Java globale e parasë 2022

Publikuar më: 25-03-2022


Në datën 24 mars 2022 u organizua ceremonia kremtuese e Javës së Parasë për vitin 2022.

Prej pothuajse 10 vitesh, Banka e Shqipërisë dhe Shoqata Shqiptare e Bankave, me mbështetjen e Ministrisë së Arsimit dhe Sportit, Agjencisë së Sigurimit të Depozitave, si dhe partnerë të tjerë, përgjatë kësaj jave, organizojnë dhe mbështesin aktivitete edukative dhe ndërgjegjësuese për grup-moshat e nxënësve të arsimit parauniversitar dhe atij universitar. 

Tema e këtij viti është “Tregohu i zgjuar me paranë, ndërto të ardhmen tënde!”. Ajo nënvizon rëndësinë e një përqasjeje të kujdesshme e proaktive ndaj parasë, si premisë për një të ardhme të sigurt e të begatë, duke qenë i pajisur me njohuritë dhe aftësitë e duhura për një treg financiar gjithnjë e më të digjitalizuar dhe novator.

Aktivitetin kremtues e përshëndetën Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, z. Gent Sejko, Ministrja e Arsimit dhe Sportit, zj. Evis Kushi, dhe Kryetari i Shoqatës Shqiptare të Bankave, z. Bledar Shella. Në këtë event mori pjesë Drejtori i Përgjithshëm i ASD-së Z. Genc Mamani si dhe drejtues të bankave.

Më tej, aktiviteti vijoi me ceremoninë e ndarjes së çmimeve për fituesit e konkurseve të organizuara nga Banka e Shqipërisë dhe Shoqata Shqiptare e Bankave me rastin e Javës së Parasë.

  • Konkursi i parë: Vizatimi më i mirë, drejtuar nxënësve të klasave III-IV të vendit.
  • Konkursi i dytë: Fotomontazhet (meme) më të mira, drejtuar nxënësve të klasave IX në të gjithë vendin.
  • Konkursi i tretë: Video më e mirë, drejtuar gjimnazistëve të vendit.
  • Konkursi i katërt: “Sfida e Javës: 7 pyetje për paranë dhe bankat” me pyetje të ndryshme në Facebook sërish për këtë grup-moshë.
  • Konkursi i pestë: Eseja më e mirë me temë “Banka digjitale dhe ndikimi i saj në rritjen e përfshirjes financiare” drejtuar studentëve universitarë.

Gjithashtu, në kuadër të Javës së Parasë 2022, në datën 30 mars do të organizohet për herë të katërt Kuizi Evropian i Parasë, një konkurs mbarëevropian me qëllim përmirësimin e kulturës financiare të fëmijëve në moshën 13-15 vjeç (klasat e 9-ta) pavarësisht lëndëve mësimore që zhvillojnë. Kuizi pritet të përfshijë qindra nxënës. Fituesit në rang kombëtar, do të konkurojnë në finalen evropiane të Kuizit Evropian të Parasë, i cili do të zhvillohet online.

Kuizi Evropian i Parasë do të mbështetet nga Agjencia e Sigurimit të Depozitave.

Java-e-parase-2022-5

Image 5 of 5