03/27/2026

Agjencia e Sigurimit të Depozitave mbështet zhvillimin e suksesshëm të Kuizit Kombëtar të Parasë 2026.

Agjencia e Sigurimit të Depozitave (ASD), në bashkëpunim me Shoqatën Shqiptare të Bankave, Bankën e Shqipërisë, si dhe me përkrahjen e Ministrisë së Arsimit dhe Sportit mbështeti organizimin e Kuizit Kombëtar të Parasë 2026, një iniciativë që synon forcimin e edukimit financiar te të rinjtë në vend.

Këtë vit u shënua një pjesëmarrje rekord, me 1430 nxënës nga i gjithë vendi, prej të cilëve 1196 nxënës të grupmoshës 13 – 15 vjeç, të organizuar në 598 ekipe nga 108 shkolla, përfshirë 44 shkolla nga Tirana dhe 64 nga qytete të tjera.

Gara u zhvillua online në platformën KAHOOT dhe u transmetua drejtpërdrejt në kanalin YouTube të Shoqatës Shqiptare të Bankave.

Pjesëmarrësit u përshëndetën nga përfaqësues të institucioneve partnere, ndër të cilët edhe Zëvendës Drejtori i Përgjithshëm i Agjencisë së Sigurimit të Depozitave, Z. Martin Blushi, i cili theksoi rëndësinë e edukimit financiar që në moshë të hershme për ndërtimin e një kulture të shëndetshme financiare.

Fituesit e Kuizit Kombëtar të Parasë 2026 janë:

𝗩𝗲𝗻𝗱𝗶 𝗶 𝗽𝗮𝗿ë:

Shkolla 9-Vjeçare “Imelda Labertini”, Elbasan – Klasa 9:

Marinela Hoxha & Majla Idrizi

𝗩𝗲𝗻𝗱𝗶 𝗶 𝗱𝘆𝘁ë:

Shkolla 9-Vjeçare “Imelda Labertini”, Elbasan – Klasa 9:

Ajsli Manushi & Aira Hoxha

𝗩𝗲𝗻𝗱𝗶 𝗶 𝘁𝗿𝗲𝘁ë:

Shkolla 9-Vjeçare “Imelda Labertini”, Elbasan – Klasa 9:

David Cepa & Bjork Bylykashi

Skuadrat fituese do të nderohen me çmimet e dhëna nga Agjencia e Sigurimit të Depozitave. Ekipi fitues i vendit të parë do të përfaqësojë Shqipërinë në finalen evropiane në Bruksel, ku do të përballet me skuadra nga vende të ndryshme të Evropës, në një aktivitet të organizuar nga Federata Evropiane e Bankave.

ASD mbetet e përkushtuar në mbështetjen e iniciativave që nxisin njohuritë financiare te brezat e rinj dhe kontribuojnë në rritjen e ndërgjegjësimit të publikut të gjerë dhe ruajtjen e stabilitetit financiar.

Scroll to Top