Mbi pjesëmarrjen e Agjencisë së Sigurimit të Depozitave në mbledhjen vjetore të Forumit Evropian të Siguruesve të Depozitave (EFDI) si dhe Konferencën ndërkombëtare zhvilluar në 25 – 27 Shtator, në Sarajevo, Bosnje-Hercegovinë.

Publikuar më: 01-10-2019


Forumi Evropian i Siguruesve të Depozitave (EFDI) zhvilloi në datat 25 – 27 Shtator mbledhjen vjetore si dhe Konferencën ndërkombëtare me temë “Sigurimi i Depozitave në Europë – Ridzenjimi i Hartës”, në Sarajevo, Bosnje-Hercegovinë. Me këtë rast Agjencia e Sigurimit të Depozitave të Bosnje-Hercegovinës festonte dhe 20-vjetorin e krijimit. Në këtë takim Agjencia e Sigurimit të Depozitave u përfaqësua nga një delegacion i kryesuar nga Z. Genci Mamani, Drejtor i Përgjithshëm.

Në Konferencën ndërkombëtare, e cila u zhvillua me disa panele të ndryshme, merrnin pjesë personalitete të skemave evropiane të sigurimit të depozitave, ekspertë financiarë të institucioneve ndërkombëtare, të ftuar nga banka qendrore evropiane, akademikë, etj. Paneli hapës i konferencës përfshinte përfaqësuesit e skemave të sigurimit të depozitave të Ballkanit dhe trajtonte tematikën e harmonizimit të kuadrit të tyre rregullator me EU Acquis në funksion të aspiratave për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Pjesë e panelit ishte dhe Drejtori i Përgjithshëm i Agjencisë, Z. Genci Mamani. Në prezantimin e tij, Z. Mamani, vuri në dukje se legjislacioni për administrimin e skemës së depozitave në Shqipëri është në pjesën më të madhe në përputhje me Direktivën e Komisionit Evropian për skemat e garantimit të depozitave. Ai gjithashtu, renditi sfidat me të cilat do të përballet Agjencia për të arritur një përputhshmëri të plotë me kuadrin rregullator financiar Evropian, për të cilat shprehu angazhimin e plotë të Agjencisë.

Në punimet e takimit vjetor u zgjodhën katër anëtarë të rinj të Këshillit Ekzekutiv të EFDI përfshirë kryetarin e këtij Këshilli.

Forumi Evropian i Siguruesve të Depozitave (EFDI), krijuar në vitin 2002, është një organizatë ndërkombëtare jo-fitimprurëse. Qëllimi i organizatës është  të kontribuojë në stabilitetin e sistemeve financiare duke fuqizuar rolin e skemave të sigurimit të depozitave dhe promovuar bashkëpunimin evropian në fushën e sigurimit të depozitave. Forumi përfaqëson interesat e përbashkëta të anëtarëve të tij, nxit shkëmbimin e informacionit, eksperiencave dhe pikëpamjeve, ofron analiza, vlerësime dhe rekomandime në fushën e tij të ekspertizës, si dhe bashkëpunon me BE, dhe institucionet kombëtare dhe ndërkombëtare.

EFDI përbëhet nga 70 Institucione anëtare nga 48 shtete Evropiane.