Vizitë studimore e delegacionit të Komisionit të Mbikëqyrjes Bankare dhe Financiare (Commision de Supervision Bancaire et Financière – CSBF) të Madagaskarit, në Agjencinë e Sigurimit të Depozitave.

Publikuar më: 09-05-2023


Në datat 2-5 Maj 2023 Agjencia e Sigurimit të Depozitave mirëpriti një delegacion të Komisionit të Mbikëqyrjes Bankare dhe Financiare (Commision de Supervision Bancaire et Financière – CSBF) të Madagaskarit. Kjo vizitë studimore u organizua, duke marrë në konsideratë përpjekjet e CSBF për të ngritur një skemë të sigurimit të depozitave në Madagaskar. Agjencia e Sigurimit të Depozitave u përzgjodh për këtë projekt asistence nga Zyra e Asistencës Teknike e Departamentit të Thesarit të SHBA, të cilët po asistojnë CSBF në përgatitjen e të gjithë kuadrit ligjor dhe rregullator të nevojshëm për krijimin dhe miradministrimin e një skeme efikase të sigurimit të depozitave.

Gjatë 3 ditëve të vizitës, ekspertët e Agjencisë prezantuan në mënyrë të detajuar ambientin ligjor dhe rregullativ në të cilin skema e sigurimit të depozitave në Shqipëri funksionon, evoluimin e saj prej krijimit si dhe masat e marra për të adresuar sfidat e mundshme në funksion të ruajtjes së stabilitetit financiar në vend.

Duke marrë në konsideratë interesin e përfaqësuesve të CSBF për funksionimin e një autoriteti të sigurimit të depozitave me karakteristikat e Agjencisë së Sigurimit të Depozitave, pjesë e prezantimeve ishin të gjitha funksionet, detyrat, përgjegjësitë e strukturave të Agjencisë si dhe mekanizmat e ndërveprimit mes tyre në funksion të mirëqeverisjes së institucionit.

Gjithashtu, pjesë e prezantimeve ishin çështje që lidhen me  veçoritë e administrimit të skemës së sigurimit të depozitave, karakteristikat e saj, treguesit kryesorë dhe mekanizmat e administrimit të Fondit të Sigurimit të depozitave në banka dhe shkk si dhe Fondin e Ndërhyrjes së Jashtëzakonshme.

Duke vlerësuar rolin dhe kontributin e Agjencisë në ruajtjen e stabilitetit financiar në vend, si pjesëmarrëse e Grupit Këshillimor të Stabilitetit Financiar, së bashku me Bankën e Shqipërisë, Ministrinë e Financave dhe Autoritetin e Mbikëqyrjes Financiare, kolegëve të CSBF iu prezantua dhe kuadri rregullator për funksionimin e rrjetit të sigurisë financiare në vend.

Në përfundim të vizitës, përfaqësuesit e CSBF dhe Zyrës së Asistencës Teknike të Departamentit të Thesarit të SHBA vlerësuan arritjet e Agjencisë dhe u angazhuan për vazhdimësinë e  bashkëpunimit ndërinstitucional në të ardhmen.