Z. Shkëlzen Margjeka

Shkëlzen Margjeka, auditues ligjor është anëtar i Institutit të Ekspertëve Kontabël të Autorizuar që nga viti 2008, partner anagzhimi dhe administrator i shoqërisë audituese “ACA MARGJEKA” shpk si dhe anëtar i Këshillit Drejtues të ASD.
Shkëlzen Margjeka ka qënë anëtar i Këshillit Drejtues të Institutit të Ekspertëve Kontabël të Autorizuar për përiudhën 2012-2021 si dhe Kryetar i Komitetit të Investigimit dhe Disiplinës të IEKA-s. Në vitin 1995-1999  ka qënë kryetar i Union e Pavarur Studentor Shqiptar.
Shkëlzen Margjeka ka mbaruar Fakultetin Ekonomik, Dega Finance-Kontabilitet në vitin 1998, ka mbaruar kursin pasuniversitar Financë-Bankë, Fakulteti – Ekonomik, Universiteti i Tiranës, viti 2000-2001 si dhe në vitin 2012-2014 ka mbaruar Master Shkencor në Finance-Banke, Universiteti Europian i Tiranës. Ai ka kryer kualifikime profesionale në vazhdimësi nga eksperte vendas dhe të huaj.
Shkëlzen Margjeka që nga viti 2000 e në vazhdim ka punuar si drejtor finance  në kompani sigurimi, kompani vendase dhe të huaja, ka dhënë konsulence financiare dhe fiskale,  ka ofruar shërbime në auditim-kontabilitet, ka bërë monitorime dhe kontrolle financiare  pranë KQZ, si dhe ka kryer akt-ekspertime në gjykatë dhe prokurori.

Znj. Vasilika Vjero

Zj.Vasilika Vjero ka lindur në qytetin e Tiranës në vitin 1976.
Zj.Vjero është diplomuar në Universiteti i Tiranës,  Fakulteti i Ekonomisë, në degën  Administrim Biznesi në vitin 1998. Në vitin 2003 përfundon një master nga Universiteti i Nebraskës, Lincoln USA, programi Master në Administrimin Publik në bashkëpunim me Universitetin e Tiranës, Fakulteti i Ekonomisë. Ajo gjithashtu është trajnuar lidhur me çështje të rritjes ekonomike nga Harvard Kennedy School.
Zj.Vjero ka mbajtur poste të larta drejtuese si, Drejtori i Përgjithshëm i Tatimeve, Drejtor i Përgjithshëm i Qendrës Kombëtare të Biznesit, Drejtor i Përgjithshëm i Autoritetit Rrugor Shqiptar.  Në karrierën e saj  numëron më shumë se 10 vite eksperiencë pune për Bashkinë e Tiranës në menaxhimin e Administratës Tatimore dhe Departamentit të Planifikimit Strategjik dhe buxheteve vendore, si dhe nje sërë eksperiencash si ekspert financiar me donatorë të huaj. Po ashtu ka shërbyer si ekspert i pavarur fiskal dhe buxhetor për qeverisjen lokale në Shqipëri për një total prej 24  bashkish dhe komunash në të gjithë vendin.
Zj.Vjero zotëron gjuhën angleze dhe atë italiane.

Z. Genci Mamani

Genci Mamani është Drejtor i Përgjithshëm i Agjencisë së Sigurimit të Depozitave dhe njëkohësisht anëtar i Këshillit Drejtues të saj.
Z. Mamani, ka mbaruar studimet në vitin 1991 pranë Universitetit të Tiranës, Fakulteti i Ekonomisë, Dega Financë.
Në vitin 2001 kreu studimet pasuniversitare pranë Universitetit Wisconsin – La Cross për financë – bankë. Në vitin 2012 ka kryer studimet pasuniversitare në nivelin master për Administrim Biznesi pranë International Hellenic University, në Selanik, Greqi.
Karrierën e tij Z. Mamani e ka nisur në vitin 1991 si ekonomist në Bankën e Shtetit. Më pas ka punuar pranë Bankës FEFAD (sot ProCredit Bank), Bankën Italo – Shqiptare  dhe më tej pranë Bankës së Shqipërisë deri në vitin 2015 duke mbajtur poste drejtuese në këto institucione.  Në korrik të vitit 2015 ai mori detyrën e Drejtorit të Agjencisë së Sigurimit të Depozitave.
Zoti Mamani zotëron gjuhët anglisht dhe italisht.

Z. Donald Duraj

Z. Donald Duraj është emëruar në detyrën e Kryetarit të Këshillit Drejtues të Agjencisë së Sigurimit të Depozitave në vitin 2015. Z. Donald Duraj ka një karrierë progresiste më shumë se 10-vjecare në sistemin bankar, pjesë integrale e së cilës kanë qenë pjesëmarrja mjaft aktive dhe arritjet e suksesshme brenda institucioneve të ndryshme prestigjioze financiare lokale dhe atyre në rrjetin ndërkombëtar si në Austri, Poloni, Sllovaki, Ukrainë e Bjellorusi. Që prej vitit 2015 Z. Duraj mban detyrën e Shefit të Kabinetit të Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë me përgjegjësi këshillimi, asistimi, raportimi dhe koordinimi për të gjitha çështjet e lidhura me mbarëvajtjen dhe mirëfunksionimin e Kabinetit por dhe të departamenteve të tjera të Bankës së Shqipërisë. Nga viti 2010 e deri në vitin 2015 Përgjegjës i Sektorit të Organizimit Komercial dhe Zhvillimit të Tregut në Bankën Societe Generale Albania duke luajtur një rol kryesor drejtimin strategjik, planifikimin afat-shkurtër dhe afat-gjatë, përcaktimin e objektivave kryesore, koordinimin e marrëdhënieve ndër-divizionale dhe ndër-institucionale, në nivel lokal dhe ndërkombëtar, me kompani publike dhe private, etj. Gjatë kësaj periudhe Z. Duraj ka drejtuar me sukses të paktën 15 projekte, ndër më të rëndësishmit për Bankën, dhe me një ndikim të drejtpërdrejtë në zgjerimin e aktivitetit në tregun lokal dhe në rritjen e përfitueshmërisë. Z. Duraj ka punuar nga viti 2005 deri në vitin 2010 në Raiffeisen Bank Albania dhe Raiffeisen Intenational Austria duke mbuluar pozicione kyçe të karakterit operacional dhe strategjik. Më të rëndësishmet prej tyre janë si Përgjegjës i Segmentit të Individëve, Përgjegjës i Produkteve i Kredisë Konsumatore, Drejtues i Projekteve në Programin “Retail Leadership” pranë Raiffeisen Intenational Austria, etj. Z. Duraj ka përfunduar studimet e larta në Fakultetin Ekonomik, Dega Financë – Profili Bankë, pranë Universitetit të Tiranës.

07/22/2020

Njoftim për Shtyp mbi mbledhjen e Grupit Këshillimor të Stabilitetit Financiar, 21 korrik 2020

R E P U B L I K A  E  S H Q I P Ë R I S Ë
GRUPI KËSHILLIMOR I STABILITETIT FINANCIAR

Tiranë, më 22.07.2020

NJOFTIM PËR SHTYP
Mbi mbledhjen e Grupit Këshillimor të Stabilitetit Financiar,
21 korrik 2020


Në datën 21 korrik 2020, u zhvillua mbledhja e Grupit Këshillimor të Stabilitetit Financiar (GKSF). Në këtë mbledhje që u zhvillua online, morën pjesë, në distancë, Ministri i Financave dhe Ekonomisë, Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Drejtori i Përgjithshëm Ekzekutiv i Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare, Drejtori i Përgjithshëm i Agjencisë së Sigurimit të Depozitave dhe përfaqësues të tjerë të këtyre institucioneve.
Programi i mbledhjes përfshinte vlerësimet e secilit autoritet financiar, për zhvillimet në institucionet dhe tregjet që mbikëqyrin, nën ndikimin e pandemisë së koronavirusit ‘Sars Cov-2’ (më tej, ‘pandemia’). Fokusi ishte tek vlerësimi i gjendjes së sistemit financiar, i rreziqeve që sjellin pasojat e pandemisë, i rezistencës së institucioneve financiare dhe i masave të nevojshme për të zbutur rreziqet dhe forcuar rezistencën e sistemit financiar.
Pasi u njohën me prezantimet e përgatitura dhe diskutuan rreth tyre, pjesëmarrësit konkluduan në vlerësimet e mëposhtme:

1) Sistemi financiar është i qëndrueshëm dhe situata financiare mbetet e mirë. Ky vlerësim reflekton zhvillimet pozitive në treguesit e sistemit financiar përpara shfaqjes së pandemisë, reagimin e institucioneve financiare për të kontrolluar rreziqet operacionale gjatë këtyre muajve të përhapjes së saj dhe efektin e masave të marra nga autoritetet për të mbështetur veprimtarinë financiare. Më konkretisht, për sektorin bankar, treguesit e kapitalizimit dhe të likuiditetit të veprimtarisë paraqiten në nivele mjaft të mira, ndjeshëm mbi nivelet minimale të kërkuara nga kuadri rregullativ. Raporti i Mjaftueshmërisë së Kapitalit është pak mbi nivelin 18%, ndërsa raporti i aktiveve likuide ndaj detyrimeve afatshkurtra është pranë nivelit 49%. Në tregun e fondeve të investimit, treguesit e likuiditetit paraqiten mbi nivelet minimale të kërkuara nga kuadri rregullativ. Edhe në tregun e sigurimeve, shoqëritë e sigurimit kanë ruajtur nivelet e përshtatshme të provigjioneve teknike.

2) Pasojat e pandemisë po vijojnë të ndihen në veprimtarinë e sistemit financiar. Zbatimi i masave shtetërore për ruajtjen e shëndetit publik në periudhën mars-prill të këtij viti, është shoqëruar me kufizime në veprimtarinë ekonomike dhe financiare të operatorëve ekonomikë dhe aktivitetin e tregjeve financiare. Si rezultat, është vënë re një ngadalësim i aktivitetit të ndërmjetësimit financiar të sektorit bankar, rënie e primeve të shkruara bruto në tregun e sigurimeve dhe pothuaj ndalim i rritjes së aktiveve neto në veprimtarinë e fondeve të investimit. Megjithë rifillimin gradual të aktivitetit ekonomik që prej muajit maj, ecuria e mëtejshme e tij kushtëzohet plotësisht nga ecuria e pandemisë dhe efektet e saj mbi konsumin dhe investimet në vend, si edhe zhvillimet ekonomike ndërkombëtare.

3) Autoritetet publike kanë mbështetur veprimtarinë e operatorëve ekonomikë dhe të sistemit financiar, për zbutjen e rreziqeve dhe forcimin e rezistencës financiare. Për këtë qëllim, Qeveria e Republikës së Shqipërisë ka miratuar paketat e ndihmës dhe të garancisë financiare, respektivisht për punonjësit e sektorit privat dhe të vetëpunësuarit në veprimtari ekonomike të kufizuara nga masat shtetërore për ruajtjen e shëndetit publik, dhe për mbështetjen e sipërmarrjeve me kapital qarkullues. Gjithashtu, në kushtet e rënies së të ardhurave të buxhetit të shtetit, janë siguruar burime financimi kryesisht nëpërmjet huamarrjes nga tregjet e huaja dhe nga institucionet financiare ndërkombëtare. Këto dhe elemente të tjera të nevojshme për ruajtjen e stimulit fiskal në zhvillimin e ekonomisë, janë reflektuar në rishikimin që po i bëhet buxhetit të shtetit. Masat konsiderojnë jo vetëm ndikimin aktual të pandemisë mbi aktivitetin ekonomik por edhe nevojën që të ruhen hapësirat dhe ekuilibrat në treguesit fiskalë në rast vijimi të zhvillimeve të pafavorshme.

Për tregun financiar dhe veprimtarinë bankare, Banka e Shqipërisë ka ndërmarrë disa masa si autoritet monetar dhe mbikëqyrës. Lehtësimi i mëtejshëm i politikës monetare dhe injektimi i pakufizuar i likuiditetit në tregun ndërbankar, kanë ruajtur nivelet e ulëta të normave të interesit dhe stimulin për kredidhënie. Në partneritet me institucionet e huaja homologe, janë siguruar instrumentet për mbështetjen e tregut me likuiditet në valutë. Paralelisht, veprimet ligjore dhe ndryshimet rregullative iu kanë dhënë kohën dhe mundësinë huamarrësve të prekur nga efektet e pandemisë dhe bankave, që të ristrukturojnë ekspozimet përkatëse me qëllim që, aty ku është e mundur, të ruhet aftësia paguese e huamarrësit dhe cilësia e kredisë. Megjithëse këto masa do të zbutin rënien e cilësisë së kredisë në sektorin bankar, efekti i pandemisë mbi këtë tregues mund të jetë i ndjeshëm. Si rezultat, kostot e bankave që lidhen me krijimin e fondeve rezervë për rrezikun e kredisë do të rriten dhe rezultati financiar mund të bjerë. Në bazë të këtij vlerësimi, Banka e Shqipërisë u ka kërkuar bankave të pezullojnë shpërndarjen e fitimit (si dividend), duke synuar që ndikimi i rënies së mundshme të rezultatit financiar mbi treguesit e kapitalizimit të veprimtarisë të zbutet. Komunikimi me bankat është përforcuar dhe kërkesat për raportim janë bërë më specifike dhe më të shpeshta.

Masa të ngjashme mbikëqyrëse, ka ndërmarrë edhe Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare për subjektet financiare jobanka që rregullon. Në këtë drejtim, janë rritur kërkesat për raportim të shpeshtë të gjendjes së likuiditetit për këto subjekte, dhe është pezulluar shpërndarja e fitimit për shoqëritë e sigurimit. Gjithashtu, Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare ka rritur vëmendjen mbikëqyrëse në drejtim të përshtatshmërisë së planeve të vijimit të veprimtarisë për subjektet më relevante që mbikëqyr.

Agjencia e Sigurimit të Depozitave plotëson kuadrin institucional të autoriteteve publike që mbështesin qëndrueshmërinë e sistemit financiar. Ajo ka vijuar të administrojë në mënyrën më të përshtatshme fondin e kompensimit të depozitave, të eksplorojë mundësinë e zgjerimit të tij në partneritet me institucione financiare ndërkombëtare, si edhe të zhvillojë më tej kuadrin e procedurave të saj.

Në kushtet aktuale, vlerësohet se masat e mësipërme të ndërmarra nga autoritetet kanë përmirësuar kapacitetet e sistemit financiar për të përballuar goditjen ekonomike që shkaktoi pandemia.

4) Sidoqoftë, rreziqet për aktivitetin ekonomik të vendit dhe sistemin financiar, që vijnë nga pandemia, mbeten të pranishme dhe ecuria e këtyre rreziqeve mbetet e pasigurt. Si rezultat është e nevojshme që industria financiare dhe autoritetet përkatëse rregullative të harmonizojnë veprimet me qëllim që:

a. informacioni që mblidhet dhe analizohet për veprimtarinë e sistemit financiar, dhe veçanërisht për drejtimet e saj që ndikohen më shumë nga pandemia, të jetë sa më i plotë, frekuent dhe në kohën e duhur, me qëllim që t’i shërbejë në mënyrë më efektive vendimmarrjes;
b. institucionet financiare të fuqizojnë më tej kapacitetet analitike, si instrument i domosdoshëm për të vlerësuar rezistencën e tyre financiare ndaj zhvillimeve ekonomike të pafavorshme, duke përfshirë skenarë specifikë dhe të shtrirë në kohë. Këto analiza duhet të jenë pjesë e vlerësimeve të rregullta dhe të shpeshta nga strukturat drejtuese, dhe duhet të plotësojnë vendimmarrjen e tyre paraprake për fuqizimin e pozicioneve të kapitalit dhe të likuiditetit, në rast nevoje;
c. të gjendet një ekuilibër i drejtë midis nevojës për të mbështetur operatorët ekonomikë që kanë nevojë për financim në këtë periudhë dhe kujdesit të shtuar për rrezikun e këtij financimi. Garancitë e ofruara nga Qeveria për huadhënie nga sektori bankar, ofrojnë një instrument që ndihmon në arritjen e këtij objektivi. Është e dëshirueshme që përdorimi i këtyre garancive të jetë më i shpejtë duke i dhënë përparësi ndërmarrjeve të mesme dhe të vogla.

5) Autoritetet publike do të vijojnë të mbështesin veprimtarinë e sistemit financiar, me masat e nevojshme, në përgjigje të zhvillimeve që kushtëzohen nga ecuria e pandemisë. Për këtë qëllim, autoritetet do të forcojnë komunikimin dhe do të bashkëveprojnë duke u udhëhequr nga këto parime:

a. së pari, ruajtja e qëndrueshmërisë së sistemit financiar. Në këtë drejtim, autoritetet do t’iu kërkojnë institucioneve financiare që mbikëqyrin, të ruajnë masat e nevojshme për të mbrojtur shëndetin e personelit, për të garantuar mirëfunksionimin e operacioneve dhe sistemeve kritike të institucionit, si edhe për të ruajtur treguesit e kapitalizimit dhe të likuiditetit të veprimtarisë. Nga ana e tyre, autoritetet do të vijojnë të verifikojnë përshtatshmërinë e proceseve, të procedurave dhe të burimeve financiare e njerëzore, në mënyrë që ushtrimi i rolit të tyre për mbikëqyrjen dhe rregullimin e institucioneve financiare dhe të tregjeve, të kryhet në mënyrë sa më efektive; dhe
b. së dyti, përballimi i sfidave me fleksibilitet dhe transparencë. Në këtë drejtim, në përputhje me përcaktimet ligjore dhe rregullative dhe duke konsideruar më parë parimin e mësipërm të ruajtjes së qëndrueshmërisë, do të monitorohen zhvillimet në sistemin financiar dhe në rast nevoje, në linjë me interpretimet e institucioneve përkatëse ndërkombëtare, do të synohet të zbutet efekti prociklik në kërkesat rregullative. Kjo do të mundësohet në ato raste kur mënyra e rikthimit në kërkesat normale rregullative, mbetet e qartë dhe e realizueshme. Paralelisht, institucioneve financiare në vend do t’iu kërkohet të ruajnë standardin më të lartë të transparencës në drejtim të raportimit të pasqyrave financiare dhe të treguesve prudencialë.

Me mbylljen e diskutimeve në mbledhje sipas programit, drejtuesit e institucioneve pjesëmarrëse miratuan këtë njoftim për shtyp dhe autorizuan publikimin e tij.

Scroll to Top