Mbi pjesëmarrjen e Agjencisë së Sigurimit të Depozitave në Mbledhjen e 18-të Vjetore të Shoqatës Ndërkombëtare të Siguruesve të Depozitave si dhe Konferencën me temë “Realizimi i Reformave: Çfarë ka ndryshuar në Sistemet e Sigurimit të Depozitave që prej Krizës?”.

Publikuar më: 18-10-2019


Shoqata Ndërkombëtare e Siguruesve të Depozitave (IADI) zhvilloi në datat 7 – 11 Tetor Mbledhjen e 18 Vjetore si dhe Konferencën me temë “Realizimi i Reformave: Çfarë ka ndryshuar në Sistemet e Sigurimit të Depozitave që prej Krizës”, në Stamboll, Turqi. Në këtë takim Agjencia e Sigurimit të Depozitave u përfaqësua nga një delegacion i kryesuar nga Z. Genci Mamani, Drejtor i Përgjithshëm.

Gjatë punimeve të Konferencës Vjetore u trajtuan tema që kanë të bëjnë me mjedisin aktual global financiar dhe ndryshimet që ka pësuar, si pasojë e krizës globale financiare, roli i skemave të sigurimit të depozitave në drejtim të ngritjes së sistemeve të paralajmërimit të hershëm, ndërhyrjes së jashtëzakonshme në banka, marrëdhëniet ndërkufitare si dhe ndikimin e zhvillimeve teknologjike në proceset e ndërhyrjes së jashtëzakonshme në banka dhe sigurimit të depozitave. Panelistët e konferencës, të cilët ishin të nivelit të lartë, përfshinin personalitete të IADI-t, të skemave ndërkombëtare të sigurimit të depozitave, ekspertë financiarë të institucioneve ndërkombëtare, të ftuar nga banka qendrore, akademikë, etj.

Gjithashtu, në kuadër të pjesëmarrjes në këtë aktivitet, Agjencia e Sigurimit të Depozitave nënshkroi rinovimin e marrëveshjes së bashkëpunimit me Korporatën Koreane të Sigurimit të Depozitave. Ky rinovim vjen pas bashkëpunimit të frytshëm midis të dy autoriteteve sa i takon pjesëmarrjes në aktivitetet e organizuara dhe vizitave me karakter studimor.

IADI është organizata botërore që vendos standardet në fushën e sigurimit të depozitave. Kjo organizatë ka marrë një rëndësi të veçantë në nivel ndërkombëtar, për shkak të rolit që luajtën skemat e sigurimit të depozitave në krizën financiare globale të vitit 2008. Metodologjia e vlerësimit të Parimeve Themelore të Sigurimit të Depozitave (Core Principles) hartuar nga IADI, është përfshirë në programet e vlerësimit të sistemeve financiare (FSAP) të FMN-së dhe Bankës Botërore. Aktualisht, në IADI janë anëtarësuar 92 institucione nga e gjithë Bota.

https://www.iadi.org/en/assets/File/Press Releases/IADI_18th_IADI_AGM_Conference_2019_Press_Release-final.pdf

 

MOU KDIC-ADIA

Image 5 of 5