Njoftim mbi miratimin e ligjit nr. 53/2014 .

Publikuar më: 20-06-2014


Kuvendi i Shqipërisë ka miratuar Ligjin nr. 53/2014, datë 22.05.2014 “Për sigurimin e depozitave“. Ligji është shpallur me dekretin nr. 8598, datë 17.6.2014 të Presidentit të Republikës së Shqipërisë, si dhe është publikuar në Fletoren Zyrtare nr. 94, të datës 20 Qershor 2014. Data e hyrjes në fuqi të ligjit është 6 korrik 2014.

Ky ligj, i cili ka shfuqizuar ligjin nr. 8873, datë 29.03.2002 “Për sigurimin e depozitave“, mundëson zhvillimin e skemës së sigurimit të depozitave në vendin tonë në përputhje me Standardet Ndërkombëtare për Skema Efektive të Sigurimit të Depozitave, si dhe përafron legjislacionin shqiptar me Direktivën 2014/49/BE të Parlamentit Evropian dhe të Këshillit “Mbi skemat e garantimit të depozitave”.

Ndër ndryshimet kryesore që ky ligj sjell në skemën e sigurimit të depozitave, janë:

Përcaktimi i procedurave për përfshirjen e Shoqërive të Kursim – Kreditit (SHKK), si anëtare të skemës së sigurimit të depozitave. Për përfshirjen në skemë të SHKK-ve që aktualisht janë të licensuara, ligji përcakton një dispozitë tranzitore me qëllim dhënien e kohës së nevojshme ASD-së dhe SHKK-ve për përgatitjen e kuadrit nënligjor të nevojshëm dhe përmbushjen e detyrimeve që rrjedhin nga ligji.
Përcaktimi i nivelit të mbulimit dhe të primit të sigurimit për SHKK.Sipas ligjit, Agjencia do të sigurojë depozitat e individëve në SHKK deri në shumën 2.000.000 lekë për depozitues për SHKK, ndërsa primi i sigurimit që SHKK duhet të paguajnë është në nivelin 0.3 % të totalit të depozitave të siguruara. Në lidhje me shumën e mbulimit dhe të primit të sigurimit për depozitat në bankat e nivelit të dytë, ligji ka lënë të pandryshuar nivelin e mbulimit 2.500.000 lekë për depozitues për bankë, si dhe primin e sigurimit 0.5% të totalit të depozitave të siguruara.
Rishikimi i formulës së llogaritjes së primit. Ligji përmirëson edhe metodologjinë e llogaritjes së primit të sigurimit që duhet të paguajnë subjektet e skemës, duke ndryshuar bazën e përllogaritjes së tij. Primi vjetor i sigurimit zëvendësohet nga ai tremujor, duke u përllogaritur mbi depozitat e mbajtura në subjekt në ditën e fundit të secilit muaj të tremujorit paraardhës. Sipas ligjit, në formulën e llogaritjes së primit tre mujor nuk do të netohen detyrimet në vonesë të depozituesit.

Ligji nr. 53/2014, datë 22.05.2014 ’‘Për sigurimin e depozitave“ është publikuar në faqen e internetit të Agjencisë së Sigurimit të Depozitave (www.dia.org.al) në menunë “Ligjet”. Për pyetje ose informacion të mëtejshëm, lutemi të kontaktoni në nr. e tel +355 4 362 989, 347 298 ose e-mail: info@dia.org.al.