04/25/2025

Vizita e delegacionit të Agjencisë së Sigurimit të Depozitave të Shqipërisë (ASD) pranë Fondit të Sigurimit të Depozitave në Kosovë 

Në datën 24.04.2025, Agjencia e Sigurimit të Depozitave të Shqipërisë (ASD), kreu një vizitë zyrtare pranë Fondit të Sigurimit të Depozitave në Kosovë (FSDK). Delegacioni i kryesuar nga  Drejtori  i  Përgjithshëm Z. Genci Mamani, u mirëprit nga Drejtorja Menaxhuese e FSDK, Znj. Shqipe Devaja.

Gjatë takimit,  u vlerësua bashkëpunimi dypalësh ndërmjet ASD-së dhe FSDK- së, të konsoliduar ndër vite për zhvillimin dhe fuqizimin e skemave përkatëse të sigurimit të depozitave, në funksion të mbrojtjes së depozituesve dhe ruajtjes së stabilitetit financiar.

Gjithashtu ndërmjet dy institucioneve u diskutuan të rejat e fundit në të dy juridiksionet, duke përfshirë zhvillimet e pritshme mbi reformat në  fushën e sigurimit të depozitave sa i përket përafrimit të legjislacionit me Direktivën Evropiane si dhe Direktivën për rimëkëmbjen dhe ndërhyrjen e jashtëzakonshme në banka.

Vëmendje të veçantë në këtë takim mori reforma mbi sistemin e përllogaritjes së primeve të bazuara në rrezik, sipas udhëzimit të Autoritetit Evropian Bankar (EBA).

Në fund të vizitës,  drejtuesit e institucioneve vlerësuan bashkëpunimin  e ndërsjelltë,  si dhe u angazhuan për thellimin e bashkëpunimit me synim zhvillimin e mëtejshëm të skemave të sigurimit të depozitave, në përputhje me standardet evropiane, si dhe me standardet ndërkombëtare.

Scroll to Top