Më 7 prill 2026, në ambientet e Shoqatës Shqiptare të Bankave (AAB), u zhvillua ceremonia e shpërndarjes së certifikatave për ekipet fituese të Kuizit Kombëtar të Parasë 2026, në shenjë vlerësimi për përkushtimin dhe rezultatet e arritura nga nxënësit pjesëmarrës.
Në këtë aktivitet morën pjesë përfaqësues të institucioneve organizuese dhe mbështetëse të këtij eventi, ndër të cilët z. Altin Tanku, Drejtor i Departamentit të Kërkimeve në Bankën e Shqipërisë, z. Martin Blushi, Zëvendës Drejtor i Përgjithshëm i Agjencisë së Sigurimit të Depozitave, si dhe z. Spiro Brumbulli, Sekretar i Përgjithshëm i Shoqatës Shqiptare të Bankave. Në fjalën e tyre përshëndetëse, ata vlerësuan nivelin e lartë të njohurive financiare dhe performancën e treguar nga nxënësit gjatë garës.
Vendin e parë e fitoi ekipi i përbërë nga Marinela Hoxha dhe Majla Idrizi, nxënëse të shkollës 9-vjeçare “Imelda Lambertini” në Elbasan, të cilat do të përfaqësojnë Shqipërinë në finalen evropiane që do të zhvillohet në Bruksel.
Gjithashtu, u vlerësuan me certifikata edhe ekipet e vendeve të dyta dhe të treta, përkatësisht Ajlsi Manushi dhe Aira Hoxha, si dhe David Cepa dhe Bjork Bylykbashi.
Në përfundim të aktivitetit, u theksua rëndësia e përgatitjes për finalen evropiane, e planifikuar të zhvillohet më 19 maj në Bruksel, si dhe angazhimi i vazhdueshëm institucional për të mbështetur ekipin fitues në këtë përfaqësim ndërkombëtar.
