Z. Shkëlzen Margjeka

Shkëlzen Margjeka, auditues ligjor është anëtar i Institutit të Ekspertëve Kontabël të Autorizuar që nga viti 2008, partner anagzhimi dhe administrator i shoqërisë audituese “ACA MARGJEKA” shpk si dhe anëtar i Këshillit Drejtues të ASD.
Shkëlzen Margjeka ka qënë anëtar i Këshillit Drejtues të Institutit të Ekspertëve Kontabël të Autorizuar për përiudhën 2012-2021 si dhe Kryetar i Komitetit të Investigimit dhe Disiplinës të IEKA-s. Në vitin 1995-1999  ka qënë kryetar i Union e Pavarur Studentor Shqiptar.
Shkëlzen Margjeka ka mbaruar Fakultetin Ekonomik, Dega Finance-Kontabilitet në vitin 1998, ka mbaruar kursin pasuniversitar Financë-Bankë, Fakulteti – Ekonomik, Universiteti i Tiranës, viti 2000-2001 si dhe në vitin 2012-2014 ka mbaruar Master Shkencor në Finance-Banke, Universiteti Europian i Tiranës. Ai ka kryer kualifikime profesionale në vazhdimësi nga eksperte vendas dhe të huaj.
Shkëlzen Margjeka që nga viti 2000 e në vazhdim ka punuar si drejtor finance  në kompani sigurimi, kompani vendase dhe të huaja, ka dhënë konsulence financiare dhe fiskale,  ka ofruar shërbime në auditim-kontabilitet, ka bërë monitorime dhe kontrolle financiare  pranë KQZ, si dhe ka kryer akt-ekspertime në gjykatë dhe prokurori.

Znj. Vasilika Vjero

Zj.Vasilika Vjero ka lindur në qytetin e Tiranës në vitin 1976.
Zj.Vjero është diplomuar në Universiteti i Tiranës,  Fakulteti i Ekonomisë, në degën  Administrim Biznesi në vitin 1998. Në vitin 2003 përfundon një master nga Universiteti i Nebraskës, Lincoln USA, programi Master në Administrimin Publik në bashkëpunim me Universitetin e Tiranës, Fakulteti i Ekonomisë. Ajo gjithashtu është trajnuar lidhur me çështje të rritjes ekonomike nga Harvard Kennedy School.
Zj.Vjero ka mbajtur poste të larta drejtuese si, Drejtori i Përgjithshëm i Tatimeve, Drejtor i Përgjithshëm i Qendrës Kombëtare të Biznesit, Drejtor i Përgjithshëm i Autoritetit Rrugor Shqiptar.  Në karrierën e saj  numëron më shumë se 10 vite eksperiencë pune për Bashkinë e Tiranës në menaxhimin e Administratës Tatimore dhe Departamentit të Planifikimit Strategjik dhe buxheteve vendore, si dhe nje sërë eksperiencash si ekspert financiar me donatorë të huaj. Po ashtu ka shërbyer si ekspert i pavarur fiskal dhe buxhetor për qeverisjen lokale në Shqipëri për një total prej 24  bashkish dhe komunash në të gjithë vendin.
Zj.Vjero zotëron gjuhën angleze dhe atë italiane.

Z. Genci Mamani

Genci Mamani është Drejtor i Përgjithshëm i Agjencisë së Sigurimit të Depozitave dhe njëkohësisht anëtar i Këshillit Drejtues të saj.
Z. Mamani, ka mbaruar studimet në vitin 1991 pranë Universitetit të Tiranës, Fakulteti i Ekonomisë, Dega Financë.
Në vitin 2001 kreu studimet pasuniversitare pranë Universitetit Wisconsin – La Cross për financë – bankë. Në vitin 2012 ka kryer studimet pasuniversitare në nivelin master për Administrim Biznesi pranë International Hellenic University, në Selanik, Greqi.
Karrierën e tij Z. Mamani e ka nisur në vitin 1991 si ekonomist në Bankën e Shtetit. Më pas ka punuar pranë Bankës FEFAD (sot ProCredit Bank), Bankën Italo – Shqiptare  dhe më tej pranë Bankës së Shqipërisë deri në vitin 2015 duke mbajtur poste drejtuese në këto institucione.  Në korrik të vitit 2015 ai mori detyrën e Drejtorit të Agjencisë së Sigurimit të Depozitave.
Zoti Mamani zotëron gjuhët anglisht dhe italisht.

Z. Donald Duraj

Z. Donald Duraj është emëruar në detyrën e Kryetarit të Këshillit Drejtues të Agjencisë së Sigurimit të Depozitave në vitin 2015. Z. Donald Duraj ka një karrierë progresiste më shumë se 10-vjecare në sistemin bankar, pjesë integrale e së cilës kanë qenë pjesëmarrja mjaft aktive dhe arritjet e suksesshme brenda institucioneve të ndryshme prestigjioze financiare lokale dhe atyre në rrjetin ndërkombëtar si në Austri, Poloni, Sllovaki, Ukrainë e Bjellorusi. Që prej vitit 2015 Z. Duraj mban detyrën e Shefit të Kabinetit të Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë me përgjegjësi këshillimi, asistimi, raportimi dhe koordinimi për të gjitha çështjet e lidhura me mbarëvajtjen dhe mirëfunksionimin e Kabinetit por dhe të departamenteve të tjera të Bankës së Shqipërisë. Nga viti 2010 e deri në vitin 2015 Përgjegjës i Sektorit të Organizimit Komercial dhe Zhvillimit të Tregut në Bankën Societe Generale Albania duke luajtur një rol kryesor drejtimin strategjik, planifikimin afat-shkurtër dhe afat-gjatë, përcaktimin e objektivave kryesore, koordinimin e marrëdhënieve ndër-divizionale dhe ndër-institucionale, në nivel lokal dhe ndërkombëtar, me kompani publike dhe private, etj. Gjatë kësaj periudhe Z. Duraj ka drejtuar me sukses të paktën 15 projekte, ndër më të rëndësishmit për Bankën, dhe me një ndikim të drejtpërdrejtë në zgjerimin e aktivitetit në tregun lokal dhe në rritjen e përfitueshmërisë. Z. Duraj ka punuar nga viti 2005 deri në vitin 2010 në Raiffeisen Bank Albania dhe Raiffeisen Intenational Austria duke mbuluar pozicione kyçe të karakterit operacional dhe strategjik. Më të rëndësishmet prej tyre janë si Përgjegjës i Segmentit të Individëve, Përgjegjës i Produkteve i Kredisë Konsumatore, Drejtues i Projekteve në Programin “Retail Leadership” pranë Raiffeisen Intenational Austria, etj. Z. Duraj ka përfunduar studimet e larta në Fakultetin Ekonomik, Dega Financë – Profili Bankë, pranë Universitetit të Tiranës.

05/22/2023

Përfaqësimi i Agjencisë së Sigurimit të Depozitave në Seminarin e organizuar nga IADI me temë: Sfidat kryesore në kompensimin e depozituesve

Shoqata Ndërkombëtare e Siguruesve të Depozitave (IADI) organizoi një seminar mbi Sfidat kryesore në kompensimin e depozituesve, të zhvilluar në Tunizi, në datat 10 – 11 maj 2023. Në këtë aktivitet u prezantuan disa nga praktikat më të mira ndërkombëtare lidhur me Parimin Themelor 15 të IADI – t “Kompensimi i depozituesve”.

Agjencia e Sigurimit të Depozitave (ASD), me ftesë të IADI, u përfaqësua në këtë aktivitet nga Znj. Blerta Koçi, Përgjegjëse e Sektorit të Teknologjisë së Informacionit në ASD, si folëse në Seksionin e 2: Aspektet kryesore operacionale të një procesi efektiv kompensimi. Tema e prezantimit ishte: “Elementët rregullatorë dhe teknologjikë për sistemin IT për Paraqitjen Unike të Depozituesit (SCV)”. Ftesa për këtë pjesëmarrje erdhi si rezultat i eksperiencës së Agjencisë së Sigurimit të Depozitave të ndërtuar ndër vite në drejtim të implementimit të kuadrit rregullativ dhe infrastrukturës teknologjike në përputhje me standartet më të mira ndërkombëtare në fushën e sigurimit të depozitave.

Znj. Koçi prezantoi në mënyrë të detajuar infrastrukturën dhe sistemet IT, që përdoren në Agjencinë e Sigurimit të Depozitave për verifikimin, përpunimin dhe ruajtjen e të dhënave të nevojshme në një proces kompensimi. Pjesëmarrësit në seminar shfaqën interes dhe morën pjesë në mënyrë interaktive për shkëmbimin e eksperiencës me praktikat e punës të ndjekura nga Agjencia.

Në këtë seminar morën pjesë 150 përfaqësues të skemave homologe, të vendeve të ndryshme, anëtare të IADI. Ky seminar ishte i një rëndësie të veçantë pasi trajtoi në nivel teknik kuadrin e duhur ligjor dhe rregullator për Paraqitjen Unike të Depozituesit (SCV), si dhe për krijimin e aksesit në të dhënat e depozituesve dhe sistemet e TI të subjekteve anëtare të skemave të sigurimit të depozitave. Paraqitja unike e Depozituesit (SCV) luan një rol kritik për të siguruar një proces efektiv të kompensimit dhe përfaqëson një sfidë të madhe për shumë institucione të sigurimit të depozitave, në mbarë globin.

Scroll to Top