Mbi pjesëmarrjen e Z. Genci Mamani, Drejtor i Përgjithshëm i Agjencisë së Sigurimit të Depozitave në Mbledhjet e Pranverës të Fondit Monetar Ndërkombëtar dhe Bankës Botërore.

Publikuar më: 16-04-2019


Në datat 12-14 prill 2019, Drejtori i Përgjithshëm i Agjencisë së Sigurimit të Depozitave, Z. Genci Mamani, mori pjesë në Mbledhjet e Pranverës të Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN) dhe të Grupit të Bankës Botërore (BB), në Uashington. Në këto mbledhje marrin pjesë guvernatorë të bankave qendrore dhe ministrat e financave të vendeve anëtare, drejtues të lartë të institucioneve financiare ndërkombëtare, si dhe përfaqësues të botës akademike, biznesit dhe shoqërisë civile.

Agjencia e Sigurimit të Depozitave përfaqësuar nga Z. Mamani, ishte pjesë e një delegacioni të përbashkët, të përbërë nga Banka e Shqipërisë: me përfaqësues Guvernatorin e Bankës së Shqipërisë, z. Gent Sejko, Zëvendësguvernatoren e Parë, zj. Luljeta Minxhozi, si dhe drejtues të tjerë të lartë të Bankës si dhe nga Ministria e Financave: me përfaqësues Ministren e Financave dhe Ekonomisë, zj. Anila Denaj, Zëvendësministrin z. Erjon Luçi si dhe drejtues të tjerë të lartë të këtij institucioni.

Në kuadër të këtyre mbledhjeve Drejtori Përgjithshëm zhvilloi takime me Qendrën Këshillimore për Sektorin Financiar (FinSAC – Financial Sector Advisory Center) të Bankës Botërore dhe me Korporatën Federale të Sigurimit të Depozitave (FDIC – Federal Deposit Insurance Corporation) të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Në këto takime u vlerësuan marrëdhëniet shumë të mira dhe bashkëpunimi i suksesshëm i deritanishëm. Drejtori Përgjithshëm u shprehu falënderimet dhe mirënjohjen përfaqësuesve të këtyre institucioneve për asistencën e ofruar në vazhdimësi për reformimin e Agjencisë së Sigurimit të Depozitave dhe ngritjen e kapaciteteve profesionale dhe operacionale të punonjësve të saj. Në këto takime u kërkua vijimi i bashkëpunimit dhe i asistencës teknike në drejtim të rritjes së njohurive në funksionet shtesë që i ka dhënë Agjencisë Ligji “Për rimëkëmbjen dhe ndërhyrjen e jashtëzakonshme në banka, në Republikën e Shqipërisë” si edhe për administrimin me efikasitet të skemës së sigurimit të depozitave.