave, organizoi një takim ndërgjegjësues mbi rëndësinë e sigurisë kibernetike në sistemin financiar. Në këtë aktivitet morën pjesë përfaqësues të Bankës së Shqipërisë dhe të gjitha bankave të sistemit bankar në vend.

Qëllimi kryesor i takimit ishte adresimi i sfidave të përbashkëta në identifikimin dhe mitigimin e rreziqeve nga kërcënimet kibernetike. Diskutimet u përqendruan në ruajtjen e besimit të publikut në sistemin financiar, përmes rritjes së sigurisë së të dhënave dhe mbrojtjes së informacionit të depozituesve.

Fjalën kryesore e mbajti eksperti i sigurisë kibernetike në Departamentin e Thesarit të Shteteve të Bashkuara, Z. Khalid Simaan. Ai prezantoi një panoramë të gjerë mbi rreziqet kibernetike, standardet ndërkombëtare rregullatore dhe mënyrat se si Agjencia e Sigurimit të Depozitave, në bashkëpunim me Bankën e Shqipërisë dhe bankat anëtare të skemës së sigurimit të depozitave, mund të kontribuojë në forcimin e sigurisë së informacionit që lidhet me depozitat.

Pjesëmarrësit ndanë përvojat dhe praktikat më të mira në adresimin e rreziqeve kibernetike dhe diskutuan mënyrat më efikase të bashkëpunimit për të garantuar një mbrojtje të fortë kundër sulmeve të mundshme kibernetike.

Ky takim është një hap i rëndësishëm drejt rritjes së ndërgjegjësimit dhe forcimit të kapaciteteve në përballjen me sfidat kibernetike, duke kontribuar në mënyrë aktive për një sistem financiar më të sigurt dhe të qëndrueshëm.

Scroll to Top