
“Flasim zgjuar për paranë! – 100 vjet monedhë kombëtare!”
Në datat 16–22 mars 2026, do të kremtohet Java Globale e Parasë 2026, një nismë ndërkombëtare e koordinuar nga OECD-INFE, që synon edukimin financiar të fëmijëve dhe të rinjve në mbarë botën.
Në vendin tonë, Banka e Shqipërisë, në bashkëpunim me Shoqatën Shqiptare të Bankave dhe me mbështetjen e Ministrisë së Arsimit dhe Agjencisë së Sigurimit të Depozitave, do të organizojnë një sërë aktivitetesh edukative dhe ndërgjegjësuese, dedikuar brezit të ri.
Këtë vit, nën moton “Flasim zgjuar për paranë!”, fokusi do të jetë te rëndësia e bisedave të hapura lidhur me paranë dhe financat. Jeta financiare e të rinjve është e mbushur me vendime, nga fitimi i parave të para deri te menaxhimi i kredive studentore dhe ruajtja nga mashtrimet. Menaxhimi i financave mund të ngjajë i ndërlikuar dhe stresues, dhe ata shpesh ndihen të pasigurt për të diskutuar çështje financiare. Megjithatë, ndarja e përvojave dhe biseda me njerëzit e duhur, mund t’i pajisin me aftësitë për të menaxhuar paratë me mençuri. Edukimi financiar ofron mjetet për të krijuar zakone financiare të shëndetshme dhe për të shmangur gabimet, duke i fuqizuar të rinjtë të marrin kontrollin e mirëqenies së tyre financiare.
Aktivitetet në Shqipëri do të zhvillohen gjithashtu edhe në kuadër të 100-vjetorit të monedhës kombëtare, duke ofruar mundësinë për të reflektuar mbi historinë dhe rolin e saj në ekonominë e vendit.
Çfarë na mëson Java Globale e Parasë?
✅ Të flasim hapur dhe me besim për çështjet financiare
✅ Të menaxhojmë me mençuri të ardhurat dhe shpenzimet
✅ Të kuptojmë financat digjitale dhe rreziqet financiare
✅ Të ndërtojmë zakone të shëndetshme për mirëqenie afatgjatë
Edhe këtë vit, do të ofrohet një program dinamik me aktivitete edukative dhe konkurse për nxënës dhe studentë, duke i familjarizuar ata me financat personale dhe rolin e bankës qendrore.
Në kuadër të kësaj nisme, ftohen nxënësit e arsimit parauniversitar të marrin pjesë në konkurset e mëposhtme:
- Vizatimi më i mirë “Vizato kartëmonedhën tënde – 100 vjet monedhë kombëtare”,për nxënësit e klasave III
- Projekti më i mirë me temë “100 vjet monedhë kombëtare”,për klasat IV
- Fotomontazhi (meme) më i mirë “Flasim zgjuar për paranë!”,për nxënësit e klasave VIII
- Videoja më e mirë “Flasim zgjuar për paranë!”, për nxënësit e shkollave të mesme
