Tiranë, 17.12.2024 –
Agjencia e Sigurimit të Depozitave mori pjesë në takimin e punës të organizuar nga Departamenti i Ndërhyrjes së Jashtëzakonshme të Bankës së Shqipërisë në bashkëpunim me misionin e asistencës teknike të FinSac të Bankës Botërore.
Qëllimi kryesor i këtij takimi ishte diskutimi në nivel teknik i skenarëve të mundshëm të pjesëmarrjes së Agjencisë nëpërmjet transferimit të fondit të kompensimit të depozitave në banka në rast ndërhyrjeje të jashtëzakonshme, si dhe propozimet e pritshme në kuadër të reformimit të kornizës rregullatore të Bashkimit Evropian për menaxhimin e krizave financiare.
Në fjalën prezantuese Z. Genci Mamani, Drejtor i Përgjithshëm i Agjencisë së Sigurimit të Depozitave, parashtroi një panoramë të gjerë mbi mbështetjen që Agjencia e Sigurimit të Depozitave ka marrë nga asistenca teknike e FinSac në vite, si në drejtim të paketave ligjore në përputhje me Direktivat e BE-së dhe standardet ndërkombëtare rregullatore, po kështu edhe nëpërmjet projekteve të ndryshme që kanë kontribuar në forcimin e skemës së sigurimit të depozitave në vend. Veçanërisht, asistenca teknike e FinSac ishte thelbësore për reformën ligjore që përcakton veprimtarinë e ndërhyrjes së jashtëzakonshme në banka, si një funksion kritik për menaxhimin e krizave në sektorin bankar. Kjo reformë përcaktoi ndër të tjera funksionin e ri ligjor të Agjencisë për administrimin e fondit të ndërhyrjes së jashtëzakonshme në emër dhe për llogari të Autoritetit të Ndërhyrjes së Jashtëzakonshme, si dhe funksionin e pjesëmarrjes me transferimin e fondit të kompensimit të depozitave në banka në rast ndërhyrjeje të jashtëzakonshme.
Ekspertët e FinSac Znj. Pamela Lintner dhe Z. Nan Zhou ndanë përvojat dhe praktikat më të mira me fokus ndërveprimin e institucioneve për menaxhimin e krizave dhe ndërhyrjen e jashtëzakonshme.
Pjesëmarrësit diskutuan mënyrat më efikase të bashkëpunimit dhe ndërveprimit të Agjencisë së Sigurimit të Depozitave dhe Bankës së Shqipërisë në funksion të ruajtjes së besimit të publikut në një sistem financiar të sigurt dhe të qendrueshëm.


