Tiranë, 29 Janar 2025 – Agjencia e Sigurimit të Depozitave (ASD), në kuadër të Programit të Zhvillimit dhe Qëndrueshmërisë Financiare, zhvilloi sot një takim me ekipin e Bankës Botërore (BB), drejtuar nga znj. Rekha Reddy, në rolin e saj të ri si menaxhere e projektit. Takimi u fokusua në projektet e realizuara nga Agjencia me asistencën e Bankës Botërore dhe në drejtimet e ardhshme të bashkëpunimit.
Drejtori i Përgjithshëm i ASD-së, z. Genci Mamani, vlerësoi këtë bashkëpunim si mjaft produktiv, veçanërisht me Zyrën FinSAC të Bankës Botërore. Ai theksoi rëndësinë e projekteve të përbashkëta për adresimin e çështjeve teknike dhe operacionale, si dhe përmirësimin e kuadrit rregullativ dhe ligjor në përputhje me standardet ndërkombëtare.
Përfaqësuesit e Bankës Botërore vlerësuan aktivitetin e ASD-së si të bazuar në praktikat më të mira në fushën e sigurimit të depozitave. Diskutimet u përqendruan në vijimësinë e bashkëpunimit mes dy institucioneve, me një fokus të veçantë në përafrimin e legjislacionit shqiptar me Direktivën e BE-së për skemat e garantimit të depozitave, si pjesë e angazhimeve të Shqipërisë në procesin e integrimit evropian. Në këtë drejtim, u konstatua se kontributi i Bankës Botërore dhe strukturave të saj do të ishte një vlerë e shtuar për një proces ligjor dhe rregullativ të plotë, analitik dhe profesional. ASD dhe BB ranë dakord të vazhdojnë angazhimin e tyre për zhvillimin e projekteve të reja që synojnë të rrisin efektivitetin e skemës së sigurimit të depozitave dhe të forcojnë qëndrueshmërinë e sistemit financiar.
Në përfundim të takimit, palët shprehën vlerësimin e ndërsjellë për bashkëpunimin mes tyre dhe gatishmërinë për ta zgjeruar më tej atë në të ardhmen, duke theksuar rëndësinë e këtij partneriteti për stabilitetin dhe zhvillimin e sektorit financiar në Shqipëri.
