Njoftim për shtyp mbi pjesëmarrjen e Drejtorit të Përgjithshëm, Z. Mamani, në Mbledhjen Vjetore të BERZH, të mbajtur në Qipro, në datat 9 – 11 maj 2017.

Publikuar më: 22-05-2017


Në datat 9-11 maj 2017 u zhvillua mbledhja vjetore e 26-të e Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) në Nikosia, Qipro me temë “Të synojmë një rritje të gjelbër dhe gjithëpërfshirëse – Njohje me sfidat rajonale dhe globale”, në të cilën ishte i pranishëm Z. Genci Mamani, Drejtor i Përgjithshëm i Agjencisë së Sigurimit të Depozitave. Takimi i këtij viti kishte në fokus elementin e mjedisit “targeting green” dhe zhvillimin gjithpërfshirës si sfida rajonale por dhe globale, për të reflektuar mbi sfidat ekonomike, sociale dhe politike me të cilat ndeshet rajoni aktualisht.

 

Në kuadër të pjesëmarrjes së tij, Drejtori i Përgjithshëm Z. Mamani zhvilloi gjithashtu takime të rëndësishme me personalitete të njohura të fushës financiare ndërkombëtare. Kështu ai zhvilloi një takim me Z. Holger Muent, Drejtor për Vendet e Ballkanit Perëndimor, Z. Peter Sanfey, Zëvëndësdrejtor i Sektorit për Çështjet Ekonomike të Vendeve të BERZH, me pjesëmarrjen edhe të Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë, Z. Gent Sejko, dhe Kryetarit të Këshillit Drejtues të ASD, Z. Donald Duraj, gjithashtu të pranishëm në këtë aktivitet. Në këtë takim u diskutuan zhvillimet më të fundit në ekonominë shqiptare dhe sektorin banker, si dhe vazhdimësia e projekteve të BERZH në Shqipëri, ndër të tjera, ajo e linjës së kredisë mes BERZH dhe ASD.