Përfaqësimi i Agjencisë së Sigurimit të Depozitave në Seminarin e organizuar nga IADI me temë: Sfidat kryesore në kompensimin e depozituesve

Publikuar më: 22-05-2023


Shoqata Ndërkombëtare e Siguruesve të Depozitave (IADI) organizoi një seminar mbi Sfidat kryesore në kompensimin e depozituesve, të zhvilluar në Tunizi, në datat 10 – 11 maj 2023. Në këtë aktivitet u prezantuan disa nga praktikat më të mira ndërkombëtare lidhur me Parimin Themelor 15 të IADI – t “Kompensimi i depozituesve”.

Agjencia e Sigurimit të Depozitave (ASD), me ftesë të IADI, u përfaqësua në këtë aktivitet nga Znj. Blerta Koçi, Përgjegjëse e Sektorit të Teknologjisë së Informacionit në ASD, si folëse në Seksionin e 2: Aspektet kryesore operacionale të një procesi efektiv kompensimi. Tema e prezantimit ishte: “Elementët rregullatorë dhe teknologjikë për sistemin IT për Paraqitjen Unike të Depozituesit (SCV)”. Ftesa për këtë pjesëmarrje erdhi si rezultat i eksperiencës së Agjencisë së Sigurimit të Depozitave të ndërtuar ndër vite në drejtim të implementimit të kuadrit rregullativ dhe infrastrukturës teknologjike në përputhje me standartet më të mira ndërkombëtare në fushën e sigurimit të depozitave.

Znj. Koçi prezantoi në mënyrë të detajuar infrastrukturën dhe sistemet IT, që përdoren në Agjencinë e Sigurimit të Depozitave për verifikimin, përpunimin dhe ruajtjen e të dhënave të nevojshme në një proces kompensimi. Pjesëmarrësit në seminar shfaqën interes dhe morën pjesë në mënyrë interaktive për shkëmbimin e eksperiencës me praktikat e punës të ndjekura nga Agjencia.

Në këtë seminar morën pjesë 150 përfaqësues të skemave homologe, të vendeve të ndryshme, anëtare të IADI. Ky seminar ishte i një rëndësie të veçantë pasi trajtoi në nivel teknik kuadrin e duhur ligjor dhe rregullator për Paraqitjen Unike të Depozituesit (SCV), si dhe për krijimin e aksesit në të dhënat e depozituesve dhe sistemet e TI të subjekteve anëtare të skemave të sigurimit të depozitave. Paraqitja unike e Depozituesit (SCV) luan një rol kritik për të siguruar një proces efektiv të kompensimit dhe përfaqëson një sfidë të madhe për shumë institucione të sigurimit të depozitave, në mbarë globin. 

2

Image 2 of 2