Në datën 25 Mars 2025, Këshilli Drejtues i Agjencisë së Sigurimit të Depozitave zhvilloi mbledhjen e radhës.
Në këtë mbledhje Këshilli Drejtues mori në shqyrtim dhe vendosi:
- Mbi miratimin e “Raportit Vjetor të Agjencisë së Sigurimit të Depozitave për vitin 2024”.
Në mbështetje të nenit 7, të nenit 52 pika 1, shkronja (l) dhe të nenit 53, pika 5, shkronja (ë) të ligjit nr. 53/2014, datë 22.05.2014 “Për sigurimin e depozitave” i ndryshuar, të nenit 7, pika 6, të nenit 8, pika 2, shkronja “d” të Statutit të Agjencisë së Sigurimit të Depozitave, të miratuar me Vendim të Këshillit Drejtues nr. 24, datë 31.10.2018, Këshilli Drejtues miratoi Raportin Vjetor për veprimtarinë e Agjencisë për vitin 2024.
Raporti Vjetor përbën dokumentin më të rëndësishëm i cili, në mënyrë transparente, informon Kuvendin, Ministrinë e Financave, dhe Bankën e Shqipërisë në cilësinë e Autoritetit Mbikëqyrës si dhe publikun mbi veprimtarinë e Agjencisë së Sigurimit të Depozitave.
Raporti Vjetor për vitin 2024 synon të japë një përmbledhje të të dhënave lidhur me skemën e sigurimit të depozitave si dhe të veprimtarisë së Agjencisë në përmbushje të objektivit dhe detyrimit të saj ligjor, sigurimin dhe kompensimin e depozituesve. Gjithashtu raporti jep një pasqyrë të skemës së sigurimit të depozitave, gjendjen e depozitave në sistemin bankar dhe jobankar, administrimin e mjeteve financiare të Agjencisë, si dhe trajton çështje të administrimit dhe organizimit strukturor të Agjencisë.
Më tej, Raporti jep një informacion të detajuar të projekteve më të rëndësishme të Agjencisë gjatë vitit në raportim, nga të cilat mund të veçojmë përmirësimin e infrastrukturës teknike dhe kapaciteteve njerëzore, me qëllim garantimin e efikasitetit në një rast ngjarje kompensimi.
Proçeset e simulimit, planet e verifikimeve dhe bashkëpunimi i ngushtë me bankat dhe shoqëritë e kursim kreditit, janë prioritetet e këtij raporti, të cilat synojnë forcimin e mekanizmave mbrojtjes së depozituesve.
Aktivitetet rreth edukimit financiar të grupeve të interesit, kanë qënë gjithashtu, në vëmendjen e veçantë të strukturave përkatëse të Agjencisë, të cilat janë angazhuar në takime të rregullta rajonale me punonjësit e degëve të bankave, në funksion të rritjes së nivelit të ndërgjegjësimit mbi rëndësinë e informimit të saktë të depozituesve mbi skemën e sigurimit të depozitave.
Një rëndësi e veçantë në vitin 2024 i është kushtuar gjithashtu dhe proçesit të harmozimit në vazhdimësi me legjislacionin evropian, në kuadër të Programit Kombëtar për aderimin në Bashkimin Evropian. Në konsultim me partnerët ndërkombëtarë dhe bashkërendim me autoritetet rregullatore shqiptare, ka nisur puna për adresimin e çështjeve që do të na përafrojnë me legjislacionin e BE-së për sigurimin e depozitave.
Raporti Vjetor për aktivitetin e Agjencisë në vitin 2024 do të publikohet në rubrikën përkatëse në faqen zyrtare të internetit të Agjencisë së Sigurimit të Depozitave.
- Për miratimin e “Pasqyrave Financiare të Agjencisë së Sigurimit të Depozitave për vitin 2024”.
Këshilli Drejtues bazuar në nenin 52 pika 1, shkronja “l”, nenit 53, pika 5, shkronja “ë” dhe nenit 62, pika 1 dhe 2 të ligjit nr. 53/2014, datë 22.05.2014 “Për sigurimin e depozitave” i ndryshuar, dhe të nenit 8, pika 2, shkronja “l” të Statutit të Agjencisë së Sigurimit të Depozitave miratoi Pasqyrat Financiare të Agjencisë së Sigurimit të Depozitave për vitin 2024. Këto pasqyra financiare janë çertifikuar nga auditori i jashtëm Grant Thornton.
- Për miratimin e “Pasqyrave financiare të “Fondit të Ndërhyrjes së Jashtëzakonshme për vitin 2024”.
Bazuar në nenin 71 pika 2, të nenit 73, pika 1, dhe të nenit 79, pika 1, 2 dhe 3 të ligjit nr. 133/2016, datë 22.12.2016 “Për rimëkëmbjen dhe ndërhyrjen e jashtëzakonshme në banka, në Republikën e Shqipërisë”, të nenit 15, pika 5 të Vendimit nr. 56, datë 3.10.2017 të Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë “Për miratimin e Rregullores “Për fondin e ndërhyrjes së jashtëzakonshme dhe procedurat për administrimin e tij”, Këshilli Drejtues miratoi Pasqyrat Financiare të Fondit të Ndërhyrjes së Jashtëzakonshme për vitin 2024. Këto pasqyra financiare janë çertifikuar nga auditori i jashtëm Grant Thornton.
- Mbi miratimin e Raportit mbi Realizimin e Buxhetit të Agjencisë së Sigurimit të Depozitave për vitin e mbyllur më 31 dhjetor 2024.
Në mbështetje të nenit 52 pika 1, shkronja “l”, nenit 53, pika 5, shkronja “ë” të ligjit nr.53/2014, datë 22.05.2014 “Për sigurimin e depozitave”, i ndryshuar, të nenit 6, pika 2, shkronja “d”, dhe nenit 8, pika 2, shkronja “m” të Statutit të Agjencisë së Sigurimit të Depozitave, Këshilli Drejtues miratoi Raportin e Realizimit të Buxhetit të Agjencisë së Sigurimit të Depozitave për vitin e mbyllur më 31 dhjetor 2024.
Këshilli Drejtues shqyrtoi gjithashtu edhe informacione e materiale të tjera në funksion të mbarëvajtjes së veprimtarisë funksionale dhe operacionale të Agjencisë së Sigurimit të Depozitave.