Mbi raportimin në Komisionin Parlamentar për Ekonominë dhe Financat.

Publikuar më: 15-05-2024


Në zbatim të përcaktimeve të Ligjit Nr. 53/2014, datë 22.05.2014 “Për sigurimin e depozitave”, i ndryshuar, dhe Manualit të Monitorimit Vjetor dhe Periodik miratuar me Vendimin e Kuvendit të Republikës së Shqipërisë nr. 134/2018, datë 20.12.2018, Agjencia e Sigurimit të Depozitave prezantoi në Komisionin për Ekonominë dhe Financat Raportin Vjetor për veprimtarinë e institucionit përgjatë vitit 2023. Raporti u prezantua nga Z. Genci Mamani, Drejtor i Përgjithshëm i Agjencisë.

Prezantimi i aktivitetit të Agjencisë për periudhën në raportim, u përqendrua në realizimin me sukses të rekomandimeve të Rezolutës së Kuvendit për veprimtarinë e Agjencisë së Sigurimit të Depozitave, ecurinë e depozitave të qytetarëve shqiptarë në banka dhe shoqëritë e kursim kreditit, miradministrimin e fondeve të krijuara për kompensimin e depozitave të siguruara të individëve, tregtarëve dhe shoqërive tregtare, të cilat edhe gjatë vitit 2023 kanë ndjekur një trend në rritje. Deputetët e Komisionit u njohën gjithashtu, me iniciativat kryesore të zhvilluara Agjencia në periudhën në raportim, siç janë kontributi në procesin e integrimit evropian përmes ndjekjes së drejtimeve të përcaktuara në dokumentet strategjike të Qeverisë Shqiptare, përgatitja për një ngjarje sigurimi përmes kryerjes së ushtrimeve të simulimit teknike dhe të dedikuara, kontributi në rrafshin ndërkombëtar, etj.

Në përfundim, Komisioni Parlamentar për Ekonominë dhe Financat, vlerësoi punën e Agjencisë dhe dha rekomandimet përkatëse që institucioni duhet të ketë në vëmendje për përmirësimin e aspekteve të ndryshme të veprimtarisë së tij.